36 orë pa ushqim: Çfarë ndodh me sheqerin në gjak, energjinë dhe trupin tuaj


Ekspertët paralajmërojnë se mënyra si e nisni dhe si e ndërprisni agjërimin ka shumë rëndësi
Agjërimi vitet e fundit është bërë një mënyrë gjithnjë e më e popullarizuar e të ushqyerit, por disa metoda përfshijnë periudha shumë më të gjata pa ushqim sesa agjërimi i zakonshëm me ndërprerje. Mjekët paralajmërojnë se agjërimet e zgjatura mund të ndikojnë në organizëm në mënyra të ndryshme dhe nuk janë të përshtatshme për të gjithë.
Mjeku, dr. Donald Grant, ka shpjeguar se çfarë ndodh gjatë një agjërimi 36-orësh.
“Pas 36 orësh, trupi me gjasë ka shpenzuar pjesën më të madhe të glukozës së disponueshme, që do të thotë se për energji do të fillojë të mbështetet në yndyrat e depozituara”, thotë dr. Grant për Unilad.
Ai shton se gjatë kësaj periudhe mund të ndodhë rënie e nivelit të sheqerit në gjak, gjë që mund të shkaktojë dhimbje koke, dobësi, lodhje, nervozizëm dhe vështirësi në përqendrim.
Edhe burime të tjera mjekësore paralajmërojnë se agjërimi i zgjatur ose kufizimi i fortë i vakteve mund të shoqërohet me lodhje, marramendje, dhimbje koke, ndryshime humori, irritim, të përziera dhe probleme me tretjen. Te personat me diabet, periudhat e gjata pa ushqim mund ta vështirësojnë kontrollin e sheqerit në gjak, sidomos nëse përdoren ilaçe që ndikojnë në nivelin e glukozës, transmeton Telegrafi.

Rreziqet dhe ndërprerja e sigurt e agjërimit
Sipas dr. Grantit, shumë simptoma që lidhen me agjërimin në fakt janë pasojë e dehidrimit.
“Është thelbësore të pini shumë lëngje, në mënyrë që gjithçka të kalojë sa më sigurt”, thekson ai.
Po ashtu, ai paralajmëron se agjërimi i zgjatur nuk është i përshtatshëm për çdo person.
“Agjërimi i zgjatur e vendos trupin nën stres, prandaj kushdo që ka sëmundje kronike, personat që marrin rregullisht ilaçe, si dhe gratë shtatzëna ose ato që ushqejnë me gji, duhet gjithmonë të kërkojnë këshillë mjekësore para se ta provojnë një agjërim të tillë”, thotë ai.
Kujdes i veçantë rekomandohet edhe për personat me diabet, ata që kanë histori të hipoglikemisë, personat me sëmundje kronike të veshkave ose të mëlçisë, si dhe për ata që kanë pasur ose kanë çrregullime të të ushqyerit. Në këto raste, agjërimi i zgjatur mund të sjellë më shumë rrezik sesa përfitim dhe nuk duhet të provohet pa këshillim mjekësor.
Dr. Grant thekson se agjërimi duhet të ndërpritet menjëherë nëse shfaqen simptoma më serioze.
“Personat që agjërojnë duhet ta ndërpresin menjëherë agjërimin nëse ndiejnë konfuzion, shenja të dehidrimit të theksuar ose nëse bëhen shumë të dobët”, këshillon dr. Grant.
Po aq e rëndësishme është edhe mënyra se si përfundon agjërimi. Edhe pse shumë njerëz, pas një periudhe të gjatë pa ushqim, mund të kenë dëshirë të hanë një vakt të bollshëm, dr. Grant rekomandon një qasje tjetër.
Për të shmangur të përzierat, të vjellat dhe problemet me tretjen, ai këshillon që agjërimi të ndërpritet me “një vakt të ekuilibruar”, duke vazhduar njëkohësisht t’i jepet përparësi hidratimit.
Ekspertët këshillojnë që pas një agjërimi të gjatë të mos kalohet menjëherë në ushqime shumë të rënda, të yndyrshme ose në sasi të mëdha. Më mirë është të nisni me një vakt të lehtë, të ekuilibruar, me proteina, karbohidrate cilësore, pak yndyra të shëndetshme dhe mjaftueshëm lëngje.
Agjërimi mund të jetë pjesë e disa mënyrave të të ushqyerit, por nuk duhet parë si metodë e sigurt për të gjithë. Personat që kanë sëmundje kronike, marrin terapi të përditshme ose kanë pasur probleme me të ushqyerit duhet të këshillohen me mjekun para se të provojnë agjërime të gjata. /Telegrafi/




































