Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka kritikuar ashpër partitë opozitare për mënyrën se si kanë menaxhuar procesin e zgjedhjes së presidentit, duke thënë se veprimet e tyre vetëm sa i kanë shërbyer kryeministrit Albin Kurti.

Në “Përballje Podcast”, Molliqaj vuri në pikëpyetje strategjinë e opozitës për të negociuar me Kurtin pas zgjedhjeve, në një kohë kur e njëjta e akuzon atë për qasje autoritare.


“Pse me negociu mas zgjedhjeve? Pse, a po mendojnë që ka ndërru Albini? Nëse po thoni që është pushtet autoritar, qysh doni me negociu me të?, deklaroi ai, shkruan Telegrafi.


- YouTube youtu.be

Sipas tij, opozita ka bërë gabim që në fillim duke hyrë në negociata për çështjen e presidentit, në vend që ta refuzonte procesin.

Ai shtoi se, sipas bindjes së tij, Kurti ka synuar një president që i shërben atij politikisht.

“Unë kam besu që partitë opozitare është dashur mos të flasin fare me kryeministrin Kurti për çështjen e presidentit. Ka qenë e qartë që ai don një president i cili i shërben atij edhe më shumë sesa Vjosa Osmani,” tha ai.


Molliqaj theksoi se mënyra se si opozita e ka menaxhuar procesin politik ka ndikuar drejtpërdrejt në perceptimin publik.

“Mënyra qysh e kanë menaxhu partitë opozitare vetëm sa ia kanë mundësu Kurtit me u dokë që nuk është fajtori i kësaj krize,” deklaroi ai.

Sipas tij, për shkak të këtij qasjeje, një pjesë e madhe e opinionit publik mund ta fajësojë pikërisht opozitën.

“Ky i ka bind popullin për idenë e vet, e cila për bindjen tonë është ide e rrezikshme,” u shpreh ai. /Telegrafi/