LAJMI I FUNDIT:

Sindikata e parehatuar e aktorëve të TKK-së: Njëherë kryetar u shpall Ismet Azemi, tash Mehmet Breznica

Sindikata e parehatuar e aktorëve të TKK-së: Njëherë kryetar u shpall Ismet Azemi, tash Mehmet Breznica

Para një muaji, aktorët rezidentë të Teatrit Kombëtar të Kosovës kishin themeluar Sindikatën e Punëtorëve të këtij institucioni. Atëherë ishte zgjedhur grupi punues i kësaj sindikate, i cili do të përfaqësojë SPTKK-ne deri ne zgjedhjen e organeve drejtuese, ku këtë grup e përbëjnë aktorët: Adrian Morina, Shkelzen Veseli, Maylind Kasumoviq, Ismet Azemi dhe Naim Berisha.

Në një mbledhje më të hershme të mbajtur në TKK- të, ishte zgjedhur kryetar i kësaj Sindikate Ismet Azemi. Një pjesë e punëtorëve të TKK-së e kanë kundërshtuar këtë zgjedhje, ndërsa sot ky vendim u shfuqizua.


Nëpërmjet një komunikate për shtyp është bërë e ditur se Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës, sot, në mbledhjen ku kanë marrë pjesë 37 punëtorë, kanë zgjedhur Mehmet Breznicën për kryetar të Shoqatës Sindikale të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Po ashtu, është bërë e ditur se në këtë mbledhje u zgjodh edhe kryesia SHSTKK-se, në këtë përbërje: Naim Berisha – nënkryetar dhe zëdhënës, Asllan Hyseni – nënkryetar për çështje të punëtorëve, Sadie Veliu – nënkryetare për çështje juridike, si dhe Fatime Lajci, Hysnije Muqaj, Kumrije Hoxha, Aziz Maloku, Beqir Beqiri, Edita Havolli, Lulezime Halimi dhe Arsim Abazi – anëtarë të Kryesisë.

“Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës informon publikun e gjerë, menaxhmentin e TKK-së, Ministrinë e Kulturës dhe të gjitha institucionet relevante se e vetmja udhëheqësi legjitime dhe përfaqësuese e SHSTKK-se është udhëheqësia e zgjedhur nga Kuvendi i Përgjithshëm i Shoqatës Sindikale të Teatrit Kombëtar të Kosovës”, thuhet në fund të këtij njoftimi ku shpallet jolegjitim dhe jopërfaqësues “kryetari dhe Kryesia e vetëzgjedhur në restorantin ‘Soma’” meqë, sipas kumtesës, aty “dhjetë veta fshehtas kanë mbajtur mbledhje dhe e kanë zgjedhur veten në pozita”. /Telegrafi/