LAJMI I FUNDIT:

Reportazhi i “Geo Magazine” (1988): Shqipëria, vendi më i çuditshëm i Evropës

Reportazhi i “Geo Magazine” (1988): Shqipëria, vendi më i çuditshëm i Evropës

Në periudhën time universitare në Francë, një koleg student, nga që e dinte se jam shqiptar, më tha që dispononte një revistë të vjetër franceze, e botuar para viteve ‘90, në të cilën flitej për Shqipërinë. Menjëherë u bëra kurioz dhe i thashë se jam i interesuar të lexoj se çfarë i tregohej asokohe lexuesit frankofon për Shqipërinë, e cila gjendej plotësisht e izoluar ndaj botës së jashtme. Revista prestigjoze franceze “GEO Magazine”, në numrin e saj të 118-të, të muajit dhjetor 1988, në kopertinën e saj shkruan: “Shqipëria, shteti më i çuditshëm i Evropës (Albanie, le plus étrange pays d’Europe). Reporteri Edouard Bailby dhe fotografi Michel Setboun kanë patur mundësinë të vizitojnë Shqipërinë nga veriu në jug. Artikulli trajton tema të ndryshme të realitetit shqiptar, si kontrollet në kufi, demagogjia dhe parrullat politike enveriste, bunkerët, feja, ritmi i një jetë të qetë si refuzim ndaj agjitacioneve të kohëve moderne, pamundësia e të huajve për të dialoguar me shoqërinë civile shqiptare, përdorimi i gjuhëve të huaja, uniformizimi i shoqërisë, mënyrat e transportit, Ilirët, Skënderbeu etj. Në vazhdim mund ta lexoni këtë shkrim.

SHQIPËRIA E SHTANGUR

Papritur, pas një kthese, autobusi ndalet pranë një ndërtese ku valvitet flamuri jugosllav. Na duhet të zbresim valixhet tona dhe t’i hapim të shtrira përtokë. Dy doganierët na shikonin me vëmendje. Që prej tensionit mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë i rritur për arsye të provincës së Kosovës, turistët e rrallë që kalojnë kufirin shikohen me mosbesim. Zyrtarët jugosllavë paralajmërojnë grupin tonë: “Kur të ktheheni, në qoftë se kaloni këtu, ne do të ju konfiskojmë çdo shkrim të botuar në Shqipëri”. Bëhej fjalë edhe për broshurat turistike dhe librat e artit.

Nuk është e thjeshtë të arrish në malësinë e Republikës popullore socialiste të Shqipërisë, e ndodhur mes Jugosllavisë dhe Greqisë. Vendet në avion janë pothuajse të rezervuara për diplomatët, biznesmenët, dhe të ftuarëve të qeverisë së Tiranës. Një linjë e vetme ajrore siguron fluturime nga Evropa perëndimore, dy herë në javë, mes Cyrihut dhe kryeqytetit shqiptar. Përsa i përket hekurudhës së vetme që lidh Shqipërinë me botën e jashtme, të inaguruar në 1986, as që bëhej fjalë ta përdorje: ajo shërben për transportin e mineraleve dhe mallrave. Mundësia e vetme për të udhëtuar ngelet rruga. Dy poste kufijsh, në jug, për grekët; dy të tjera, në veri dhe lindje, për evropianët e tjerë.

Pasi kaluam kontrollin doganor jugosllav, grupi ynë, i formuar prej 12 turistësh, drejtohet për në postin kufitar shqiptar, Hani i Hotit. Secili duhet të marrë valixhet e veta dhe të ecë 100 metra në këmbë, një sipërfaqe e cila nuk i përket askujt – no man’s land. Ushtarë me pushkë – mitraloz, ngrejnë barrierën. Na fusin në një ndërtesë të vogël. Gjatë kohës që guida jonë franceze jep dokumentet e vizës kolektive, neve na kërkojnë të hapim valixhet tona. Para se të nisesha nga Franca, pata marrë një dokument të agjencisë së udhëtimeve ku shkruhej: “Materialet e shtypura jashtë Shqipërisë nuk janë të autorizuara të hyjnë në vend. Veçanërisht, prospektet (traktet) mbi Jugosllavinë dhe revistat pornografike”. Një pensionist nga Metzi (qytet në verilindje të Francës) i konfiskojnë një gazetë të përjavshme sportive. Një tjetër turist detyrohet të dorëzojë disa revista mode.

UDHËTARI INKURAJOHET “TË RELAKSOHET”

“Ne do të ju kthejmë të gjitha këto pas kthimit tuaj”, shpjegon doganieri që na bën shenjë të kalojmë dhe të presim në një sallon. Pas një vitrine, disa vepra të Enver Hoxhës – drejtuesi i madh shqiptar vdekur në 1985 pas 40 vitesh pushteti absolut – dhe disa paketa cigaresh. Një gjysmë ore më vonë, ne hyjmë në një autobus me ajër të kondicionuar d’Alb-turist, agjencisë zyrtare të turizmit. Fjalët e para të guidës (shoqëruesit) tonë, në frëngjisht: “Mirësevini në vendin tonë. Mbi të gjitha, relaksohuni…”. Disa herë, gjatë ditëve të para, ai përsëriti: “Ju lutem, relaksohuni”.

Pothuajse para 20 vitesh, reporter për një gazetë të përjavshme franceze e botuar në masë, kisha arritur, pas disa negociatash të rëndësishme, të merrja një vizë individuale. Asokohe, pothuajse vetëm 12 gazetarë perëndimorë kishin arritur të hynin në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Dhe turistët e rrallë ishin për pjesën më të madhe militantë partishë politike. Kohët kanë ndryshuar: në qoftë se kuotat e turistëve francezë (pothuajse 600 në vitin 1988) janë shumë pak në rritje, shoqata e Miqësisë Franko-Shqiptare nuk e mban më monopolin e udhëtimeve në regjimin më enigmatik socialist të Evropës.

“VENDI I SHQIPONJAVE”

Ky është emri, në shqip, i këtij vendi pothuajse prej 29,000 kilometra katrorë, ku dy të tretat janë zona malore dhe një e treta fushë bregdetare. Gjatë rrugës buzë liqenit të Shkodrës (45 kilometra i gjatë dhe 10 kilometra i gjerë) është rrëmujë në hyrje dhe në dalje të fshatrave. Nuk ka automjete individuale (të ndaluara ngaqë përfaqësojnë “egoizmin borgjez”), por karroca të tërhequra nga demat, tufa me dele, lopë duke u shëtitur, fshatarë duke ecur apo punëtorë me biçikleta, dhe ndonjëherë disa autovetura. As traktorë nuk ka, por disa kamionë dhe xhipa që u përkasin organizmave zyrtarë. Këto automjete bëjnë zigzag përmes kafshëve dhe këmbësorëve që ecin në mes të rrugës ose anash saj.

Në fusha, gratë kositin, presin, punojnë me bel, prashisin fermat e mëdha shtetërore sikur të punonin në një shumëllojshmëri kopshtesh (pronash) individuale. Të krijohet ndjenja e kthimit 50 viteve mbrapa, kur plugimet dhe korrjet bëheshin me dorë. “Më kujton fëmijërinë time”, shprehet një burrë i moshuar nga Burgonja i ulur afër meje. Në sytë e tij dallohej një nostalgji e papërcaktueshme…

Gjatë rrugës, në hyrje të uzinave, në fasadat e ndërtesave, disa prej tyre të rrënuara, kishte parulla: “Lavdi RPSSH” (glorifikim për Republikën Socialiste Shqiptare); “Përjetë me Enverin”. Ndonjëherë, një shkrim urdhëron qytetarët: “Merr librin, kazmën dhe pushkën tënde”! Shqipëria i përket një bote, e cila nuk është më ajo e evropianëve të fundshekullit XX. I përket të shkuarës apo të ardhmes ? “Japonezët nuk kanë përse të vijnë tek ne”, thotë shoqëruesi ynë. “Ata vendosin teknologjinë mbi njeriun”. Ky mendimi ka lidhje me nacionalizmin të futur në mendje nga Enver Hoxha dhe vullneti i rezistencës ndaj përparim-zhvillimit të përjetuar nga e gjithë shoqëria perëndimore…

Të ndërtuara me mijëra, bunkerët individualë i gjen në të gjithë territorin shqiptar. I shohim buzë rrugëve, përreth uzinave, në fushat e duhanit, grurit dhe misrit, në vreshta, në plazhe, në male, ku më i larti është Korabi (2,764 metra). Ndonjëherë, bunkerët janë të rreshtuar njëri pranë tjetrit, ose të shpërndarë nëpër fshatra pa asnjë lloj logjike. Rojet që ndodhen brenda, a janë në gjendje t’u rezistojnë trupave ajrore? Këta bunkerë betoni, në formë të rrumbullakët, janë diçka e pazakontë dhe mbresëlënës. Mos vallë janë rrënojat e një të kaluare të afërt? Pashë në oborrin e një uzine disa bunkerë të rinj gati për t’u dërguar porositësve të tyre. Që prej ndërhyrjes së trupave sovjetike në Çekosllovaki, para 20 vitesh, shqiptarët qëndrojnë në gatishmëri lufte. Ata nuk kanë harruar. Ata e dinë se në çdo moment, duke mos pasur asnjë lloj mundësie aleance, as me jugosllavët, as me sovjetikët, as me kinezët e largët, mund të jenë viktimë e një konflikti në Evropë. Ata i njohin fare thjeshtë virtytet e guximit. Në shkollë, vazhdojnë të mësojnë që vendin e çliruan vetëm në fundin e Luftës së Dytë Botërore…

Shkodra, qyteti më në veri të Shqipërisë, është vendi i parë që vizitojnë turistët perëndimorë. Është një zonë e banuar me shumicë katolike, që mund të përbëjë 15 për qind të popullsisë totale. Mos pyesni ku ndodhet katedralja, një nga më të mëdhatë në Ballkan. Do ju përgjigjen: Ju pyesni për pallatin e sportit? Ai është i hapur për vizitorët – publikun. Një parullë vë në dukje virtytet e marksizëm-leninizmit. E pajisur me karrige – shkallë stadiumi, aty ftohen të luajnë ekipet e basketbollit dhe volejbollit. Vendi i peshkopit pret të ftuar prestigjozë dhe sakristi (aneksi i katedrales) është transformuar në tualet.

EKSPOZITA ATEISTE IRRITONTE VIZITORËT E HUAJ

Gjatë udhëtimit tim të parë në Shqipëri (1971), pata vizituar në Shkodër një “ekspozitë ateiste”. Pata parë një koleksion imazhesh fetare, krahun e një shenjtoreje, dhe disa fotografi priftërinjsh të akuzuar për tradhti dhe të dënuar me vdekje si arsye bashkëpunimi me pushtuesin nazist. U bë disa vite që kjo ekspozitë është në ri-menaxhim. “Në fakt, më treguan disa zyrtarë, ajo irritonte vizitorët e huaj”».

Kur qeveria e Enver Hoxhës mori iniciativën të zhdukë kultin e Zotit në 1967, ajo mbylli 156 kisha katolike, 608 kisha ortodokse dhe 740 xhami. Pati disa rezistencë më këmbëngulëse nga ana e katolikëve dhe myslimanëve. Për disa muaj, vendet e kultit (fesë) u transformuan në salla teatri, kafene, shtëpi kulture, ose u braktisën. Deri më sot, çdo praktikë fetare është e ndëshkuar me dënim me burg. Biblën nuk e gjen askund, përveç se në Bibliotekën Kombëtare. Megjithatë, autoritetet vazhdojnë restaurimin e monumenteve më prestigjioze: në Berat, qytet historik, disa punëtorë rinovojnë kishën ortodokse të Fjetjes së Hyjlindëses, e ndodhur brenda kështjellës. Ikonat e piktorit Onufri, ku ngjyra e kuqe e tyre është legjendare, ekspozohen aty. Në hyrje, disa rreshta të Enver Hoxhës kujtojnë që “këto vepra i përkasin trashëgimisë kombëtare shqiptare”, pavarësisht arsyeve të frymëzimit të tyre… Në Korçë, në juglindje të vendit, ku Liceu Francez kishte dikur mësues Enver Hoxhën, 6,000 ikona destinuar artit mesjetar janë duke u restauruar.

XHAMIA E PUSHTUAR NGA DY DYQANE

Shqipëria mundohet të rikonstituojë të shkuarën e saj. Katolikë, myslimanë, ortodoksë dhe hebrenj kanë bashkëjetuar, mirë dhe keq, gjatë kohërave të ndryshme. Më shumë se pesë shekuj pushtim turk i kanë siguruar fesë islame një vend të rëndësishëm. Sa ishin që lexonin Kuranin çdo ditë para regjimit aktual? Mes 50 e 70 për qind e popullsisë. Xhamia kryesore e Tiranës, në sheshin qendror, është e mbyllur; ajo e Beratit, pranë hotelit të madh, është pushtuar nga dy dyqane.

Përgjegjësit (drejtuesit) shqiptarë janë shumë të mbyllur për praktikat e tyre fetare familjare. Sidoqoftë, moda e sotme është t’u vësh fëmijëve emra ilirë, edhe në familjet tradicionale myslimane. Për cilën arsye? Para ardhjes së grekëve, në shekullin e VII-të para erës sonë, Iliria ishte një perandori e madhe ku kufijtë e saj shtriheshin deri në brigjet e Danubit. Shqipëria, në kufijtë e sotëm të saj, ishte zemra e kësaj perandorie. Flitej që atëherë një gjuhë indoevropiane. Tre shekuj më vonë, kur romakët filluan të zgjeronin territoret e tyre, duke krijuar rrugën kryesore të komunikimit mes Romës dhe Bizantit, Via Egnatia, tre perandorë me origjinë ilire – Aureli, Diokleciani dhe Konstandini – drejtuan vendin që shtrihej atëherë deri në Mesdheun lindor.

Sot në gjuhën shqipe kanë mbetur vetëm tetë për qind e fjalëve me origjinë latine, por shqiptarët konfirmojnë që kjo periudhë e historisë u ka trashëguar atyre me shumë elementë sesa pushtimi osman. Zyrtarët shqiptarë, gjatë bisedave me vizitorët, nuk reshtin të përsërisin këtë fakt, ndoshta për të dëshmuar vullnetin e tyre për t’u integruar në Evropë. Në të gjithë Shqipërinë, janë rrënojat (gërmadhat) greko-ilire që turistët ftohen të vizitojnë. Më të shquarat janë ato të Butrintit, të cilat gjenden disa kilometra afër kufirit grek. Qyteza, e ndërtuar gjatë shekullit të VI-të para erës sonë, ngrihet buzë një lagune. Është për tu admiruar tempulli i Asklepit, teatri, dhe fortesa turke… Më lart, në rrethanat e Fierit, rrënojat e Apolonisë, themeluar në fillim të shekullit të VI-të para erës sonë nga kolonët grekë, u krijojnë mundësinë vizitorëve të shohin një stom të mrekullueshëm, një teatër dhe një kullë mbështetëse, tempullin e Apolonit dhe disa shtëpi të dekoruare në mozaik…

Është ora një e natës. Në Tiranë, në dhomën e hotelit, ndërtesë 15-katëshe e ndërtuar në vitet ‘80 dhe “grataçela” e vetme e kryeqytetit, dalloj një burrë që fshin sheshin qendror (Sheshin Skënderbe), me metodë, pa u ndalur. Ndonjëherë, një kalimtar i vonë kalon xhaden me hapa të ngadaltë. Asnjë veturë, asnjë zhurmë. Pastruesi fshin edhe një herë gjurmët e këpucëve. Po ashtu, në brigjet e detit Adriatik, në Durrës, kam patur gjithashtu ndjenjën e përjetimit të një filmi të viteve ‘30. Në mbrëmje, kur dielli fillon të zhduket në horizont, qindra shëtitës ecin mbi rërë me një ritëm të qetë. Në qytete, në fshatra, nuk kam parë njeri të ngutë hapat. Bota duket sikur rrotullohet me ngadalësi. “Relaksohuni”, përsëriste guida jonë. Në fakt, ne kishim ndjenjën sikur të ishim katapultuar në orbitën e një kohe të harruar. Në vitin 1971, në zemër të Tiranës, dëgjoja vetëm zhurmën e gjinkallave. S’kishte semaforë, disa xhipa zyrtarësh, dhe busti i Stalinit përballë atij të Leninit në bulevardin e Heronjve.

Që nga ajo kohë, sheshi qendror i Tiranës është zbukuruar me një shatërvan të ndriçuar dhe disa ndërtesa moderne. Dhe, dy semaforë janë instaluar në kryeqytet. Muzetë, të menaxhuar shumë mirë, tregojnë historinë kombëtare… Në lulishtet e shumta publike, stolat presin qetësisht familjet dhe të dashuruarit. Kudo është e njëjta qetësi, sikur Shqipëria refuzon agjitacionin e kohëve moderne. Në një kodër mbi Tiranë, dy ushtarë ruajnë gjatë gjithë kohës varrin e Enver Hoxhës. Asgjë madhështore, përveç bukurisë së peizazhit…

Gjatë gjithë qëndrimit tim në Shqipëri, u mundova me të gjitha mënyrat të flas me qytetarët në lulishtet publike apo kafenetë e Tiranës, Durrësit, Beratit, Krujës, Sarandës apo Gjirokastrës (qyteti i lindjes së shkrimtarit Ismaïl Kadaré, i bërë i famshëm për librin e tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”). Nuk arrita, ishte e pamundur.

TË RINJTË DUAN TË MËSOJNË ITALISHTEN

Shqiptarët komunikojnë shumë pak dhe me vështirësi me të huajt. Frika, indiferenca apo mosnjohja e gjuhëve? Viktima të pushtimit italian gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, brezi i vjetër flet akoma italishten. Por, edhe të rinjtë po fillojnë të studiojnë këtë gjuhë. A mos vallë është radioja italiane, të cilën e kapin lehtë në radiot e tyre, që i tërheq drejt botës së jashtme? Gjithsesi, gjuha frënge është një gjuhë e privilegjuar, sidomos tek klasa drejtuese, dhe anglishtja po fillon të zë një vend sa më shumë të rëndësishëm në arsim…

Ka pasur 12,000 turista gjatë këtij viti në Shqipëri. Të gjithë kanë ardhur me grupe, nga 12 apo 15 persona minimumi. Asnjeri nuk lejohet të lëvizë lirshëm dhe vetëm… Guidat e Alb-turistit preferojnë të flasin për shoqërinë shqiptare, origjinën dhe gjeografinë e saj, influencën bujqësore, minierat apo luftërat heroike për pavarësinë, në vend se të angazhohen në çështje që e kanë të vështirë t’u përgjigjen.

ÇMIMET NUK JANË RRITUR QË PREJ 1944

Disa fakte mjaftojnë për të treguar që Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë është e veçantë në llojin e saj. Kështu, çmimet nuk janë rritur që prej 1944! Madje, kohët e fundit, çmimi i një kilogrami sheqer ka kaluar nga 10 në tetë lekë. Përsa i përket rrogave, ekzistojnë dy lloje: minimumi 500 lekë në muaj, dhe maksimumi 1,000 lekë. S’ka luks, s’ka të privilegjuar dhe as nomenklaturë si në Bashkimin Sovjetik. Toka (prona) i përket shtetit dhe pothuajse të gjitha banesat. Pajisjet shtëpiake kushtojnë shtrenjtë dhe janë të rralla: 3,000 lekë për një lavatriçe; 4,500 për një televizor. Ndërsa, biçikletat, i vetmi mjet udhëtimi individual i pranuar zyrtarisht, kushtojnë rreth 750 lekë secila. Nuk ka shumë kohë që edhe disa motoçikleta të huaja janë në treg. “Nuk është një shkelje e regjimit marksist-leninist sipas të cilit prona private duhet dëbuar nga shoqëria?” Para kësaj pyetje, bashkëbiseduesi im është i paqartë: “Blerësit janë diplomatë ose inxhinierë që kanë punuar jashtë shtetit. Kanë bëre disa kursime para se të ktheheshin”.

Është e vështirë të dallosh në rrugë një punëtor nga një funksionar, një katundar nga një ministër, një fshatar nga një qytetar, madje edhe një ushtar nga një oficer. Tek të gjithë thjeshtësia është rigorozitet…

BIÇIKLETAT, MBRETËRESHAT E VOGLA TË SHQIPËRISË

Biçikletat ishin ende të rralla para 20 viteve, madje edhe në Tiranë. Ato importoheshin nga Kina popullore, shtet me të cilin Shqipëria kishte asokohe marrëdhënie të mira. Sot shohim mijëra të tilla që përbëjnë mjetin kryesor për të lëvizur. Autobusët nuk janë të shumtë… Përsa i përket rrjetit hekurudhor, para vitit 1945 nuk ekzistonte. Linja prej 37 kilometrave që lidh Tiranën me portin e Durrësit është e mbingarkuar gjatë stinës verore.

Durrësi ka një plazh me rërë të hollë, gjashtë hotele, ndër të cilët Hotel Adriatikun i ndodhur buzë detit dhe i hapur për të huajt. Dushet funksionojnë vetëm dy a tri herë në ditë, gjatë një gjysmë ore dhe gatimet nuk janë më të mirat e vendit. Kamerierët shërbejnë birrë dhe ujë mineral, ndonjëherë edhe raki – pije tradicionale. Në katin e parë të hotelit ka një dyqan të thjeshtë që ofron prodhime artizanale, si për shembull disa qilima me ngjyrë të kuqe, qeramikë dhe cigare.

Në Berat, ku gjendet plantacioni më i madh i fiqve në të gjithë Evropën, turistët kërkojnë me entuziazëm kavanozat me reçel që shiten me një çmim të vogël. Kudo gjenden cigare dhe verë e kuqe, dy prodhime kombëtarë me një cilësi të mirë. Në përgjithësi, dyqanet nuk furnizohen dhe aq sa nevojitet. Shqiptarët thonë: “Ne jetojmë thjeshtësisht”, por, shtojnë: “Tek ne, asnjeri nuk jeton mjerisht. Ne kemi të hamë dhe të vishemi”. Nuk pashë asnjë lodër fëmijësh, qoftë plastike apo druri. Në shëtitoren e Sarandës, bregut detit, djem dhe vajza lozin me disa rrathë të vegjël të fabrikuar në mënyrë artizanale: një tel hekuri në forme rrote dhe një tjetër që shërben si shkop. Ecën (rrotullohet) dhe nuk bën zhurmë…

RUAJTJA E KULTURËS DHE REZISTENCA NDAJ PUSHTUESIT

Të nënshtruar gjatë shekujve ndaj pushtimeve të njëpasnjëshme të grekëve, romakëve, sllavëve, osmanëve, italianëve dhe gjermanëve, shqiptarët janë strehuar në zonat e tyre malore për të ruajtur kulturën e tyre dhe për t’i rezistuar pushtuesit. Heroi më i madh kombëtar mbetet Gjergj Kastrioti Skënderbeu. I lindur në fillim të shekullit të XV-të në një fshat të pushtuar nga ushtria osmane, ai u dërgua në Stamboll ku realizoj studimet. Më vonë, si pjesë e ushtrisë turke në Nish, në vitin 1443 dezertoi turqit për t’u larguar drejt Shqipërisë me një batalion prej 300 ushtarësh me origjinë shqiptare dhe organizoi sa më shpejt rezistencën. Pasi mori Krujën, një vend i mrekullueshëm në veri të Tiranës, ai mblodhi rreth tij me mijëra luftëtarë dhe formoj një ushtri e cila i shkaktoj gjatë 25 viteve disfatë pas disfate osmanëve, duke i mundësuar Shqipërisë, për herën e parë në histori, të jetë totalisht e pavarur. Një muze i mrekullueshëm në kështjellën e Krujës kujton jetën e tij…

Skënderbeu vdiq i pamposhtur në 1468. Pas vdekjes, pasardhësit e tij humbën lirinë ndaj turqve. Shqiptarët pritën deri me 28 nëntor 1912 që të valvitet përsëri flamuri i tyre kombëtar. /Blogu Dars (Klos), Mat – Albania/