LAJMI I FUNDIT:

Rriten shqetësimet rreth furnizimit me ushqim në botë, pas pezullimit të marrëveshjes për grurin nga Rusia

Rriten shqetësimet rreth furnizimit me ushqim në botë, pas pezullimit të marrëveshjes për grurin nga Rusia

Presidenti amerikan Joe Biden paralajmëroi se uria botërore mund të rritet për shkak të pezullimit nga Rusia të një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara për të lejuar kalimin e sigurt për anijet që transportojnë grurë ukrainas.

Biden foli disa orë pasi Rusia njoftoi se do të ndalonte menjëherë pjesëmarrjen në marrëveshje, duke pretenduar se Ukraina ndërmori një sulm me dron kundër anijeve të flotës ruse të Detit të Zi në brigjet e Krimesë së pushtuar. Ukraina e ka mohuar sulmin, duke thënë se Rusia ka goditur gabimisht me armët e veta.


“Është shumë indinjuese”, tha Biden.

Marrëveshja për grurin që u nënshkrua në korrik ka bërë të mundur eksportin e sigurt nga portet ukrainase të më shumë se 9 milionë tonëve grurë me 397 anije.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres është “thellësisht i shqetësuar” për pezullimin e marrëveshjes dhe shtyu udhëtimin e tij në Algjer për Takimin e Nivelit të Lartë të Lidhjes Arabe me një ditë për t’u marrë me këtë çështje.

“Sekretari i përgjithshëm vazhdon të angazhohet në kontakte intensive që rikthimin e Rusisë te marrëveshja”, tha në një deklaratë zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.

Guterres u kishte kërkuar Rusisë dhe Ukrainës të rigjallëronin marrëveshjen. Gjithashtu, ai u kërkoi vendeve të tjera, kryesisht në Perëndim, të përshpejtojnë heqjen e pengesave që bllokojnë eksportet ruse të grurit dhe plehrave kimike.

Po ashtu, ai nënvizoi urgjencën e rinovimit të marrëveshjes që skadon më 19 nëntor, “për të kontribuar në sigurinë ushqimore në mbarë botën dhe për të zbutur vuajtjet që kjo krizë e kostos globale të jetesës po shkakton tek miliarda njerëz”.

Sipas Kombeve të Bashkuara, marrëveshja e grurit ka arritur të ulë 15 për qind çmimet botërore të ushqimeve, nga kulmi i tyre në mars.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e quajti vendimin rus të parashikueshëm dhe tha se Moska e ka përkeqësuar qëllimisht krizën ushqimore që nga shtatori. Aktualisht, rreth 176 anije të ngarkuara me grurë nuk po lejohen të lundrojnë nga portet e Ukrainës, tha ai.

“Është ushqim për më shumë se 7 milionë konsumatorë. Pse një grusht njerëzish diku në Kremlin mund të vendosin nëse do të ketë ushqim në tryezat e qytetarëve në Egjipt apo Bangladesh?”, tha ai në fjalimin drejtuar vendit.

Një anije me 40 mijë tonelata drithëra e nisur për në Etiopi në kuadër të programit të ndihmës së Kombeve të Bashkuara nuk mund të largohej nga Ukraina si rezultat i pezullimit të marrëveshjes nga Rusia.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell i kërkoi Rusisë të anulojë vendimin e saj në një postim në Twitter.

Edhe ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar është në bisedime me homologët e tij në Moskë dhe Kiev në përpjekje për të rigjallëruar marrëveshjen.

Ai u ka kërkuar palëve që të shmangin çdo “provokim” që mund të ndikojë në vazhdimin e marrëveshjes.

“Inspektimi i anijeve të ngarkuara me grurë që presin pranë Bosforit do të vazhdojë sot dhe nesër”, thuhet në deklaratë. /VoA/