Qysh dreqin e përkthen Shekspirin?


Mbi librin If This Be Magic: The Unlikely Art of Shakespeare in Translation [Nëse kjo qenka magji: Arti i pamundur i përkthimit të Shekspirit] të Daniel Hahnit.
Nga: Steven Poole / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Shkrimtari i madh argjentinas Jorge Luis Borges, i cili përktheu në spanjisht William Faulknerin, André Gidenë, Franz Kafkan dhe Virginia Woolfin, vuri një kufi te Shekspiri [William Shakespeare]. Duke folur për çastin kur Hamleti pyet fantazmën pse kthehet për të përndjekur the glimpses of the moon [vezullimet e hënës; ndriçimet kalimtare të hënës!], Borgesi ka komentuar: “Nuk besoj se kjo mund të përkthehet. Ndoshta fjalët mund të përkthehen. Sigurisht, Shekspiri nuk mund të përkthehet. The glimpses of the moon do të thotë pikërisht the glimpses of the moon.
Megjithatë, jo gjithçka është e humbur. “Është thënë se Shekspiri nuk mund të përkthehet në asnjë gjuhë tjetër,” shtoi Borgesi. “Por, Shekspiri nuk mund të përkthehet as në anglisht, sepse ai shkroi në atë që Robert Louis Stevensoni e quante ‘ai dialekt i mahnitshëm - shekspirishtja’ [Shakespeare-ese].” Kjo ndoshta nuk është krejtësisht e vërtetë, siç vëren përkthyesi Daniel Hahn në këtë libër jashtëzakonisht argëtues. Duke kujtuar një inskenim hip-hop të Romeo dhe Zhulietës që kishte parë dikur, ai na bind menjëherë se shprehja A po më përbuz, o shok? [Do you kiss your teeth at me, fam?] ishte një përkthim i përsosur i vargut A po na fyen, zotëri? [Do you bite your thumb at us, sir?].”
Dhe, nëse mund të përkthehet në anglisht, pse jo në portugalisht, frëngjisht apo maorisht? Projekti i Hahnit është të argumentojë se “Shekspiri ku çdo fjalë është ndryshuar mund të mbetet ende madhështor dhe të mbetet Shekspir,” dhe për këtë qëllim ai sjell fragmente në holandisht, rusisht, uellsisht, tajlandisht, arabisht, japonisht dhe një duzinë gjuhësh të tjera. Ai vë bast se, thjesht duke numëruar rrokjet ose duke vëzhguar aliteracionin në një gjuhë që nuk e kupton (siç pranon me humor, ai nuk e njeh danishten), mund të mësosh diçka për cilësinë e një përkthimi. Nuk isha i bindur se ky bast jepte fryte, aq shpesh sa shpresonte autori, por radhitësit tipografikë, siç mund ta imagjinoni, nuk mbetën pa punë. Në fund, megjithatë, kjo lojë metodologjike shpërblehet, kur një pasazh i gjatë nga Nata e Dymbëdhjetë shoqërohet me shënime që paraqesin zgjedhjet e dhjetëra përkthyesve të ndryshëm
Ajo që e ndriçon vërtet librin janë bisedat e Hahnit me kolegët e tij përkthyes, të cilët mund t’i shpjegojnë drejtpërdrejt zgjedhjet e tyre. Në maorisht, mësojmë se pyetja e Zonjës Makbeth drejtuar bashkëshortit të saj: Are you a man? [A je burrë?], nuk ka fare kuptim. Prandaj, përkthyesja Te Haumihiata Mason e jep me një shprehje që afërsisht do të thotë: A ke koqe?” - gjë që, siç vëren Hahni me kënaqësi, “është pikërisht ajo që po pyet Znj. M.” Ndërkohë, emri i princit Hal në hungarisht do të thotë “peshk” - që do të ishte një shpërqendrim i panevojshëm për lexuesin; prandaj, ai zëvendësohet me emrin Riki - shkurtim i Henrikut.
Hahni ofron gjithashtu shumë digresione mbi bezditë dhe kënaqësitë e përkthimit në përgjithësi. “Fjala ‘fjalëpërfjalshëm’ (literal) përdoret në mënyrë irrituese si sinonim i një përkthimi ‘neutral’, gjë që nuk mund të ekzistojë,” ankohet ai. Dhe, tregon se në shumë raste një zgjedhje joliteraliste është më e mirë.
Kur Mark Antoni imagjinon shpirtin e Cezarit duke thirrur Havoc!, për shembull, fjala më e afërt në portugalisht është devastação [shkatërrim], e cila tingëllon disi e dobët. Një zgjedhje më e mirë, sipas Hahnit, është matança [vrasje], sepse është më e shkurtër dhe mund të bërtitet më lehtë.
Çdo kapitull trajton një pyetje të ndryshme me të cilën përballen përkthyesit: për shembull, nëse duhet përkthyer në vargje (kujdes, siç vëren një përkthyes francez, rrezikon ta kthesh “një gjeni në një vargëzues të talentuar”), ose si duhen përkthyer shakatë. Pothuajse të gjithë bien dakord se zakonisht është më mirë të krijosh një shaka krejtësisht të re - të jesh “besnik ndaj të qeshurës,” siç e quan Hahn. Në një përkthim gjerman të Ëndrra e një nate vere, për të ruajtur rimat popullore, nuk premtohet që Thisbe do të jetë “nën hijen e manit,” por se ajo do të jetë “e fshehur si një triton.” Përkthyesit mund të përqafojnë madje mundësinë për të krijuar një shaka aty ku më parë nuk kishte. Hahni e ilustron këtë me faktin se sorting hat në Harry Potter është bërë në frëngjisht le choixpeau [kapela që zgjedh].
A mund të ruhet aliteracioni? Ndonjëherë, nëse ke fat. Komedia Puna e pashpërblyer e dashurisë mori në greqisht titullin pothuajse të pakalueshëm, Agapēs Agōnas Agonos [Përpjekjet e dashurisë janë të pafrytshme]. Por, kur nuk ekzistojnë mundësi të tilla të lumtura, mund të zëvendësosh një idiomë me një tjetër. Kështu, në spanjisht, Much Ado About Nothing shpesh quhet Shumë zhurmë, pak arra.
Ka edhe disa pika të diskutueshme. Hahni e quan një varg nga Rikardi III “të parregullt” pasi numëron rrokjet, por ai është në të vërtetë krejtësisht i rregullt dhe fillon me një anapest (da-da-DUM). Po kështu, kur Zhulieta i thotë Romeos You kiss by th’book, Hahni e interpreton këtë si një vërejtje miratuese për “dashurinë e tij formale,” por ajo me siguri po i hedh një sfidë flirti. Dhe - kjo, duke qenë më shumë faj i botuesit sesa i autorit - libri është botuar, çuditërisht, pa indeks.
Megjithatë, gjithçka falet për kënaqësinë dhe kureshtjen e pashtershme që shpërfaqin këto faqe. “Te Shekspiri, njerëzit trishtohen me saktësi,” shkruan Hahn me entuziazëm. Dhe, ai është gjithashtu mjaft thumbues ndaj disa “përkthyesve” letrarë që arrijnë të prodhojnë versione të reja në anglisht të veprave të Çehovit apo Ibsenit pa e ditur fare gjuhën burimore. Sipas tij, ky proces është “një lloj lustrimi elitist i një përkthimi të ashtuquajtur 'literal.'” Në fund të librit, Hahni ka treguar bindshëm jo vetëm thesaret e gjuhëve të tjera, por edhe pasurinë e pashtershme dhe çuditërisht të thellë të vetë Shekspirit. /Telegrafi/



































