LAJMI I FUNDIT:

Sa ndikoi rënia e Facebook-ut në bizneset kosovare?

Sa ndikoi rënia e Facebook-ut në bizneset kosovare?

Për më shumë se gjashtë orë, ditën e hënë nga sistemi ranë tri rrjetet sociale Facebook, Instagram dhe WhatsApp, këto tri platforma nuk ishin të qasshme për miliona përdorues nga e mbarë bota.

Rrjeti social Facebook fajësoi “një ndryshim të gabuar në konfigurim” për një bllokim gati gjashtë orësh që parandaloi tre miliardë e gjysmë përdoruesit e tyre që të hynin në mediat sociale dhe shërbimet e mesazheve si WhatsApp, Instagram dhe Messenger.


Megjithatë, pasi u rikthyen në funksion, Facebook përmes një njoftimi zyrtar, kërkoi falje të gjithë përdoruesve për atë se çfarë ka ndodhur.

“Ne kërkojmë falje për të gjithë ata që janë prekur dhe po punojmë për të kuptuar më shumë për atë që ndodhi sot, në mënyrë që të vazhdojmë ta bëjmë infrastrukturën tonë të tillë që e merr veten shpejt”, thuhej në njoftim.

E, rënia nga sistemi e këtyre tri platformave u vërejt edhe nga përdoruesit në Kosovë, të cilët u shprehën të shqetësuar për mos funksionimin e tyre.

Problemi në qasje të këtyre platformave më së shumti ka ndikuar edhe tek bizneset, të cilët marketingun e bëjnë në mënyrë digjitale.

Nektar Qarri nga kompania Hallakate, në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se e keqja e bizneseve është se nuk kanë prezencë online edhe në platforma tjera, përveç Facebook dhe Instagram.

“Pas problemeve që janë shfaqur dje në platformat Facebook, Instagram dhe Whatsapp, ka pasur një mosfunksionim të këtyre platformave edhe janë shfaqur shumë probleme sidomos në Kosovë duke e ditur se shumica e popullatës veç i përdor këto platforma, në të njëjtën kohë shumica e bizneseve kanë prezencë online në Facebook dhe Instagram. Mirëpo një e keqe  është këtu se nuk e kanë të shtrirë prezencën e tyre online në kanale të ndryshme të marketingut digjital, pra nuk janë prezent në platforma tjera përveç Facebook dhe Instagram, si dhe nuk kanë websajt”, ka thënë ai.

Qarri tha se bizneset duhet të përmirësojnë strategjinë e tyre, dhe të mos varen vetëm nga një kanal.

“Kjo përbën problem për shkak se nëse zgjatë më shumë kjo mbyllje e platformave atëherë shumica e bizneseve mbesin pa prezencë online fare, për me i evitu këto e mos me u varë prej një kanali të vetëm është mirë që bizneset me përmirësu strategjinë e tyre, duke ndërtuar sajtin e tyre, me i mbajt informatat zyrtare për blerje online, me qenë prezent edhe në platforma tjera si p.sh Telegrafi, ose Google, ku ofrojnë reklama online. Dhe në këtë mënyrë, prezenca është më e kompletuar, dhe nuk varesh vetëm prej një platforme nëse ka probleme, kjo nuk ndikon në shitje”, tha mes tjerash ai.

Ndryshe, largimi i Facebook-ut nga rrjeti global ishte goditja e dytë për atë gjigant të mediave sociale në disa ditë pasi një sinjalizues të dielën akuzoi kompaninë se shpesh favorizonte fitimet në vend që të shtypte gjuhën e urrejtjes dhe dezinformatat.

Ndërsa bota u mbush me aplikacione konkurruese si Twitter dhe TikTok, aksionet e Facebook ranë 4.9 për qind, rënia e tyre më e madhe ditore që nga nëntori i vitit të kaluar.

Më poshtë gjeni njoftimin e plotë të Facebook:

“Për të gjithë njerëzit dhe bizneset në të gjithë botën që varen nga ne, na vjen keq për shqetësimin e shkaktuar nga ndërprerja e sotme në platformat tona.

Ne kemi punuar sa më shumë që të jetë e mundur për të rivendosur qasjen, dhe sistemet tona tani janë duke u aktivizuar.

Shkaku themelor i kësaj ndërprerje gjithashtu ndikoi në shumë nga mjetet dhe sistemet e brendshme që përdorim në operacionet tona të përditshme, duke i ndërlikuar përpjekjet tona për të diagnostikuar dhe zgjidhur shpejt problemin.

Ekipet tona inxhinierike kanë mësuar se ndryshimet e konfigurimit në ruterët mbështetës që koordinojnë trafikun e rrjetit midis qendrave tona të të dhënave shkaktuan çështje që ndërprenë këtë komunikim.

Kjo pati një efekt kaskadues në mënyrën se si komunikojnë qendrat tona të të dhënave, duke i ndaluar shërbimet tona.

Shërbimet tona tani janë përsëri në internet dhe ne po punojmë në mënyrë aktive për t’i kthyer ato plotësisht në funksionimet e rregullta.

Ne duam ta bëjmë të qartë në këtë kohë ne besojmë se shkaku kryesor i kësaj ndërprerje ishte një ndryshim i gabuar i konfigurimit.

Ne gjithashtu nuk kemi dëshmi se të dhënat e përdoruesve janë komprometuar si rezultat i kësaj periudhe.

Njerëzit dhe bizneset në të gjithë botën mbështeten tek ne çdo ditë për të qëndruar të lidhur.

Ne e kuptojmë ndikimin e ndërprerjeve si këto në jetën e njerëzve dhe përgjegjësinë tonë për t’i mbajtur njerëzit të informuar në lidhje me ndërprerjet në shërbimet tona.

Ne kërkojmë falje për të gjithë ata që janë prekur dhe po punojmë për të kuptuar më shumë për atë që ndodhi sot, në mënyrë që të vazhdojmë ta bëjmë infrastrukturën tonë të tillë që e merr veten shpejt”. /Telegrafi/

Në trend Teknologji

Më shumë
Këto janë vendet ku TikTok tashmë është i ndaluar – dhe nuk janë pak

Këto janë vendet ku TikTok tashmë është i ndaluar – dhe nuk janë pak

Teknologji
Çfarë parashikohet me ndalimin e TikTok në SHBA dhe cilat vende mund të ndjekin një shembull të tillë?

Çfarë parashikohet me ndalimin e TikTok në SHBA dhe cilat vende mund të ndjekin një shembull të tillë?

Teknologji
Prezantohet printeri 3D më i madh në botë që mund të ndërtojë një shtëpi të vogël në vetëm 80 orë

Prezantohet printeri 3D më i madh në botë që mund të ndërtojë një shtëpi të vogël në vetëm 80 orë

Teknologji
X largon nga platforma pamjet e sulmit me thikë në kishën e Sidneit por një përdorues amerikan i riposton ato

X largon nga platforma pamjet e sulmit me thikë në kishën e Sidneit por një përdorues amerikan i riposton ato

Teknologji
Zhvillohet gara e parë midis një aeroplani luftarak me pilot njerëzor dhe një tjetri të kontrolluar nga Al

Zhvillohet gara e parë midis një aeroplani luftarak me pilot njerëzor dhe një tjetri të kontrolluar nga Al

Teknologji
Shikoni trailerin e vazhdimit të video-lojës

Shikoni trailerin e vazhdimit të video-lojës "Horizon: Forbidden West"

Lojëra
Kalo në kategori