Një nga viktimat e Epsteinit rrëfen për BBC: Ishte një kult nga i cili nuk kishte rrugëdalje


Një nga gratë që për vite me radhë ishte pjesë e rrethit të të dënuarit për krime seksuale Jeffrey Epstein ka folur për herë të parë në detaje për abuzimet që, sipas saj, i ka përjetuar për vite me radhë. Ajo e përshkroi sistemin e manipulimit të Epsteinit si një "kult" nga i cili ishte pothuajse e pamundur të largohej.
Gruaja, e cila foli për BBC-në me pseudonimin Anya për të mbrojtur identitetin e saj, tregoi se vetëm pas vdekjes së Epsteinit në vitin 2019 arriti të largohej nga ajo jetë, e cila, sipas saj, karakterizohej nga kontrolli psikologjik, abuzimi seksual dhe varësia e plotë prej tij.
"Ende po përpiqem ta pranoj faktin se kam qenë e abuzuar për vite me radhë. Nuk isha e lidhur me zinxhirë dhe as e mbyllur në një bodrum. Prangat ishin më pak të dukshme, por ato ekzistonin", tha Anya.
Sipas saj, vetë Epsteini e përshkruante veprimtarinë e tij si një "kult", ndërsa veten si udhëheqës të tij. Ajo pretendon se jetonte me rreth dhjetë gra të tjera të reja në apartamente të financuara prej tij, punonte për të 24 orë në ditë dhe ishte vazhdimisht e ekspozuar ndaj abuzimeve seksuale.
Anya thotë se Epsteini e joshi me premtime për një karrierë të suksesshme si modele. Pasi u largua nga Rusia për të punuar në industrinë e modës dhe bashkëpunoi me shtëpi të njohura mode, ajo u prezantua me Epsteinin si një person me lidhje të shumta në këtë industri. Sot ajo beson se ishte zgjedhur me kujdes si objektiv që në fillim.
"Ishte një kurth i organizuar në mënyrë perfekte", tha ajo, duke shtuar se i gjithë procesi ishte planifikuar për të fituar besimin e saj.
Ajo rrëfen se për muaj të tërë Epsteini e bindte të punonte për pamjen e saj, i premtonte takime me figura të rëndësishme të botës së modës dhe i kërkonte fotografi, përfshirë edhe foto nudo, ndërsa njëkohësisht ia shkatërronte vetëbesimin duke i thënë se nuk ishte mjaftueshëm e mirë.
Sipas saj, sulmi i parë seksual ndodhi gjatë kohës kur Epsteini po vuante një dënim me burg në Florida. Më pas, gra të tjera nga rrethi i tij i thanë se po e ekzagjeronte situatën, gjë që bëri që ajo të dyshonte edhe në perceptimin e saj për atë që kishte ndodhur.
Me kalimin e kohës, ajo u bë plotësisht e varur financiarisht dhe në jetën e përditshme nga Epsteini. Nuk kishte llogari bankare, nuk mund të merrte një banesë me qira dhe ai kontrollonte lëvizjet e saj, kontaktet me njerëzit e tjerë dhe madje edhe qasjen në kujdesin shëndetësor.
Anya pretendon se Epsteini përdorte metoda të ndryshme për t'i mbajtur gratë nën kontroll. Ai i kërcënonte me fotografi dhe video komprometuese, i detyronte t'i shkruanin letra falënderimi dhe i kthente kundër njëra-tjetrës për të mos krijuar besim mes tyre.
Një nga momentet më të rënda, sipas saj, ishte kur ai e bindi t'i hiqte një tatuazh me ndërhyrje kirurgjikale duke prerë lëkurën, në vend të trajtimit me laser, çka i ka lënë plagë të dukshme edhe sot.
Ajo thotë se turpi më i madh për të është fakti se, nën presion, mori pjesë edhe në sjelljen e vajzave të tjera të reja.
"Ai krijoi një ekosistem të tërë abuzimi që i shërbente vetëm atij", tha Anya, duke shtuar se vendosi të flasë publikisht për të ndihmuar gratë e tjera të njohin dhe të largohen nga marrëdhëniet abuzive. /Telegrafi/






































