LAJMI I FUNDIT:

Rrëfimi i Donis Avdijajt, nga forma fantastike deri te mungesa e Kosovës dhe marrëdhënia me trajnerin Foda: I kam shumë borxh si njeri dhe lojtar

Rrëfimi i Donis Avdijajt, nga forma fantastike deri te mungesa e Kosovës dhe marrëdhënia me trajnerin Foda: I kam shumë borxh si njeri dhe lojtar

17 nëntori i vitit 2018 ishte ndeshja e fundit që Donis Avdijaj e zhvilloi me Kosovën, dhe që nga ajo kohë ai më nuk është ftuar nga Dardanët.

Që prej asaj date të vjeshtës së vitit 2018, kur Donis Avdijaj bëri paraqitjen e tij të fundit me fanellën e Kosovës, shumë gjëra kanë ndodhur në karrierën e tij.


Sulmuesi istogas ka udhëtuar nëpër klube të ndryshme dhe ka përjetuar një sërë ndryshimeve që nga ai takim, por një gjë e ka karakterizuar rrugëtimin e tij që nga ajo ndeshje – një formë e qëndrueshme dhe përparim në lojën individuale.

Willem II, Trabzonspor, Hearts, Emmen, AEL Limassol, TSV Hartberg dhe Zurich janë skuadrat që ka ndryshuar sulmuesi kosovar që nga ajo kohë.

Forma e tij e mirë që ka treguar në fushë ka qenë dëshmi e punës së tij të palodhshme dhe përkushtimit për të arritur potencialin e tij të plotë.

Në një intervistë për Telegrafin, Avdijaj ka folur për karrierën e tij, raportin e shkëlqyeshëm që ka me trajnerin Franco Foda, formën e mrekullueshme që po e kalon te TSV Hartberg si dhe të ardhmen e tij.

Avdijaj ka një njohje shumë të mirë me Franco Fodan që nga koha kur ata kanë punuar së bashku te Sturm Graz dhe më vonë te Zurich.

Raportet e shkëlqyeshme dhe respekti reciprok ndërmjet Avdijajt dhe Fodës janë bazamentet mbi të cilat mund të ndërtohet një bashkëpunim i ri dhe frutdhënës për të ardhmen.

“Kam kaluar një kohë shumë të mirë me Fodan, sepse ai është një trajner që për mendimin tim, ka kualitete të mëdha për të qenë në gjendje të shohë cilësi te lojtarët, gjithashtu të motivojë lojtarët dhe gjithashtu t’i shtyjë lojtarët në maksimum”.

“Foda është një trajner që gjithmonë ka qenë i hapur për mua, të cilin mund ta telefononi gjithmonë dhe që gjithmonë mund të kërkoni këshilla. Për mua ai është një trajner që më ka sjellë shumë larg personalisht dhe nga i cili kam mundur të mësoj shumë”, tha Avdijaj për trajnerin e Kosovës.

Avdijaj kishte punuar me Fodan për një vit e gjysmë te Sturm Graz nga janari i vitit 2015 deri në qershor të vitit 2016 dhe më vonë edhe për katër muaj te Zurichu.

“Ishte një kohë shumë intensive. E kujtoj atë kohë me shumë mall. Unë jam shumë mirënjohës për këtë. I detyrohem shumë Franco Fodës. Ai më dha besimin si një djalë i ri dhe kjo ishte shumë e rëndësishme për mua. I detyrohem shumë si person dhe si lojtar dhe i jam shumë mirënjohës për këtë”, ka shpjeguar Avdijaj.

Foda dhe Avdijaj u bashkuan edhe te Zurich, por aty qëndruan së bashku vetëm katër muaj pasi tekniku gjerman u largua.

“Klubi ka qenë i interesuar më parë për mua, por pastaj edhe trajneri Foda më ka dashur. Gjithsesi unë kam kontakte të shkëlqyeshme me të dhe thash se i detyrohem shumë”, tha Avdijaj.

Avdijaj dhe Foda janë edhe fqinj në Austri, derisa istogasi thotë se janë takuar shpesh herë edhe për kafe me trajnerin gjerman.

“Jo vetëm për futboll, por kemi miqësi të mirë me trajnerin Foda. E kam fqinj në Austri dhe takohemi edhe për kafe”, thotë Avdijaj.

Tutje sulmuesi kosovar tregon edhe si e mori vesh që Foda do të bëhej trajner i Kosovës, derisa thotë se nuk kanë biseduar edhe shumë për këtë.

“Në Austri është folur shumë që Foda do ta marrë drejtimin e Kosovës, pastaj vetëm e kam parë zyrtare. Normal ai e ka njohur edhe më parë Kosovën pasi ka punuar jo vetëm me mua, por edhe me futbollistë tjerë të Kosovës”.

“Pas zyrtarizimit jemi dëgjuar, i kam uruar postin e ri dhe i kam uruar suksese, pasi unë edhe pse nuk jam ftuar që një kohë i kam parë të gjitha ndeshjet dhe gjithmonë dua më të mirën për Kosovën”, ka thënë Avdijaj.

Avdijaj është duke kaluar nëpër një formë të shkëlqyer me TSV Hartberg, ku ka shënuar gjashtë gola e ka asistuar në pesë të tjerë, megjithatë ai thotë se nuk është në dorën e tij nëse do të rikthehet te Kosova.

“Unë gjithmonë mundohem të bëj sa më mirë, pastaj është në dorë të tjetër kujt nëse do të ftohem apo jo. Për mua e rëndësishme të jem në formë dhe të jap kontribut për klubin pastaj shohim”, vazhdon tutje Avdijaj.

27-vjeçari thotë se gjithmonë është i gatshëm për vendin e tij, siç ka qenë edhe shtatë vite më parë kur u largua nga grupmoshat e Gjermanisë për ta veshur fanellën Dardane.

“Unë gjithmonë kam treguar haptazi dashurinë që kam për vendin dhe popullin tim. E kam treguar edhe vite më parë dhe kam vazhduar të jap kontribut edhe në klub ku edhe ajo është prezantim i mirë i shtetit. Thash jam i gatshëm dhe jam në formë dhe tani pres pasi të gjithë i dinë cilësitë që kam”, deklaroi Avdijaj për Telegrafin.

Avdijaj ka zhvilluar gjashtë ndeshje me Dardanët, ku ka realizuar edhe dy gola pikërisht në ndeshjen e fundit më 17 nëntor të vitit 2018 në fitoren e thellë të Kosovës 0-5 në udhëtim te Malta.

Sulmuesi anësorë këtë edicion ka qenë fantastik me skuadrën e tij duke realizuar gjashtë gola dhe duke dhuruar pesë asistime, derisa TSV Hartberg është befasia më e këndshme në Bundesligën e Austrisë.

“Jemi një grup shumë i mirë i lojtarëve dhe kemi bërë deri tani gjëra shumë të bukura. Konsiderohemi si befasia më e këndshme në Bundesliga të Austrisë dhe ende nuk kanë përfunduar befasitë”, thotë Avijaj.

Qëllimi është që me Hartberg të përfundojnë në pozitën e tretë, ku kjo pozitë do t’i dërgonte ata në garat evropiane pasi ata aktualisht janë në pozitën e pestë me 17 pikë një më pak se LASK Linz që mbanë pozitën e tretë.

“Besoj se kemi skuadër të mirë dhe mund të dalim në garat evropiane. Djemtë po japin maksimumin, skuadra është e re dhe po luan shumë mirë. Jam i bindur që në fund mund ta dërgojmë Hartbergun në garat evropiane”, thotë Avdijaj.

Ai fillimisht i kishte vendosur vetës qëllim të realizonte 15 gola dhe asistime në Superligë, derisa tani ka arritur në kuotën e 11 kontributeve duke realizuar gjashtë gola dhe duke asistuar pesë të tjerë.

“Qëllimi ishte të shënoja dhe asistoja në 15 gola edhe pse kam humbur shtatë ndeshjet e para në kampionat. Tani jam mirë me gjashtë gola e pesë asistime dhe besoj se do t’ia dali të arrijë objektivin. Të shohim deri në fund se sa do të arrijë, por uroj që vetëm të kem shëndetin dhe mos të kem lëndime”, tha Avdijaj . /Telegrafi/

Në trend Sport

Më shumë
Harry Kane shkruan historinë me Bayernin në Bundesliga që mund të mos përsëritet kurrë

Harry Kane shkruan historinë me Bayernin në Bundesliga që mund të mos përsëritet kurrë

Bundesliga
Grushte të fuqishme dhe hedhje në tokë, turko-gjermani Cinkara e fiton luftën ndaj boksierit kosovar Armend Xhoxhaj

Grushte të fuqishme dhe hedhje në tokë, turko-gjermani Cinkara e fiton luftën ndaj boksierit kosovar Armend Xhoxhaj

Boks
Shqetësime të mëdha për Bayernin, lëndohen edhe dy yje tjerë para ndeshjes me Real Madridin

Shqetësime të mëdha për Bayernin, lëndohen edhe dy yje tjerë para ndeshjes me Real Madridin

Liga e Kampionëve
Ish-legjenda e Liverpoolit tregon ‘arsyen e vetme’ që çoi tek përplasja e Salahut me Kloppin

Ish-legjenda e Liverpoolit tregon ‘arsyen e vetme’ që çoi tek përplasja e Salahut me Kloppin

Premier League
Pamje të reja nga përplasja e Salahut me Kloppin tregojnë saktësisht se çfarë ka ndodhur

Pamje të reja nga përplasja e Salahut me Kloppin tregojnë saktësisht se çfarë ka ndodhur

Premier League
Wirtz te Barcelona? Fabrizio Romano jep detajet e fundit për yllin gjerman

Wirtz te Barcelona? Fabrizio Romano jep detajet e fundit për yllin gjerman

Bundesliga
Kalo në kategori