LAJMI I FUNDIT:

Shtrenjtohen çmimet e importit në Kosovë

Shtrenjtohen çmimet e importit në Kosovë

Indeksi i Çmimeve të Importit në Kosovë u ngrit me 1.3 për qind në tremujorin e dytë të 2019-së krahasuar me tremujorin e parë të po këtij viti. Kështu thuhet në raportin “Indeksi i Çmimeve të Importit, tremujori i dytë 2019”, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Sipas ASK-së, ngritje më të mëdha të çmimeve ishin te lëkura dhe artikujt prej saj me 8.9 për qind, prodhimet bimore me 8.4 për qind, prodhimet minerale me 4.5 për qind, shtazët e gjalla dhe prodhimet e shtazëve me 2.6 për qind, artikujt e ndryshëm të prodhuar për 2.2 për qind, mjetet e transportit me 1.3 për qind dhe plastika, kauçuku e artikujt prej tyre me 1.2 për qind.


“Ngritja u neutralizua nga rënia e çmimeve sipas sektorëve tek instrumentet optike, fotografike, matëse, medicinale dhe muzikore, si dhe mekanizmat e orës 20 për qind, tekstili dhe artikujt prej tij 3.3 për qind, letra dhe artikujt prej saj për 1.3 për qind, druri dhe artikujt prej tij 0.4 për qind dhe këpucët me 0.3 për qind”, thuhet në raportin e ASK-së, përcjell Telegrafi.

Ndërkaq, krahasuar tremujorin e dytë 2019 me tremujorin e dytë të 2018-së, çmimet e importit u ngritën në një mesatare prej 3.9 për qind.

“Ngritje më të mëdha sipas sektorëve ishin te lëkura dhe artikujt prej saj me 26.8 për qind, prodhimet minerale me 19.1 për qind, shtazët e gjalla dhe prodhimet prej shtazëve me 12.5 për qind dhe prodhimet bimore me 10.9 për qind. Ngritja u neutralizua nga rënia e çmimeve sipas sektorëve tek instrumentet optike, fotografike, matëse, medicinale dhe muzikore dhe mekanizmat e orës për 14.3 për qind, tekstili dhe artikujt prej tij 11.8 për qind, pajisjet e makinerisë dhe pajisjet elektrike me 2.5 për qind dhe vajrat ushqyese me 1.9 për qind”, përfundon raporti. /Telegrafi/