Vdiq Sllavenka Drakuliq, shkrimtarja më e njohur kroate në botë dhe mbrojtësja e zëshme e Kosovës


Sllavenka Drakuliq ishte një mjeshtre e përshkrimit të dhimbjeve shpirtërore dhe trupore. Në esetë dhe librat e saj kjo autore kroate foli për viktimat - si mbrojtëse e tyre dhe si përbuzëse e nacionalizmit.
Sllavenka Drakuliq ishte jo vetëm shkrimtare. Ishte ndër gratë e para që, në zymtësinë e komunizmit jugosllav, shkroi mbi feminizmin. Më 1984! Drakuliq ishte eseiste. Vrojtuese e mprehtë e fenomeneve shoqërore. Gazetare. Kolumniste e gazetës kroate «Jutarnji list». Aktiviste e të drejtave të njeriut. Një grua që i kaloi kufijtë e Jugosllavisë. Një damë nga Zagrebi, e cila dekadat e fundit i kaloi në bashkëshortësi me publicistin dhe shkrimtarin suedez Richard Swartz, i cili pas studimeve në Pragë mbeti përjetësisht i lidhur me Europën Lindore dhe veçanërisht me Ballkanin (mes tjerash, Swartz ka qenë dëshmitar i rënies së komunizmit në Shqipëri).
Siç njofton «Jutarnji list», Drakuliq vdiq të shtunën në moshën 77-vjeçare, pak kohë pasi botoi librin e saj «Pse nuk mësova të gatuaj» (Zašto nisam naučila kuhati), të cilin e publikoi shtëpia botuese kroate Fraktura.
Drakuliq e nisi karrierën si gazetare dhe shkroi në revistat kroate «Start» dhe «Danas», të cilat në vitet 1970 dhe 1980 lexoheshin edhe nga shtresa e hollë intelektuale e Prishtinës.
Romanin e saj të parë, «Hologramet e frikës» (Hologrami straha), e botoi më 1987. «Libri pati një jehonë të madhe në të gjithë territorin e ish-Jugosllavisë, ndërsa Drakuliq prezantoi në letërsinë bashkëkohore, në një mënyrë mbresëlënëse, diskursin femëror dhe autobiografik», shkruan «Jutarnji list».
Në fillim të viteve 1990, Drakuliq u vu në shënjestër të publicistëve nacionalistë të afërt me presidentin Franjo Tuxhman. Drakuliq dhe Jelena Lovriq, Rada Ivekoviq, Vesna Kesiq dhe Dubravka Ugreshiq u quajtën «shtrigat e Rios» në një artikull anonim të botuar në revistën «Globus» të Zagrebit. Nën titullin «Feministet kroate përdhunojnë Kroacinë», ato u akuzuan se gjatë kongresit të PEN-it në Rio de Zhaneiro supozohej të kishin lobuar kundër mbajtjes së kongresit të radhës në Dubrovnik. Shkrimtaret u njollosën si armike të shtetit dhe u akuzuan për orientim antikroat. Teksti u mor pafytyrësisht me prejardhjen e tyre, statusin martesor e familjar, si dhe me biografitë e tyre intime. Dubravka Ugreshiq më 1992 u largua nga Kroacia për shkak të fushatës primitive ndaj saj. Më vonë u kuptua se autor i tekstit të ndyrë ishte publicisti Sllaven Letica, i cili ishte edhe partner tenisi i Franjo Tuxhmanit. Vetëm në vitin 2004 revista «Globus» u detyrua t’i paguante një dëmshpërblim Sllavenka Drakuliqit.
Gjatë viteve 1990 dhe në dekadën e parë të shekullit XXI, Drakuliq shkroi shpesh ese për mediat më prestigjioze si «The New York Times», «Frankfurter Allgemeine Zeitung», «La Repubblica» dhe «El Mundo». Kryetemë e shkrimeve të saj ishte rrëshqitja e Jugosllavisë në luftë dhe arsyet që çuan drejt shumë tragjedive njerëzore. Në këto shkrime Drakuliq shpesh trajtoi edhe çështjen e Kosovës. Në tekstin «Si e mësuam urrejtjen», shkruar në maj të vitit 1999, pra gjatë sulmeve të NATO-s kundër regjimit serb, Drakuliq ngriti një akuzë të ashpër kundër shoqërisë serbe. Sipas saj, serbët refuzonin të pranonin përgjegjësinë e tyre për luftën në Ballkan. Kjo verbëri e tyre autiste ndaj tmerrit në Bosnjë dhe në Kosovë çoi në një mungesë të plotë të dhembshurisë.
Drakuliq i gjente arsyet te logjika e shpërfilljes. Shqiptarët në Jugosllavi, sipas saj, ishin thjesht të padukshëm, sepse të tillë i dëshironte regjimi. Shqiptarët e Kosovës, nënvizonte Drakuliq në «Frankfurter Allgemeine Zeitung», «ekzistonin të ndarë nga ne, si njerëz që mezi vëreheshin diku në skajet e shoqërisë, me gjuhën e tyre të çuditshme, nga e cila askush nuk kuptonte asnjë fjalë, me organizimin e tyre fisnor dhe konfliktet e gjakmarrjes». Kjo qasje ndikonte që edhe dhimbjet e tyre të mos merreshin parasysh, gjë që është e pafalshme, sipas Drakuliqit.
Pas vdekjes së Sllobodan Millosheviqit në qelinë e tij në Hagë, në mars të vitit 2006, gazeta «Jutarnji list» e pyeti autoren kroate nëse mund të vendosej drejtësia pasi Sllobodan Millosheviqi kishte vdekur pa iu shqiptuar dënimi. Drakuliq u përgjigj kështu: «Drejtësia në fakt nuk mund të vendoset kurrë plotësisht, përveçse në mënyrë simbolike - por është shumë e rëndësishme që të hulumtohen krimet e luftës, të zhvillohen gjyqet dhe të dënohen fajtorët, sepse pa këtë njeriut nuk i mbetet gjë tjetër veç gjakmarrjes. Në rastin konkret, viktimat e politikës së Millosheviqit mbeten madje edhe pa këtë kënaqësi simbolike, gjë që është e tmerrshme. Nëse kjo mund t’u shërbejë si ndonjë ngushëllim, Millosheviqi vdiq në një qeli burgu, vetëm si qen, duke përjetuar kështu edhe vetë fatin e shumë viktimave të politikës së tij. Megjithatë, atë gjithsesi do ta arrijë një lloj tjetër drejtësie, ajo historike. Qëllimi i mbrojtjes së tij ishte të vërtetonte se roli i tij në historinë e Serbisë ishte heroik dhe se ai po e mbronte vendin e tij nga një konspiracion ndërkombëtar. Tani të tjerët do të gjykojnë për këtë, domethënë do të ndodhë pikërisht ajo që Millosheviqi u përpoq dëshpërimisht ta shmangte duke udhëhequr vetë mbrojtjen e tij».
Drakuliq është autore e një sërë librash të rëndësishëm publicistikë, si: «Si mbijetuam» (Kako smo preživjeli), «Ata nuk do të vrisnin as një mizë» (Oni ne bi ni mrava zgazili), «Café Europa», «The Balkan Express», «Trupi i trupit të saj» (Tijelo njenog tijela), «Përsëri në kafenenë Europa» (Ponovo u kavani Europa). Librat e saj janë përkthyer në mbi 20 gjuhë. Përkundër problemeve shëndetësore (pati dy transplantime veshkash në SHBA), ajo nuk iu shmang temave të dhimbshme. Në shqip nuk është përkthyer asnjë libër i saj.
Në një intervistë për magazinën «Moderna vremena» ajo tha: «Natyrisht që sëmundja më bëri të njihem me dhimbjen; isha e detyruar të përballesha me të dhe të mendoja se si ta shprehja. Sepse dhimbja, në të vërtetë, i shpëton gjuhës, ajo na ikën; është e vështirë ta shprehësh dhimbjen sepse ajo të zhvesh dhe të kthen në një gjendje primare, përpara se të ekzistonte gjuha. Prandaj trupi u bë një nga temat e mia qendrore, veçanërisht trupi i femrës. Gjithashtu, gjithmonë më ka interesuar edhe tema e vdekjes. Unë u gjenda herët në situatën ku më duhej të mendoja për të, që në moshën tridhjetëvjeçare. Nuk mund të them se në atë kohë e kisha ndërgjegjësuar plotësisht, por ishte një përvojë e jashtëzakonshme që ma ndryshoi jetën. Shumë vite më vonë, shoh rreth vetes se shumica e njerëzve që kanë qenë të shëndetshëm gjatë gjithë jetës fillojnë të mendojnë për vdekjen. Them se vetëdija për vdekjen ma ndryshoi jetën, sepse që në moshë shumë të re kuptova se koha ime ishte e kufizuar - si e gjithë të tjerëve, vetëm se njerëzit zakonisht nuk kanë nevojë të mendojnë aq radikalisht për këtë. Kuptova se doja të bëja vetëm atë që ishte me të vërtetë e rëndësishme për mua. Mendoj se për këtë arsye kam qenë më pak e prirur ndaj kompromiseve. Për shembull, nuk pranoja të punësohesha në vende që nuk më interesonin ose që nuk më sillnin ndonjë gëzim. Krijova një hierarki specifike vlerash, ku në krye të asaj shkalle vendos atë që është më e rëndësishmja për ty - dhe për mua, më e rëndësishmja ishte të rritja vajzën time dhe të shkruaja».
Gazeta tjetër kroate «Veçernji list» kështu e përmblodhi jetën e saj: «Ajo shpërfaqi me guxim të gjitha plagët e shoqërisë sonë - patriarkatin, luftën, e madje edhe sëmundjen e saj».




































