LAJMI I FUNDIT:

Serbia 2022, rraskapitja nga Moska dhe barrikadat antiperëndimore

Serbia 2022, rraskapitja nga Moska dhe barrikadat antiperëndimore
Ilustrim

Me kapacitetin e ekspertit të angazhuar për çështjet e sigurisë kombëtare, rajonit dhe NATO-s, po paraqes një vlerësim strategjik, të fokusuar në ngjarjet madhore dhe gjendjen e sigurisë (Serbi–Kosovë), gjatë vitit 2022 si dhe pritshmëritë për 2023. Por, për ta bërë lehtësisht të kuptueshme, po e trajtoj në një spektër më të gjerë se Ballkani Perëndimor, ku padyshim lufta në Ukrainë përbën qendrën e gravitetit të zhvillimeve gjeopolitike në 30 vitet e fundit.

Viti 2022 konfirmoi se paqja, sovraniteti dhe siguria nuk janë dhurata të përjetshme, ndërsa agresioni ushtarak i Rusisë putiniste nuk ishte/është vetëm kundër tërësisë territoriale të një vendi sovran (Ukrainës), por siç e nënvizoi Presidenti Zelensky në fjalën e tij historike në Kongresin amerikan: “Mbetet edhe një kërcenim serioz ndaj rendit dhe mekanizmave të sigurisë globale, ndaj vlerave perëndimore si dhe interesave Euroatlantike (ShBA/NATO/BE)”! Prandaj, barometri i sigurisë në Ballkanin Perëndimor gjatë vitit 2022 ishte i ndërthurur me luftën në Ukrainë si dhe u dominua nga përpjekjet e Kremlinit për të ndezur një front/zjarr antiperëndimor në këtë rajon.

Me konkretisht, viti 2022 nisi me premisat e destabilitetit të Bosnje-Hercegovinës dhe u dominua me kërcënimet e Beogradit ndaj sovranitetit të Republikës së Kosovës. Serbia e nisi vitin 2022 me ekspozimin (për më keq nën inspektimin poshtërues të Ambasadorit rus në Beograd!) e mbi 80 për qind të fuqisë ushtarake (tanke, Mig-29 dhe raketa ruse) në kufijtë e një vendi sovran, Republikës së Kosovës; vijoi me bojkotimin nga Lista Serbe të Kuvendit, policisë dhe zyrtarëve të angazhuar në institucionet e Kosovës, si dhe përmbylli vitin 2022 me mbështetjen delikuente të barrikadave të krimit të organizuar (jo vetëm në Serbi) dhe ultra-nacionalistëve në veri të Kosovës (të cilat u hoqën nga KFOR-i, në ditët e para të vitit 2023).

Vitit 2022 provoi të dështuar armatosjen deri në dhëmbë (një miliard euro buxheti i mbrojtjes vetëm për vitin 2022) dhe në sfidën e dominimit të balancave të fuqisë ushtarake në ajër, që jo vetëm kërcënon paqen, por dhe sfidon interesat e ShBA-së dhe NATO-s në rajon. Gjatë vitit 2022 u demaskua me riciklimin opsionit të luftës edhe pas humbjes turpëruese (24 vjet më parë), duke kërcënuar me ndërhyrje ushtarake ndaj tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës në kufijtë që, për sa kohë të këtë prezencë ushtarake në terren, mbetet nën përgjegjësinë e KFOR-it qysh prej nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës (9 qershor 1999) mes palës fituese (NATO) dhe palës humbëse (Forcat e Armatosura të Serbisë).

Po ashtu, gjatë 2022 u demaskuan përpjekjet delirante të Serbisë për të pirë nga tri nëna (Moska, Brukseli dhe Pekini), të tilla si marrëveshja me Kinën në fushën ushtarake për raketat e gjeneratës së fundit FK-3 etj. Kulmi këtij vasaliteti arrin kur ambasadori i Rusisë në Beograd, Kharchenko, ka “guxuar” për t’i kërkuar Serbisë të mos marrë pjesë në asnjë konferencë ndërkombëtare, në të cilën s’do të jetë e pranishme Federata ruse. Gjate vitit 2022, u demaskua qasja e Beogradit zyrtar që pas çdo riciklimit të tensionit në veri të Kosovës akuzonte qeverinë e Prishtinës se po kërcënohej “ekzistenca e pakicës serbe” si dhe ultranacionalistët shqiptarë si fitili i fuçisë së luftës ballkanike, krejt si dy pika uji me ato që Rusia përdori në 2014 në Krime dhe shkurt 2022, për të justifikuar sulmin ushtarak ndaj sovranitetit të Ukrainës.

Gjatë vitit 2022, “kostumin perëndimor” të z. Vuçiç mbi kufijtë e rinj shtetërorë dhe trimërimin pas lufte për (mos) njohjet e Kosovës, kurrsesi nuk mundet ta trembin fuqinë e sprovuar të NATO-s, por vetëm rrezikojnë agjendën e integrimit të Serbisë drejt BE-së. Gjithsesi, duhet pranuar që 10 vitet e fundit z. Vuçiç ia ka dalë deri diku me sukses që të vesh kostumin e perëndimorit duke dominuar agjendën personale, kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe duke u rrëshqitur përgjegjësive të pushtuesit dhe të bëjë edhe viktimën. Ashtu si Moska në Ukrainë, gjatë vitit 2022 dështuan edhe përpjekjet e Beogradit Zyrtar për të testuar kohezionin mes 30 vendeve të NATO-s, të cilat si përgjigje kanë konfirmuan njëzëri se: Kur kërcënohet paqja, kufijtë e rendit demokratik dhe interesat Euroatlantike nuk bëjnë kompromise të asnjë lloji.

Gjatë vitit 2022, Beogradi zyrtar e kaloi vijën e kuqe të mirëbesimit me nënshkrimin në Nju-Jork të marrëveshjes së partneritetit strategjik me Rusinë, duke e rreshtuar Serbinë krah pesë shteteve terroriste. Prandaj, pa u tharë boja e kësaj Marrëveshje, mori përgjigje rezolutën e Parlamentit Evropian: BE të vijojë negociatat e anëtarësimit me Serbinë vetëm nëse ky vend u përmbahet sanksioneve kundër Rusisë. Ndërsa, sapo ka nisur 2023, Beogradi ka marrë dy mesazhe të forta nga dy vende me peshë kritike: (1) I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin: Qëndrimi i Berlinit është se Serbia nuk mund të bëhet anëtare e BE, pa e njohur Kosovën; (2) Përfaqësuesi i Britanisë së Madhe, John Howell, në selinë e Këshillit të Evropës, konfirmoi: Kosova nuk duhet të mbahet peng në raport me progresin në dialogun e udhëhequr nga BE-ja (kujtojmë se Kosova e ka dorëzuar kërkesën për anëtarësim në KE, në maj të vitit 2022).

Në shtesë, kjo listë e vasalitetit të tejskajshëm ndaj Moskës si dhe rraskapitja e Beogradit zyrtar mbas barrikadave të krimit, u pranua edhe nga vetë presidenti serb, z. Vuçiç, i cili në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit ndër të tjera theksoi: Serbia po përballet me një vit (2023) nga më të vështirat në historinë moderne në aspektin politik dhe ekonomik, pasi e vetmja gjë për të cilën të gjithë liderët Euroatlantik janë interesuar, janë sanksionet kundër Rusisë dhe pavarësia e Kosovës.

Thënë sa më lart, radikalizimi i Beogradit zyrtar gjatë vitit 2022, shpërdorimin për agjendën e Kremlinit e deri tek opsioni i luftës ndaj NATO-s e çmoj si kërcënim ndaj vetvetes/Serbisë, por edhe stabilitetit demokratik në vendet e Rajonit. Për më tepër, humbjet dhe rraskapitja e Rusisë në Ukrainë, pa mëdyshje do të reflektojnë edhe në dobësimin gjeopolitik të Kremlinit, si rrjedhojë edhe të peshës së Serbisë në rajon. Kjo mund të konsiderohet si një rrethanë e favorshme për Kosovën, por dhe si oportunitet strategjik ndaj interesave kombëtare si dhe pozitën gjeopolitike të Shqipërisë në rajon.

Konsideruar këtë analizë, për vitin 2023 do t’i këshilloja vëllazërisht faktorët e Prishtinës zyrtare që kërcënimet e Beogradit ndaj integritetit të Kosovës, prezencës së NATO dhe agjendës antiperëndimore, t’i konsiderojnë si sfidë dhe përgjegjësi e lartë shtetërore për ndërtimin e Kosovës moderne përtej prezencës së NATO-s (që nuk do të jetë e përjetshme) ku qytetarët, pavarësisht përkatësive etnike, fetare dhe politike, të ndihen të barabartë para ligjit, si dhe faktorizimin e Kosovës nga konsumatorë në kontribuuese në dobi të paqes, stabilitetit demokratik dhe në integrimin euroatlantik të rajonit.

Në të njëjtën kohë, do të risugjeroja faktorët institucionalë në Tiranë dhe Prishtinë, që për interesa jetike kombëtare të përulen në gjunjë para historisë së përgjakshme dhe ardhmërisë Euroatlantike të Kosovës duke jetësuar një platformë të “mençur”: Dy shtete, një komb mbi sovranitetin, emergjencat civile, sigurinë kibernetike, mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave kombëtare. Thënë këtë, duhet garantuar ShBA, NATO dhe BE, dhe të tjerë faktorë të interesuar, se kjo qasje e vonuar nuk kërcënon, por do të kontribuojë si balancë racionale për paqen afatgjatë ndërmjet vendeve të rajonit.

Prandaj, përkundër riciklimit të luftës barbare 2022, besoj edhe me fortë se për 2023 paqja mbetet opsion dhe mision i vetëm, në mënyrë që siguria të perceptohet dhe konsumohet përtej historisë së përgjakshme, në interes të sigurisë së jetës, pronës, mirëqenies së qytetareve, stabilitetit të shoqërive demokratike edhe në gjashtë vendet e Ballkanit ende të paintegruara në BE. Me këtë rast, rikonfirmoj se edhe gjatë 2023 mbetem i përkushtuar, përulur dhe i përgjegjshëm për të kontribuar me eksperiencë dhe ekspertizë strategjike në mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave Kombëtare në rajon, Mesdhe dhe më gjerë.