Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte ka deklaruar se ka folur me presidentin e Rumanisë këtë mëngjes.

Rusia ka goditur “aksidentalisht” një ndërtesë banimi në shtetin rumun dhe kjo ka nxitur reagime të ashpra ndërkombëtare.


“E siguroi për solidaritetin absolut të NATO-s me Rumaninë dhe shprehu ngushëllime për të lënduarit në incident”, tha ai dhe shtoi se “afirmova se NATO është e gatshme të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit aleat”.

Rumania është anëtare e aleancës dhe është goditur nga një dron rus, siç është raportuar.

Rutte paralajmëroi gjithashtu se “sjellja e papërgjegjshme e Rusisë është rrezik për të gjithë ne”, duke përdorur të njëjtën gjuhë si udhëheqësi i Moldavisë më herët.

“Nata e kaluar tregoi edhe një herë se pasojat e luftës së tyre të paligjshme të agresionit nuk ndalen në kufi”, shtoi Rutte.

“Lufta e Rusisë duhet të përfundojë, si dhe shpërfillja e saj për sigurinë e civilëve. Nga ana jonë, ne do të vazhdojmë të forcojmë parandalimin dhe mbrojtjen në vendet tona dhe të mbështesim Ukrainën në mbrojtjen kundër agresionit rus”, përfundoi holandezi.

Kujtojmë se Rumania është anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian.

Sipas Nenit 5, një sulm ndaj një anëtari konsiderohet sulm ndaj të gjithë aleancës. Por situata nuk është aq e thjeshtë.

Kur një shtet anëtar i NATO-s aktivizon Nenin 5, aleatët mund të ofrojnë çdo formë ndihme që e konsiderojnë të nevojshme për t’iu përgjigjur situatës.

Kjo nuk do të thotë automatikisht ndihmë ushtarake dhe secili aleat vendos vetë se çfarë veprimi e konsideron të nevojshëm.

Më pas, ajo ndihmë koordinohet së bashku me pjesën tjetër të aleancës.

Ky nen është aktivizuar vetëm një herë në histori, pas sulmeve të 11 shtatorit, për t’i ardhur në ndihmë Shteteve të Bashkuara në vitin 2001. /Telegrafi/