LAJMI I FUNDIT:

Rukiqi: Brenda një dite po humbin 10 milionë euro për shkak të pandemisë së Coronavirusit

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, në prezantimin e masave për sektorin privat, deklaroi se janë 10 milionë euro dëme në ditë në vend për shkak të pandemisë së Coronavirusit.

Ai shtoi se, nëse kjo situatë zgjatë edhe tre muaj humbjet do të jenë deri në 1 miliard euro.


“Kjo është jashtëzakonisht shumë për ekonominë tonë nëse kjo zgjat deri në tre muaj që janë diku një miliard euro dëme në ekonominë e vendit që është pothuajse një e shtata e Prodhimit të Brendshëm Bruto”, tha ai.

Po ashtu, ai tha se rritja ekonomike pritet të bjerë deri në 1.5 për qind.

“Rritja ekonomike e parashikuar me 4.5 për qind do të ulet 1.5 për qind, gjendja është shumë serioze. Ne kemi kërkuar që propozimi të bëhet vendim dhe mjetet të futen menjëherë”, tha ai.

Kurse, kryesuesi i Kuvendit të OEK-ut, Ruzhdi Kurtishaj tha se mbrojtja e sektorit privat është jetësore.

“Sektori provat janë ata që mbajnë mbi supet e tyre mbi 300 mijë të punësuar. Tash është e qartë se situata e krijuar ka shkaktuar panik në treg she kjo reflektohet me rënien e kërkesës për produkte. Mbrojtja e sektorit privat është jetike për vendin”, tha Kurtishaj.

Ai shtoi se anëtarësia e OEK-ut ka kërkuar të sigurohen pagat nga qeveria për sektorin privat. /Telegrafi/