KMDK reagon për zjarrin në Pejë: Deponia nuk menaxhohet nga ne

Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK) ka reaguar lidhur me zjarrin në Deponinë Sanitare të Pejës, përkatsisht në fshatin Sferkë, duke sqaruar se kjo deponi aktualisht nuk është nën menaxhimin e saj.
“Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK) ka përcjellë me shqetësim të madh situatën e krijuar si pasojë e zjarrit në Deponinë Sanitare të Pejës, në fshatin Sferkë. Për hir të informimit të drejtë të opinionit publik, sqarojmë se ajo deponi aktualisht nuk është nën menaxhimin e KMDK-së. Ajo menaxhohet nga Kompania Regjionale e Mbeturinave “Ambienti”, ku Komuna e Pejës është aksionari kryesor”, thuhet në komunikatë.
Përfaqësuesit e KMDK-së kanë vizituar deponinë dhe janë njoftuar nga afër me gjendjen e krijuar. Me këtë rast, KMDK ka shprehur gatishmërinë për ta mbështetur KRM “Ambienti” me kapacitetet e saj profesionale dhe teknike, me qëllim që zjarri të vihet sa më shpejt nën kontroll dhe të shuhet plotësisht, gjë që e ka bërë edhe në të kaluaren.
Në fund thuhet se, në këtë situatë, kërkohet angazhim i koordinuar për përmirësimin sa më të shpejtë të situatës, si dhe kujdes dhe përgjegjësi në publikimin e informacioneve, në mënyrë që të mos përhapen dezinformata dhe të mos krijohet konfuzion te qytetarët.
Ndaj këtij zjarri më e zëshme ka qenë deputetja e zgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami.
Kallëzim penal për gjendjen në deponinë e Sferkës, në Pejë
Përvec kësaj, ajo sot përmes postës elektronike, në cilësinë e deputetes së zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka dorëzuar kallëzim penal Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnullah Gashi, dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, lidhur me gjendjen alarmante në deponinë e mbeturinave në Sferkë, Komuna e Pejës.
“Prej pesë ditësh deponia regjionale është përfshirë nga zjarri, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin. Por rreziku nuk ka filluar me zjarrin. Për më shumë se një dekadë, pas përfundimit të menaxhimit dhe mirëmbajtjes së deponisë nga kontigjenti italian i KFOR-t, mbeturinat e pesë komunave nuk janë trajtuar sipas standardeve sanitare të një deponie. Ato nuk janë groposur dhe as mbuluar me dhe, duke krijuar një grumbull gjigant mbetjesh që prej vitesh ndotin ajrin, tokën dhe ujërat, ndërsa sot, për shkak të zjarrit, po lirohen sasi të mëdha tymi dhe substanca të rrezikshme që rrezikojnë drejtpërdrejt jetën dhe shëndetin e qytetarëve”, ka shkruar sot Bajrami.
Madje, ajo ka thënë se aktualisht, deponia menaxhohet nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), aksionar i vetëm i së cilës është Qeveria e Republikës së Kosovës.


































