Italia po synon një emër të madh për stolin e kombëtares, pasi dështimi për t'u kualifikuar në Kupën e Botës 2026 ka detyruar Federatën Italiane të Futbollit të nisë një proces të ri rindërtimi.

Katër herë kampionët e botës mbetën jashtë turneut më të madh të futbollit pasi u eliminuan në ndeshjen e play-offit nga Bosnja dhe Hercegovina pas penalltive, duke zgjatur mungesën e tyre nga Kupa e Botës që nga Brazili 2014.


Drejtori teknik i Federatës Italiane, Paolo Maldini, ka konfirmuar se janë zhvilluar kontakte me dy nga trajnerët më të suksesshëm të futbollit modern, Pep Guardiola dhe Carlo Ancelotti.

Në një konferencë për media nga selia e Serie A në Milano, Maldini pranoi se të dy teknikët kanë qenë pjesë e diskutimeve të para.

“Guardiola? Nuk mund të japim më shumë detaje, por e keni identifikuar një nga objektivat tanë. Gjithashtu kemi biseduar edhe me Ancelottin”.

“Na u duk e drejtë ta nisim me trajnerët më të mirë në botë, por duhet të verifikojmë disponueshmërinë e tyre”, deklaroi Maldini.

Guardiola konsiderohet si objektivi kryesor i Italisë. Trajneri spanjoll i dha fund aventurës së tij 10-vjeçare te Manchester City dhe aktualisht ndodhet në një vit pushimi nga futbolli.

Ndërkohë, rikthimi i Carlo Ancelottit në Itali duket më i vështirë, pasi ai rinovoi kontratën me Brazilin deri në vitin 2030, pavarësisht eliminimit të Seleçaos në fazën e 1/8 së finales të Kupës së Botës.

Megjithatë, drejtuesit italianë nuk e kanë përjashtuar asnjërën mundësi dhe kanë zhvilluar takime me Guardiolën për të kuptuar gatishmërinë e tij dhe për të hedhur bazat e një marrëveshjeje të mundshme.

Federata Italiane e Futbollit synon të shmangë mungesën e katërt radhazi në Kupën e Botës në vitin 2030 dhe ta rikthejë kombëtaren në elitën e futbollit botëror.

Paralelisht, po shqyrtohen edhe alternativa të tjera si Antonio Conte, Roberto Mancini dhe Andrea Pirlo.

Maldini theksoi se prioriteti është zgjedhja e trajnerit të duhur, edhe nëse kjo do të thotë të pritet disa ditë më shumë.

“Në mënyrë ideale, trajneri i ri duhet të emërohet gjatë kësaj jave, por është edhe më e rëndësishme të presim personin që ne e dëshirojmë vërtet. Ka urgjencë, por jo aq sa të marrim një vendim të nxituar”, përfundoi ai./Telegrafi/

telegrafi sport app