Statistikat e ASK-së: Rriten përdoruesit e telefonisë mobile, bien fluturimet në maj


Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar statistikat e transportit dhe telekomunikimit për muajin maj 2026, të cilat tregojnë rritje të numrit të përdoruesve të telefonisë mobile dhe fikse, ndërsa është shënuar rënie në transportin ajror.
Sipas ASK-së, gjatë muajit maj janë realizuar 1.099 fluturime, ose 6 për qind më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Po ashtu, numri i përgjithshëm i udhëtarëve ka rënë në 366.360, që paraqet një ulje prej 4 për qind në raport me majin 2025.
Në këtë periudhë, numri i udhëtarëve në ardhje ishte 183.302, ndërsa i atyre në shkuarje 183.058.

Sa i përket transportit hekurudhor, ASK njofton se numri i udhëtarëve arriti në 8.628, duke shënuar rritje prej 1.6 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Ndërkohë, përmes hekurudhës janë transportuar 182 tonë mallra.
Në sektorin e telekomunikimit, numri i përdoruesve të rrjetit të telefonisë fikse ka arritur në 70.816, ose 3.4 për qind më shumë se në maj 2025. Megjithatë, trafiku i realizuar në telefoninë fikse ka rënë me 4.1 për qind, duke zbritur në 1.789.637 minuta.

ASK ka bërë të ditur gjithashtu se numri i përdoruesve të telefonisë mobile me parapagim (Prepaid) ka arritur në 1.516.860, duke shënuar rritje prej 2.72 për qind në baza vjetore.
Ndërkohë, numri i përdoruesve të telefonisë mobile me kontratë (Postpaid) është rritur në 318.946, ose 1.65 për qind më shumë krahasuar me majin e vitit 2025.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, këto të dhëna paraqesin ecurinë mujore të sektorëve të transportit ajror, hekurudhor dhe telekomunikimit në vend. /Telegrafi/





































