LAJMI I FUNDIT:

Rotary Club Peja ndan 80 bursa për vajzat studente, përparësi kanë profesionet deficitare

Rotary Club Peja ndan 80 bursa për vajzat studente, përparësi kanë profesionet deficitare

Në vazhdën e angazhimit dhe aktiviteteve të saj, Rotary Club Peja në bashkëpunim më Rotary Club Stenstorp – Skultorp nga Suedia dhe Kuvendin Komunal në Pejë, do të ndajnë këtë vit, për herë të parë, 80 bursa për vajza studente.

Granti, sipas Rotary Club Peja, synimin kryesor e ka që përmes këtyre bursave të ndihmohet në përkrahjen e barazisë gjinore dhe edukimin e vajzave në Komunën e Pejës.


Synohet që përmes kësaj ndihme të përkrahen studentet që ndjekin profesionet deficitare. Respektivisht, përparësi për marrjen e bursave kanë studentet që studiojnë Shkencat Kompjuterike, Fakultetin e Mjekësisë, Turizmin, Industrinë Ushqimore por edhe të drejtimeve tjera me interes për komunën e Pejës.

Rotary Club Peja kanë sqaruar se konkursi do të shpallet me 1 Shtator dhe do të mbyllet me 15 Shtator.

Për të mësuar më shumë për Rotary dhe mundësinë e anëtarësimit, pjesëmarrjes në projektet Rotary si dhe përfitimit të bursës vizitoni Rotary Club Peja në Facebook apo kontaktoni Klubin Rotary përmes emailit: rotaryclubpeja@gmail.com

Kushtet e aplikimit për këtë bursë janë:

  • Të jenë banorë të Komunës së Pejës
  • Të jenë studente të rregullta të nivelit bachelor në njërin nga Universitetet Publike në Kosovë
  • Prioritet do të konsiderohen mosha 17 – 19, nota mesatare nga shkolla e mesme apo gjatë vitit të parë të studimeve
  • Përparësi për marrjen e bursave kanë studentet/vajzat që studiojnë shkenca kompjuterike, mjekësore, turizmit, industrisë ushqimore dhe të ndonjë drejtimi tjetër që nuk përmendet këtu, por që mund të jetë me interes të veçantë për Komunën e Pejës apo për Kosovën në përgjithësi
  • Bursa do të jepet për 10 muaj, Shtator 2019 – Qershor 2020, dhe atë vetëm për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe të banimit.
  • Vlera e një burse do të jetë 50 euro në muaj dhe do të jepet në fund të çdo muaji, dhe atë vetëm pas dorëzimit të dëshmisë nga studentja për pagesën e shpenzimeve të udhëtimit dhe banimit.

Afati i konkurrimit është deri më 15 shtator të vitit 2019./Telegrafi/