Një instruktore e re fluturimi në Florida arriti të kryejë një ulje emergjente në një autostradë pasi aeroplani me të cilin po fluturonte pësoi një defekt serioz gjatë një ore mësimi.

Emily Shelton, 21 vjeçe, ishte në fluturim me një nxënës, i cili po zhvillonte pikërisht mësimin e tij të parë të pilotimit, kur në kabinë filluan të përhapeshin avuj vaji dhe presioni i vajit të motorit ra papritur.


Duke vlerësuar se avioni nuk do të arrinte të kthehej në aeroport, Shelton shpalli emergjencë dhe vendosi ta ulte mjetin fluturues në autostradën Interstate 10 në Florida, shkruan bbc.

Manovra kërkoi qetësi dhe saktësi, pasi pilotja duhej të shmangte automjetet dhe pengesat në rrugë.

Pavarësisht situatës kritike, ajo arriti ta ulte avionin në mënyrë të sigurt dhe pa shkaktuar të lënduar.

Nxënësi i saj, i cili ishte në fluturimin e parë praktik, përjetoi një situatë shumë më të vështirë sesa një mësim i zakonshëm pilotimi – një provë reale emergjence që përfundoi me sukses.

Administrata Federale e Aviacionit e SHBA-së (FAA) ka nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e defektit teknik që çoi në uljen e detyruar. /Telegrafi/