0Shares

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, të hënën ishte në takim me Ministrin e Ekonomisë të Maqedonisë, Kreshnik Bekteshi, ku diskutuan për projekte të përbashkëta në fushën e energjisë si dhe thellimi i bashkëpunimit mes Kosovës dhe Maqedonisë.

Ministri Lluka shprehu interes në projektin e gazifikimit pasi hap mundësi për zhvillimin e këtij rrjeti në të dy vendet, duke theksuar se shkëmbimi i përvojave në zhvillimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë do të ishte e dobishme për të arritur qëllimet brenda përmbushjes së kërkesave të Komunitetit të Energjisë.

“Përgatitja e projekteve të përbashkëta do t’u mundësojë dy vendeve prezantim të përbashkët para institucioneve të huaja financiare në mënyrë që të angazhohen fonde për realizimin e projekteve të përbashkëta”, u shpreh ministri Lluka.

Kreu i ekonomisë Maqedone, Kreshnik Bekteshi, tha se projekt aktual ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë është rivitalizimi i linjave 220kV drejt Kosovës.

“Në periudhën e ardhshme, projekti aktual për realizimi nga të dyja vendet është lidhja e sistemeve energjetike mes dy vendeve me rivitalizimin e linjave 220kV drejt Kosovës. Kjo do të nënkuptonte edhe një lidhje tjetër me sistemet energjetike të BE-së, sepse Kosova nëpërmjet Shqipërisë do të lidhet me Italinë, që do të thotë rritje e besueshmërisë në sistemin tonë të transmetimit të energjisë elektrike”, tha ministri Bekteshi

Ndër temat e diskutuara në këtë takim ishin termocentrali i Oslomejit dhe furnizimi i saj i mundshëm me thëngjill me kalori të lartë nga Kosova, pastaj HC Çebren dhe Galishtë, si balancues potencial në sistemet e elektroenergjetik në rajon, si dhe projektet investuese të të dyja palëve që nënkupton monitorimin e tranzicionit evropian të energjisë.

U diskutuan edhe mundësitë për zgjerim me projektin për sistemin e sistemit një sportel ndërsa operacionalizimi i disa prej projekteve të lartpërmendura mund të sjell edhe mbledhja e përbashkët mes Qeverisë së Maqedonisë dhe Qeverisë së Kosovës, planifikuar të mbahet kah mesi i këtij viti.

Pas përfundimit të takimit të punës ndërmjet delegacioneve të të dy vendeve, ministri Ministri Lluka dhe ministri Bekteshi nënshkruan edhe Memorandum mirëkuptimi në fushën e energjetikës, i cili pritet të intensifikojë marrëdhëniet dypalëshe në sektorin e energjisë, duke përcaktuar fushat prioritare për bashkëpunim të tillë si sektorin e energjisë elektrike, thëngjillin, gaz natyror, burime të ripërtëritshme të energjisë, efikasitetin energjetik, furnizim të sigurt me energji, si dhe përgatitja e projekteve të rëndësishme infrastrukturore për ndërlidhje me energji elektrike dhe gas dhe nisma të tjera projektuese.

Të dy ministrat ranë dakord që marrëdhëniet ndërfqinjësore midis Kosovës dhe Maqedonisë janë në nivelin më të lartë të mundshëm deri tani, të cilat duhet të shfrytëzohen për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat. /Telegrafi/

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)