Si ndalen sulmuesit më të mirë të Botërorit? Perspektiva e një mbrojtësi


Një Kupë Bote bëhet gjithmonë më e veçantë kur yjet më të mëdhenj të futbollit tregojnë klasën e tyre në skenën më të madhe.
Javën e kaluar, katër prej sulmuesve më të frikshëm të futbollit botëror dhanë një sinjal të qartë për rivalët.
Kylian Mbappe shënoi dy gola në fitoren 3-1 të Francës ndaj Senegalit, Erling Haaland iu përgjigj me një dygolësh në suksesin 4-1 të Norvegjisë kundër Irakut, Lionel Messi realizoi një het-trik në triumfin 3-0 të Argjentinës ndaj Algjerisë, ndërsa Harry Kane kontriboi me dy gola në fitoren 4-2 të Anglisë kundër Kroacisë.
Por si mund të ndalen këta sulmues? Ish-mbrojtësi i Evertonit dhe Uellsit, Ashley Williams, ka analizuar sfidën që paraqet secili prej tyre.
Messi – Duhet ta orientosh drejt zonave më pak të rrezikshme

Edhe pse mbush 39 vjeç këtë javë, Lionel Messi vazhdon të dominojë ndeshjet si në kulmin e karrierës së tij.
Me tre golat ndaj Algjerisë, ai barazoi rekordin e Miroslav Klose si golashënuesi më i mirë në historinë e Kupës së Botës me 16 gola.
Sipas Williams, ndalimi i Messit nuk është detyrë e një lojtari të vetëm.
“Është një punë kolektive. Si mbrojtës, shpesh shpreson edhe te pak fat. Duhet të mbulosh çdo mundësi dhe të përpiqesh ta orientosh në zona ku është më pak i rrezikshëm”, shpjegon ai.
Megjithatë, edhe kjo është më lehtë të thuhet sesa të bëhet. Messi ka kontroll të jashtëzakonshëm të topit, ekuilibër perfekt dhe aftësinë për të ndryshuar ritmin e lojës në çdo moment.
“Edhe kur përpiqesh ta shtysh drejt këmbës më të dobët, ai gjen mënyrën për të marrë kontrollin e situatës”, shton Williams.
Mbappe – Duhet të qëndrosh i përqendruar çdo sekondë

Ashley Williams ka luajtur kundër Mbappes në vitin 2017, kur francezi ishte vetëm 18 vjeç.
“Mbappe është më direkt se Messi. Ai sulmon me shpejtësi të jashtëzakonshme dhe çdo lëvizje e tij bëhet me intensitet maksimal”, thotë ish-mbrojtësi.
Sipas tij, avantazhi i vetëm është se ritmi i Mbappes është më i parashikueshëm sesa ai i Messit.
“Kur përballesh me të, mbetesh i fokusuar në të njëjtin ritëm gjatë gjithë kohës. Messi të ngadalëson dhe më pas të surprizon, ndërsa Mbappe të sulmon vazhdimisht me shpejtësi”.
Megjithatë, problemi i Francës nuk është vetëm Mbappe. Lojtarë si Michael Olise dhe Ousmane Dembele krijojnë vazhdimisht hapësira dhe rrezik.
“Nëse fokusohesh vetëm te Mbappe, lojtarët e tjerë do të të ndëshkojnë. E gjithë skuadra duhet të mbrojë si një njësi e vetme”, thekson Williams.
Haaland – Ndalo pasimet para se të arrijnë tek ai

Nëse Messi dhe Mbappe mund të krijojnë vetë raste, Erling Haaland është ndryshe.
“Ai të mund pa e prekur topin. Kjo e bën jashtëzakonisht të rrezikshëm”, shpjegon Williams.
Forca kryesore e norvegjezit është lëvizja në hapësira dhe shfrytëzimi i çdo centimetri pas mbrojtjes kundërshtare.
“Gjëja e parë që duhet të bësh është të ndalosh pasimet në thellësi. Nëse topi nuk arrin te Haaland, ke bërë gjysmën e punës”.
Williams shton se Haaland është ndoshta më vdekjeprurësi nga të gjithë kur i krijohet një rast i pastër.
“Nëse ai merr një mundësi për të shënuar, zakonisht përfundon me gol.”
Në duelet një kundër një, këshilla e tij është e thjeshtë: “Qëndro afër, mos u përpiq të bëhesh i zgjuar dhe largoje topin sa më shpejt”.
Kane – Mos i jep hapësirë për të goditur

Harry Kane nuk është më sulmuesi i viteve të para te Tottenhami. Sot ai është një lojtar shumë më i kompletuar, që shpesh zbret në mesfushë për të ndërtuar lojën.
“Dikur ishte më i shpejtë dhe kërkonte më shumë hapësirat pas mbrojtjes. Tani përdor inteligjencën, pasimet dhe vizionin e tij”, thotë Williams.
Megjithatë, cilësia që e dallon më shumë është finalizimi.
“Goditja e Kane mund të jetë më e mira ndër të gjithë këta sulmues. Nëse e lejon të godasë, rreziku është maksimal”.
Për këtë arsye, Williams sugjeron që mbrojtësit të mos e ndjekin vazhdimisht kur ai zbret në mesfushë.
“Kur Kane largohet nga zona, detyra duhet t’i kalojë mesfushorëve. Mbrojtësit duhet të ruajnë pozicionin dhe të jenë gati për vrapimet e lojtarëve të tjerë”.
Sipas tij, rreziku më i madh për kundërshtarët e Anglisë nuk është vetë Kane, por hapësirat që ai krijon për lojtarë si Jude Bellingham, Noni Madueke dhe Anthony Gordon.
“Vrapimet pas shpinës së mbrojtjes janë arma më e fortë e Anglisë. Ato duhet të jenë prioriteti kryesor për çdo skuadër që përballet me ta”, përfundoi Williams. /Telegrafi/







































