SHBA: Ngërçi po i kushton Kosovës, ka ardhur koha që liderët t’i japin përparësi progresit dhe stabilitetit


Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, pret që Kosova të formojë shpejtë institucionet e reja pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit 2026.
Misioni diplomatik, tha për Kallxo se ngërçi politik po i kushton Kosovës me humbje të mundësive.
“Ky ngërç i vazhdueshëm politik po i kushton Kosovës me mundësi të humbura. Ka ardhur koha që udhëheqësit t’i japin përparësi progresit dhe stabilitetit, në të mirë të të gjithë qytetarëve”- thuhet në përgjigjen e ambasadës.
Udhëheqësit politikë të Kosovës, sipas Ambasadës amerikane duhet të punojnë së bashku për formimin e institucioneve në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Qytetarët e Kosovës presin nga liderët e tyre që ta përmbushin zotimin për të vepruar në interesin më të mirë të vendit” – thekson kjo ambasadë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) planifikon që rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, t’i shpallë më 26 qershor, ndërkaq certifikimin e tyre ta bëjë deri më 6 korrik.
Zgjedhja e presidentit të ri mbetet një nga sfidat më të mëdha pas përfundimit të procesit zgjedhor. Derisa disa parti janë në pritje të certifikimit të rezultatit zgjedhor për të hapur diskutimet e brendshme, ka nga to që hyjnë në këtë proces me emër konkret. Nëse Kuvendi konsituohet shpejt, deputetët e rinj do të kenë 60 ditë afat për ta zgjedhur kreun e vendit.
Ndërkohë, rezultatet preliminare të zgjedhjeve të parakohshme tregojnë se asnjë subjekt politik nuk ka dalë me fuqi të mjaftueshme për t’i ndërtuar i vetëm institucionet e reja, ndërsa zgjedhja e presidentit shihet si sfida kryesore që do të kërkojë marrëveshje ndërmjet partive.
Zgjedhjet e parakohshme u mbajtën pasi Kuvendi dështoi ta zgjedhë presidentin e vendit brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Në seancën e fundit, e cila kishte nisur më 27 prill dhe përfundoi më 28 prill, nuk pati kuorum për votim.
Ndonëse juridikisht nuk ka një dispozitë të prerë që përcakton se cili proces duhet të ketë përparësi absolute, në një rast të tillë kur Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se 60 ditë është afati për zgjedhjen e presidentes, njohësit e Kushtetutës dhe çështjeve ligjore vlerësojnë se, për shkak të afateve dhe rrezikut nga vakumi institucional, zgjedhja e kryetarit të shtetit duhet të jetë prioriteti kryesor.
Paragrafi numër 182 i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të datës 25.03.2026, specifikon se Kuvendi ka në dispozicion afatin gjashtëdhjetë (60) ditor përpara hyrjes në periudhën tridhjetë (30) ditore të përcaktuar me paragrafit 2 të nenit 86 të Kushtetutës.
Megjithatë, sipas aktgjykimit, në kontekst të rrethanave të rastit, ndërlidhur me afatin e përcaktuar kushtetues të zgjedhjes së Presidentit kur nuk ka Kuvend të konstituuar dhe funksional dhe duke iu referuar qëllimit të normave kushtetuese, “Gjykata vlerëson se procedura për zgjedhjen e Presidentit duhet të fillojë nga dita e konstituimit të Kuvendit dhe të përfundojë më së largu brenda gjashtëdhjetë (60) ditëve nga dita e fillimit të procedurës për zgjedhjen e Presidentit.”
100% e votave të partive janë numëruar nga vendvotimet e rregullta nëpër Kosovë. Rreth 100 mijë vota nga jashtë vendit dhe vota me kusht mund të shpërndajnë edhe pesë mandate të tjera.
Sidoqoftë, bazuar në rezultatet preliminare, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), me 42.91% të votave, pritet t’i sigurojë 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Krahasuar me përbërjen e saj parlamentare pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, LVV deri më tani rezulton me nëntë mandate më pak.
Partia e dytë sërish del të jetë Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila me 21.12% të votave do të ketë 24 deputetë. Përndryshe herën e kaluar, PDK i pati 22 deputetë.
Ndërkaq, partia e tretë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17.58% të votave do të ketë 20 deputetë. LDK ka shtuar pesë deputetë në raport me zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.
Një ngritje të dukshme e përjetoi Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Me 7.16%, kjo parti do të ketë 8 deputetë. Përndryshe, në zgjedhjet e kaluara i ka pasur gjashtë deputetë.
20 ulëset tjera janë ndarë për komunitetet joshumicë. 10 prej tyre për komunitetin me shumicë serbe dhe 10 të tjera për komunitetet shumicë joserbe.
Deri më tani Lista Serbe ka 6,18% të votave. Kurse, partia e Nenad Rashiqit, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë ka 0,76%.
Ndërkaq, nga komunitetet joshumicë joserbe më lartë qëndrojnë Partia Demokratike Turke, Koalicioni Vakat, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (egjiptiane), Unioni Socialdemokrat (boshnjake) Partia e Re Demokratike (boshnjake), Partia Socialdemokrate të Ashkalinjve, Partia Liberale Egjiptiane, Partia Gorane e Adem Hoxhës.




































