"Një popull nuk i nënshtrohet një njeriu", Janina Ymeri: Përgjigjja mund të vijë para zgjedhjeve të ardhshme


Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke rikujtuar sloganin e protestave të vitit 2019 të organizuara nga LVV “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu”, për të cilin tha se mbetet po aq i vlefshëm edhe sot.
Sipas saj, kjo thënie tashmë i referohet personit që kishte udhëhequr protestat e asaj kohe, Albin Kurtit, duke kritikuar mënyrën e qeverisjes dhe rrethin e ngushtë të bashkëpunëtorëve.
“Një popull s’i nënshtrohet jo vetëm me votë, por edhe me mosdurimin tonë për hajgarllëqet e manitë e një njeriu me një kabinet e grup që e dëgjojnë deri në absurditet”, ka shkruar Ymeri.
Ajo tha se do të presin afatet e parapara për krijimin e institucioneve, “ashtu siç e kërkon rendi”, por paralajmëroi se nëse, sipas saj, do të ketë përpjekje për zgjatjen e kësaj periudhe dhe dëmtimin e shtetësisë së Kosovës përmes ligjeve dhe akteve të ndryshme, reagimi qytetar mund të vijë para zgjedhjeve të ardhshme.
“Në ndërkohë do të presim kohën e caktuar për krijim të institucioneve qysh e don rendi, por po qe se ky ‘Një Njeriu’ ia ka mësy me tejzgjat këtë kohë, me dëmtu e shkatërru me ligje e akte shtetësinë e Kosovës, përgjigjja nga po ky popull, edhe jam e bindur për këtë, do të vijë para zgjedhjeve të ardhshme”, ka deklaruar deputetja e LDK-së./Telegrafi/



































