LAJMI I FUNDIT:

Rreth kërkesës ruse për largimin e NATO-s nga Ballkani: Shqipëria ta shfuqizojë Traktatin e Miqësisë me Rusinë!

Rreth kërkesës ruse për largimin e NATO-s nga Ballkani: Shqipëria ta shfuqizojë Traktatin e Miqësisë me Rusinë!

Shaban Murati

Se sa rëndësi ka Ballkani për strategjinë ruse të influencës në Evropë e dëshmon këmbëngulja patologjike e presidentit Putin dhe e diplomacisë ruse për ta larguar NATO-n nga Ballkani. Në datën 21 janar, në konferencë shtypi, ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, i pyetur se çfarë do të thotë për Bullgarinë dhe për Rumaninë kërkesa e Rusisë që NATO të kthehet në gjendjen e vitit 1997, deklaroi:


“Ne po flasim për tërheqjen e forcave të huaja, të pajisjeve dhe të armatimeve, si dhe ndërmarrjen e hapave të tjera, për t’u kthyer në kuadrin që kishim në 1997 në vendet jo anëtare të NATO-s. Kjo përfshinë Bullgarinë dhe Rumaninë”.

Me një fjalë, shefi i diplomacisë ruse paraqet kërkesën qe vendet e NATO-s në Ballkan duhet të çarmatosen dhe të dalin nga NATO. I ashtuquajturi rikthim në konfiguracionin e vitit 1997 do të thotë një rikthim mbrapa i historisë dhe një dalje nga anëtarësimi në NATO i të gjitha shteteve ish-komuniste që u bënë anëtare nga viti 1999.

Kështu, Rusia aspiron dhe ëndërron të pamundurën që gjithë ky grup shtetesh ish-komuniste, që nga republikat pribaltike e deri te Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të ikin nga NATO dhe të futen në sferën e influencës ruse.

Meqë ligjet e historisë nuk lejojnë kthim mbrapa dhe as ringjalljen e perandorisë komuniste sovjetike, e cila përfshinte edhe vendet e Evropës Lindore, Kremlini ka planifikuar ta realizojë nëpërmjet forcës së armëve dhe ta detyrojë kohën të kthehet mbrapa e të thyejë ligjet e historisë.

Mirëpo, për ambicien ruse ka një pengesë të pakapërcyeshme të zhvillimit historik, që është integrimi atlantik i të gjitha shteteve ish-komuniste të Evropës, themeli i së cilës është mbrojtja kolektive e përbashkët, ku sulmi ndaj njërit shtet konsiderohet sulm ndaj gjitha shteteve anëtare. Ndaj, Kremlini dhe diplomacia ruse në dalldinë e tyre kanë prodhuar një ëndërr halucinante.

Nuk është rastësi që Kremlini këtë; nuk po kërkon Moska për shembull largimin e forcave të NATO-s apo daljen nga NATO të Turqisë dhe të Greqisë. Ky selektim flet qartë se Kremlini ka rivizatuar hartën e hegjemonisë së vet dhe rivendikon si sfera të saj të influencës vetëm vendet ish-komuniste në Evropë, me logjikën absurde se kanë qenë pjesë e perandorisë së dikurshme komuniste sovjetike.

Me këtë mentalitet të çakorduar shtetëror mund të imagjinohet se çfarë do të ndodhte sikur gjithë metropolet e dikurshme të ngriheshin dhe të rivendikonin sferat e influencës në shtetet që kanë qenë pjesë e atyre perandorive. Vetëm Perandoria Osmane ka pasur si pjesë të saj 77 shtete të sotme.

Udhëheqja ruse po manifeston një filozofi politike antihistorike, që prodhon sjellje agresive ndërkombëtare në rritje, siç po dëshmohet me konfliktin e ri ushtarak që po gatuan në kufijtë me Ukrainën.

Prapavija e rrezikshme e kërkesës ruse për çarmatosjen e shteteve anëtare të NATO-s në Ballkan pritet të pasohet nga përpjekje të reja të nëndheshme dhe të mbidheshme të Moskës për të dëmtuar kohezionin atlantik dhe mburojën e përbashkët të vendeve atlantike. Një valë e re diversioni dhe agresioni rus duhet pritur ndaj njërit apo tjetrit shtet anëtar të NATO-s, nga Baltiku në Ballkan.

Ndaj, meriton një analizë të menjëhershme institucionale nga gjitha shtetet ballkanike anëtare të NATO-s, përfshirë Shqipërinë, për t’u dalë përpara të papriturave të qëllimeve dhe strategjisë agresive të ndërhyrjes ruse në Ballkan.

Aspekti i parë është ushtarak. Në këtë drejtim Moska synon që vendet e Ballkanit anëtare të NATO-s të mbeten pa mbrojtje ushtarake përballë agresivitetit dhe rivendikimit rajonal dhe kontinental rus për hegjemoni. Pa mburojën atlantike, shtetet anëtare të NATO-s në Ballkan bëhen objekt i lehtë i gëlltitjes politike dhe ushtarake ruse. Kërkesa ruse për çarmatosjen e vendeve të Ballkanit u evidenton edhe njëherë me forcë, shteteve anëtare të NATO-s, se sa e pazëvëndësueshme është mburoja kolektive përballe agresivitetit dhe aneksionizmit rus.

Aspekti i dytë është gjeopolitik dhe lidhet me strategjinë e presidentit Putin për të sanksionuar sferën sovjetike të influencës në Evropën Lindore dhe Jugore. Këtë rivendikim gjeopolitik Kremlini e pretendon si rivendosje e ekuilibrit gjeopolitik në kontinentin e ndarë evropian, si në kohën e fjalimit të famshëm të Çërçillit në Fulton më 1946 kur foli për herë të parë për Perden e Hekurt midis botës komuniste sovjetike dhe botës demokratike. Këtë perde të hekurt ëndërron sot presidenti Putin, i cili prishjen e Bashkimit komunist Sovjetik dhe humbjen e hegjemonisë ruse në gjysmën ish-komuniste të Evropës e konsideron vazhdimisht si katastrofa më e madhe gjeopolitike dhe kombëtare e Rusisë.

Kërkesën arrogante të shefit të diplomacisë ruse për çarmatosjen e Bullgarisë dhe të Rumanisë dhe për largim të NATO-s nga krahu lindor i saj, e hodhën poshtë menjëherë shtetet përkatëse. Më 21 janar, në Bullgari reaguan njëzëri të gjitha instancat e larta te shtetit. Kryeministri Kirill Petkov deklaroi se “Bullgaria është shtet sovran dhe vetëm ne do të vendosim si ta organizojmë mbrojtjen e vendit tonë”. Presidenti Rumen Radev e cilësoi kërkesën ruse “të papranueshme dhe të pakuptimtë”. MPJ e Bullgarisë  iu drejtua Rusisë duke i theksuar se “territoret kombëtare të vendeve të NATO-s janë territore të Aleancës dhe trupat e NATO-s nuk janë trupa të huaja”.

Ministria e Jashtme e Rumanisë, në komunikatën e saj në 22 janar deklaron: ”MPJ e Rumanisë hedh poshtë si të papërshtatshme dhe të pabazë deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Rusisë. MPJ e Rumanisë i kujton Rusisë se prania e NATO-s në shtetet aleate është një reagim krejtësisht mbrojtës në përgjigje të sjelljes agresive në rritje të Rusisë në fqinjësinë lindore”.

Në 22 janar reagoi edhe NATO përmes zëdhënëses së saj, Oana Lungesku: ”Kërkesa ruse do të krijonte anëtarë të NATO-s të kategorisë së parë dhe të kategorisë së dyte, gjë që ne nuk mund ta pranojmë. NATO hedh poshtë çdo ide të sferave të influencës në Evropë”.

Ajo që e bën më jodinjitoze kërkesën ruse është fakti që përpiqet të fshehë të vërtetën mbi shkaqet e situatës kërcënuese të krijuar në fushën e sigurisë në Evropë dhe konkretisht në kufijtë rusë me Ukrainën. E vërteta e madhe historike dhe diplomatike është se para vitit 2014 nuk ka pasur asnjë prani të forcave të NATO-s në krahun lindor të saj. Prania u bë e nevojshme për mbrojtjen e shteteve aleate në atë krah pas agresionit ushtarak në Ukrainë dhe aneksimit të dhunshëm rus të Krimesë. Agresioni rus ndaj Ukrainës dha alarmin e madh se Rusia po niste avancimin e planeve për ringjalljen e sferave sovjetike të influencës.

Është absurde që Rusia kërkon largimin e forcave të NATO-s nga Bullgaria dhe Rumania, shtete që nuk janë në kufi me Rusinë, ndërkohë që Rusia vetë ka trupa ushtarake në Ukrainë, në Moldavi dhe në Gjeorgji, shtete që janë në kufi me shtetet anëtare të NATO-s. Forcat ushtarake ruse në këto shtete janë të paftuara dhe pa lejen e qeverive të atyre shteteve dhe janë të paligjshme. Qeveritë e tri shteteve të mësipërme kanë kërkuar largimin e menjëhershëm të trupave ruse nga territoret e tyre. Rusia vazhdon të mbajë arbitrarisht trupat e saj duke dhunuar sovranitetin dhe integritetin territorial të tyre.

Nuk mund të mos habisë fakti që teksa NATO në mbledhjen e Këshillit NATO-Rusi në 12 janar ia hodhi poshtë Moskës kërkesën, ministri i jashtëm rus edhe pas kësaj del dhe përsërit të njëjtën. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, më 12 janar deklaroi se “aleatët ia bënë të qartë Rusisë se ata nuk heqin dorë nga kapacitetet për të mbrojtur dhe ruajtur njëri-tjetrin, përfshirë praninë e trupave në pjesën lindore të Aleancës”.

Këmbëngulja ruse s është shtuar, sepse janë shtuar ethet e Moskës për të ndërmarrë aventurën e re ushtarake kundër Ukrainës. Një agresion i ri ushtarak rus në Ukrainë do të shënonte një shkallëzim shumë të madh të rrezikut për lirinë dhe pavarësinë e shteteve anëtare të NATO-s në rajon. Ndaj, edhe NATO është e detyruar të marrë masa shtesë mbrojtëse ndaj sigurisë së përbashkët. Më 24 janar NATO njoftoi se aleatët po vënë forcat në gatishmëri dhe po dërgojnë luftanije dhe aeroplanë luftarakë shtesë në dislokimet e NATO-s në Evropën Lindore. Franca shprehu gatishmërinë e saj që të dërgojë trupa në Rumani nën komandën e NATO-s. Spanja po dërgon luftanije për t’u bashkuar me forcat detare të NATO-s dhe po konsideron të dërgojë aeroplanë luftarakë në Bullgari. Holanda po dërgon aeroplanë gjuajtës F-35 në Bullgari. Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë njoftoi më 24 janar se do të rrisë pjesëmarrjen e saj në patrullimet e NATO-s nga bazat në Rumani.

Më 23 janar gazeta amerikane “New York Time” bënte të ditur se presidenti amerikan po konsideron vendosjen e disa mijëra trupave amerikane, si dhe luftanijeve dhe aeroplanëve në vendet aleate të NATO-s në Baltik dhe në Evropën Lindore. “Euractiv.com” jepte më 21 janar deklaratën e presidentit se “ShBA-ja kanë një obligim të shenjtë sipas Nenit 5 të Traktatit të NATO-s për t’i mbrojtur ato vende, që janë pjesë e NATO-s-“

ShBA dhe NATO i japin mesazh serioz Rusisë se nuk do të lejojnë asnjë rivendikim rus për sfera influence në drejtim të shteteve sovrane të NATO-s nga Baltiku e deri në Ballkan. Presidenti Putin dhe diplomacia ruse kanë në objektivin e tyre të influencës gjithë Ballkanin. Ata e nisen me rivendikimet ndaj Bullgarisë dhe Rumanisë, por Moska e ka bërë të qartë se oreksi i saj janë gjitha shtetet ish-komuniste të Ballkanit, sepse të gjitha përfshihen në hartën ruse të “konfiguracionit të vitit 1997” të daljes nga NATO. Kjo do të thotë që edhe vendet e tjera atlantike të Ballkanit si Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë objektiv i ambicies së hegjemonizmit rus.

Në këtë funksion strategjik, Rusia po e armatos në mënyrë të shpejtuar Serbinë, duke i dhënë makinës së madhe ushtarake serbe përmasa rajonale. Rusia po e armatos Serbinë me sisteme të reja raketash dhe me armët më të sofistikuara për ta përdorur si instrument ushtarak të shantazhit dhe të avancimit të saj në Ballkan. Rusia zhvillon dy herë në vit në territorin e Serbisë manovra të mëdha ushtarake. Rusia ka në Serbi bazë ushtarake në qytetin e Nishit, ku sipas mediave botërore ndodhen rreth njëmijë forca speciale ruse të tipit të “ushtarëve të gjelbër” të cilët të veshur me uniforma pa shenja dalluese pushtuan Krimenë më 2014. Rusia ka rekrutuar Serbinë si vëzhguese në aleancën e saj ushtarake “CSTO”, me emrin e së cilës Moska maskoi ndërhyrjen në Kazakistan më 6 janar të këtij viti.

Në mënyrë të veçantë, Shqipëria duhet ta analizojë me seriozitet këtë situatë të rivendikimit ushtarak dhe gjeopolitik rus ndaj vendeve atlantike ish-komuniste të Ballkanit, që përfshihen në propozimet ultimative të Rusisë drejtuar NATO-s në 17 dhjetor 2021 dhe të specifikuara për Ballkanin nga ministri i jashtëm rus në 21 janar. Shqipëria vërtet nuk ka luftanije dhe aeroplanë për të dërguar në mbrojtje të aleatëve të saj, por ka zërin e saj diplomatik dhe shtetëror për ta ngritur me forcë si anëtare e OKB dhe për më tepër tani si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB. Shqipëria duhet të prononcohet zyrtarisht për dënimin e rivendikimeve hegjemoniste të Rusisë. Shqipëria duhet të bëjë detyrën e saj si anëtare e NATO-s për të kontribuar në mbrojtjen diplomatike të Bullgarisë dhe të Rumanisë.

Situata e re kërcënuese, siç theksoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s më 12 janar, “ka një rrezik real për një konflikt të ri të armatosur në Evropë”, më nxit që për të njëqindën herë t’u drejtohem autoriteteve më të larta të Shqipërisë me kërkesën për të shfuqizuar Traktatin e Miqësisë me Rusinë, të sigluar në 8 dhjetor 2004 në Tiranë nga ministrat e jashtëm Sergej Lavrov dhe Kastriot Islami. Është një traktat, që përmban nene qartësisht antiatlantike dhe antikombëtare. Duket si rastësi, por nuk është, që traktati me Rusinë përkon pikërisht me kërkesen e sotme te Lavrovit për vendet e NATO-s në Ballkan, sepse traktati ka angazhimin që Shqipëria të mos lejojë forca të huaja të qëndrojnë apo të kalojnë në territorin shqiptar nëse një palë e tretë NATO) është në konflikt me Rusinë. Në Tiranë bëjnë sikur e kanë harruar ekzistencën e traktatit të sigluar, por Lavrovi pas 16 vitesh ia rikujtoi direkt në konferencë shtypi kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama gjatë vizitës së tij në Moskë, më 26 shkurt 2020, duke i kërkuar se “Traktati është gati, ta vëmë në veprim”. E kam përsëritur dhjetëra herë dhe e përsëris prapë që Shqipëria duhet ta shfuqizojë dhe ta nulifikojë sa më parë atë traktat të dëmshëm, për t’i hequr Moskës çdo pretekst juridik dhe diplomatik të një shantazhi ndaj Shqipërisë për të dalë nga NATO.

Si diplomat i vjetër nuk e kam kuptuar asnjëherë përse qeveritë e Shqipërisë, të të dy partive kryesore politike, nuk e shfuqizuan atë traktat të dëmshëm për interesat tona kombëtare dhe shtetërore, si dhe për interesat atlantike dhe perëndimore në rajon. Duket antiamerikanizmi i fshehtë brenda dy partive politike ka penguar një akt të tille. E, mos harroni: antiamerikanizmi që tani ka dalë hapur në politikën shqiptare, vetëm një hap është larg filorusizmit të hapur. /Gazeta “Dita”/

Në trend

Më shumë
Deklaron mbi 58 mijë euro 'cash', zbulohet shuma me të cilën u pagua Anita Haradinaj si opinioniste në Big Brother VIP Kosova

Deklaron mbi 58 mijë euro 'cash', zbulohet shuma me të cilën u pagua Anita Haradinaj si opinioniste në Big Brother VIP Kosova

Magazina
Pasuria e majme e kreut të Prishtinës – banesa, rezidencë, veturë Tesla e koleksion pikturash milionëshe

Pasuria e majme e kreut të Prishtinës – banesa, rezidencë, veturë Tesla e koleksion pikturash milionëshe

Lajme
Sa kanë pasuri Osmani dhe Kurti? Dyshja deklaron pasurinë e tyre në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit

Sa kanë pasuri Osmani dhe Kurti? Dyshja deklaron pasurinë e tyre në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit

Lajme
Pasuria e Memli Krasniqit, ai posedon numër të madh të kriptovalutave

Pasuria e Memli Krasniqit, ai posedon numër të madh të kriptovalutave

Lajme
Tri shtëpi në Kosovë, një në Shqipëri dhe një vilë -  kjo është pasuria e Ramush Haradinajt

Tri shtëpi në Kosovë, një në Shqipëri dhe një vilë - kjo është pasuria e Ramush Haradinajt

Lajme
A e dini se për çfarë shërben gjysmërrethi në buzë të zonës së penalltisë? Këtu është rasti i vetëm në të cilin përdoret

A e dini se për çfarë shërben gjysmërrethi në buzë të zonës së penalltisë? Këtu është rasti i vetëm në të cilin përdoret

Ndërkombëtare
Kalo në kategori