LAJMI I FUNDIT:

Shqipëria U-21 luan pa gola kundër Islandës U-21

Shqipëria U-21 luan pa gola kundër Islandës U-21

Shqipëria e 21 vjeçarëve ishte e pafat në Elbasan Arena përballë Islandës në ndeshjen e katërt eliminatore të Evropianit, e vlefshme për Grupin 2.

Shumë raste të shpërdoruara dhe një volum i madh loje nga kuqezinjtë që nuk arritën ta kalonin vijën fatale përballë nordikëve në një ndeshje të dominuar nga skuadra e Alban Bushit. Asnjë gol dhe shumë raste të shpërdoruara nga Abazaj e Mustafa, tregues i faktit se kjo skuadër ka ende nevojë për kolaudim edhe pse sinjalet janë pozitive dhe vendi i dytë në grupin eliminator mbetet ende një objektiv i arritshëm.


Shumë grinte dhe dëshirë, është një skuadër e mbushur me talente dhe ide ajo e Alban Bushit që kërcënoi me Kristal Abazajn që në minutën e 10. Sulmuesi i Luftëtarit tregoi gjithë klasin e tij por rrezja e finalizimit ishte e imituar dhe ai nuk mundi të shënjestronte portën, ndërsa Bare dhuroi një asist për Mustafën por ky i fundit u ndal nga portieri dhe topi përfundoi në këmbët e Abazajt që u tregua sërish i pasaktë, transmeton SuperSport.

Pak çaste më vonë Haraldson përfitoi nga përgjumja e mbrojtjes kuqezi duke e parë veten ballë përballe Selmanit por gardiani i Laçit i mohoi kënaqësinë e golit. Asnjë moment frymëmarrje në fushën e blertë, sepse Mustafa reagoi me një goditje nga jashtë zonës, ndërsa Hardaldson tentoi të kapte në befasi Selmanin që u kundërpërgjigj sërish me mjeshtëri.

Me gazin në maksimum dhe me një tjetër rast të artë e mbylli Shqipëria pjesën e parë ku i përhershmi Abazaj provoi me një goditje nga e djathta e sulmit, por Olafson e devijoi topin jashtë. Sulmuesi tropojan ishte një kërcënim i vërtetë për mbrojtjen islandeze por në të 57-ën gaboi rëndë në finalizim duke i mohuar skuadrës së Bushit një gol pothuajse të shënuar.

I papërmbajtshëm Abazaj që kërkoi të korrigjohej dy minuta më vonë por topi përfundoi ngjitur me shtyllën. Selmani u shfaq sërish në rolin e heroit 14 minuta nga fundi teksa grushtoi jashtë goditjen e Gudmundson.

E pabesueshme, porta e islandezëve nuk u prek as në minutën e fundit kur Ramadani mund të kishte marrë maksimumin nga një goditje që përfundoi jashtë. Islanda e mbylli ndeshjen me 10 futbollistë pasi Sigurgeursion u ndëshkua me të kuq, por tri minutat shtesë nuk ndryshuan asgjë pavarësisht këmbënguljes së kuqezinjve që e mbyllin këtë sfidë me një pikë të fituar që i ngjit në vendin e katërt të Grupit 2 me pesë pikë pas, Spanjës, Irlandës së Veriut dhe Sllovakisë.