Shtohet presioni gjerman pas deklaratës skandaloze për Kosovën të ministres serbe


Eurodeputeti gjerman nga radhët e Partisë Popullore Evropiane (EPP), Michael Gahler, është zyrtari i radhës që ka reaguar pas deklaratave skandaloze të ministres serbe, Snezhana Paunoviq, në lidhje me spastrimin etnik të Kosovës.
Përmes një postimi në “X”, ai ka thënë se deklaratat e një ministre të një vendi kandidat nuk mund të injorohen.
Gahler tha se pret që ajo të largohet nga detyra.
“Deklarime të këtilla nga një ministre e një vendi kandidat nuk mund të injorohen: më 11 korrik, ministrja serbe Paunoviq tha në një intervistë televizive se, sikur të kishte qenë në vend të Millosheviqit më 1998, ajo ‘do ta spastronte etnikisht Kosovën nga shqiptarët’”.
“Pres që ajo të shkarkohet nga detyra”, shkroi Gahler në X.
Such remarks of candidate country ministers cannot be ignored: On 11 July Serbian Minister Paunovic said in a televised interview that, had she been in Milosevic’s position in 1998, she “would have ethnically cleansed Kosova of Albanians”. I expect her to be released from office!
— Michael Gahler (@gahler_michael) July 17, 2026
Reagim më parë kishte bërë edhe anëtarja e Bundestagut gjerman për rrethin Böblingen, Jasmina Hostert, e ka dënuar deklaratën e ministres serbe, duke thënë se ajo është e papranueshme dhe bie ndesh me të drejtat e njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare.
“Është e papranueshme. Kushdo që justifikon spastrimin etnik po tall viktimat e Luftës së Kosovës dhe po shkel të drejtat e njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare”, ka shkruar Hostert.
Ajo ka kërkuar që Paunoviq të largohet nga detyra, duke vlerësuar se deklarata të tilla nuk kanë vend në një qeveri demokratike.
“Nuk duhet të ketë vend për fjalë të tilla në një qeveri demokratike; ato dëmtojnë paqen në Ballkanin Perëndimor. Ministri duhet të japë dorëheqjen”, ka deklaruar deputetja gjermane.
Reagim ka bërë edhe deputeti i Bundestagut për Hanoverin Verior, Adis Ahmetoviq, i cili ka thënë se përgjigjja e duhur nga Beogradi do të ishte shkarkimi i menjëhershëm i ministres Paunoviq.
“Shtetet e Ballkanit Perëndimor i përkasin Bashkimit Evropian. Kjo përfshin edhe Serbinë. Por një frymë nacionalizmi dhe urrejtjeje, që buron nga disa qeveri, nuk ka vend në bashkësinë tonë evropiane të vlerave”, ka shkruar Ahmetoviq.
Sipas tij, deklarata të tilla dëmtojnë procesin e afrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.
Ndaj deklaratave fashite të ministres serbe ka reaguar edhe Komisioni Evropian, ndërsa reagimin më të ashpër e ka pasur komisionerja për zgjerim, Marta Kos, e cila porositi që pas deklaratave të tilla “të tmerrshme” nuk mund të mendojë që Paunoviq të vazhdojë që mbetet ministre.
Pas kësaj deklarate, Kosova e ka shpallur Paunoviqin “non grata”./Telegrafi/





































