Rrahet për vdekje ‘djaloshi i artë’, i njohur për këmishën nga floriri (Foto)


Burri nga India i njohur në mbarë botën, për këmishën nga ari, është rrahur për vdekje, nga persona të panjohur.
Datta Phuge, një huadhënës nga Pune i Maharashtra, është popullarizuar para tri vitesh, pasi e ka porositur një këmishë të veçantë, që kushton mbi 200 mijë euro, transmeton Telegrafi.
Veshja e rëndë është punuar nga 14 mijë copa ari që kanë nga 22-karat, ndërsa peshon 3.32 kilogram.
Kjo veshje, që është punuar nga 15 profesionist për 16 ditë, i ka dhënë atij nofkën, ‘djaloshi i artë’.
Policia raporton se burri në të 40-at, është qëlluar me gurë dhe mjete të mprehta, që rezultuan me vdekjen e tij.
Deri më tani, dyshohet se ai është sulmuar nga 12 persona, që e kanë futur në grackë shkaku i një transaksioni.
Ndryshe, Phuge ka qenë një njeri shumë i dashur për vendasit, ndërsa dëshira e tij për flori, e ka popullarizuar në mbarë botën.
“Disa njerëz duan Audi apo Mercedes, unë e dua arin dhe kam dëshirë të kem pa fund”, ka thënë Phuge për medie. /Telegrafi/







































