Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) kërkon reagimin e institucioneve të Kosovës si dhe atyre të Shqipërisë lidhur me rastin e 20 vjeçares nga Kosova, e cila për një kohë u raportua e zhdukur, e për të cilën dyshohet se u abuzua seksualisht nga dy vëllezër të një fshati të Kukësit.

Gjithnjë duke pasur për bazë raportimet nga mediat si të Shqipërisë poashtu edhe të Kosovës, të dy vëllezërit tashmë janë vënë në pranga nga policia e Kukësit, si dhe materialet që ngarkojnë ata me këtë vepër, i janë dërguar Prokurorisë së Kukësit.

“Arrestimi i tyre u bë pasi dyshohet se kanë kryer marrëdhënie seksuale me një shtetase kosovare, 20 vjeçe, duke përfituar nga pazotësia fizike dhe mendore e saj”, thuhet në njoftimin e policisë së Kukësit.

Reklama
Reklama
Përdhunuan 20 vjeçaren nga Kosova me aftësi të kufizuara, në pranga dy vëllezër nga Kukësi Përdhunuan 20 vjeçaren nga Kosova me aftësi të kufizuara, në pranga dy vëllezër nga Kukësi

Përmes kësaj kumtese, RrGK kërkon që ky rast të trajtohet me seriozitet nga institucionet e drejtësisë të të dy shteteve, duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për adresimin e tij dhe dënimin e personave përgjegjës.

Përdhunimi i vajzave dhe grave në shoqërinë tonë mbetet ndër brengat kryesore, për të cilën duhet të ngrisim zërin të gjithë ne, vazhdimisht dhe pa asnjë kompromis. Kurse, reagimi i duhur institucional ndaj këtyre rasteve ndikon në luftimin e tyre dhe krijimin e një shoqërie ku vajzat dhe gratë gëzojnë një jetë të barabartë dhe pa dhunë me bazë gjinore. /Telegrafi/