Një person është gjetur pa shenja jete të mërkurën mbrëma në banesën e tij në qytetin e Gjilanit.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, i cili ka bërë të ditur se viktima ishte i lindur në vitin 1988.


“Me datën 23.07.2026, rreth orës 18:26, kemi pranuar informacion se në banesën e tij në qytetin e Gjilanit është gjetur pa shenja jete një person mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, i lindur më 1988. Njësitet relevante policore së bashku me Prokurorin e Shtetit dhe ekipin emergjent kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar se personi është pa shenja jete”, ka deklaruar Osmani.

Sipas tij, bazuar në hetimet e deritanishme, nuk ka dyshime për elemente të veprës penale të vrasjes.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë do të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.

Ndërkohë, hetimet janë duke vazhduar nga hetuesit policorë të Njësisë së Hetimeve Rajonale në Gjilan, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, me qëllim të ndriçimit dhe sqarimit të plotë të rrethanave të rastit./Telegrafi/