eksperti ad

“Natyra dhe arti janë bashkuar për të prodhuar një kopsht të begatë”. Kështu shkruante gati 100 vjet të shkuara gjenerali amerikan George P. Scriven, për një copëz të Ballkanit, që ai kishte pasur fatin ta vizitonte gjatë Luftës së Madhe.

Nga: George P. Scriven (1854-1940)
Përktheu: Auron Tare


Vetmia dhe izolimi i Shqipërisë tashmë kaloi bashkë me Luftën Botërore, stuhia e Adriatikut së shpejti do të shpërndahet, të paktën për ca kohë, Parisi një ditë do të veprojë, dhe nga Jugu, dora e Greqisë do të tërhiqet nga vendosja e paqes apo sepse Veriu i Epirit është Jugu i Shqipërisë, kurrizi i ashpër i Gjembaçit të Ballkanit, të cilën vetëm një dorë e pamatur do të guxojë ta rrëmbejë edhe nëse qëndron e vetmuar. Por, Shqipëria nuk është më e vetmuar, Lufta i solli asaj miq.

E, në fakt, më shumë se miq, Lufta e lartësoi, pasi kush e ka parë, nuk ka dyshim se okupacioni i ushtrive aleate bëri të mundur për të gjithë popullatën që ishte pas vijës së frontit nga Adriatiku në Detin Egje, të ishte një bekim. Armata Aleate ishte një forcë e fuqishme ndërtuese, e cila bëri mirë e duke lënë pas vepra të mëdha, për të cilat si populli shqiptar, si heterogjenet nën emrin maqedonas dhe si jo seriozët grekë, përgjithmonë do t’i njohin ato si vepra të rëndësishme për Ballkanin dhe për njerëzimin.

Nuk është e tepruar nëse do them se në Shqipëri më të mëdhatë vepra të mira u sollën nga italianët. Ishin ata të cilët ndërtuan rrugët, zhvilluan qytetet, hapën vendin, iu dhanë këshilla banorëve, hapën shkollat, ushqyen të uriturit, ishin italianët që themeluan gjykatat, mjekuan të sëmurët, ndihmuan të varfrit. Përse kjo punë e paqme e Italisë të mos vazhdojë në paqe, ashtu si dikur në luftë? Përse Italia dhe Shqipëria të prishen? Pakkush nga miqtë e saj, ndër të cilët unë e radhis veten, mendojnë se shqiptarët ende nuk mund të ecin të vetëm.

Duhet ta dinë se iu duhet një mik, iu duhet dora e një udhërrëfyesi t’i drejtojë ata në hapat drejt progresit. Një udhërrëfyes dhe jo një padron, i cili mund të tërhiqet në mbarim të shërbimit të tij. Këtë unë besoj se Shqipëria do ta pranojë dhe nuk jam i vetëm në këtë bindje. Por, dora e shtrirë nuk duhet të jetë prej çeliku, e fshehur në një dorezë kadifeje. Shqiptari nuk duhet të pranojë asnjë padron, ashtu siç nuk ka pasur deri më sot. Prova e një miqësie pa interes është e vështirë të vendoset për çdo vend, me përjashtim të Amerikës, e cila e ka kaluar testin.

Prandaj, duhet një provë e dukshme dhe besim, përpara se Shqipëria të marrë dorën e një vendi që kërkon ta ndihmojë ... Shqipëria është me të vërtetë një vend i çudirave, por për shekuj i harruar, i pakënduar, përveç vargjeve të Bajronit, i panjohur si disa ishuj të humbur në detet tropikale, e megjithatë një tokë, ku natyra dhe arti janë bashkuar për të prodhuar një kopsht të begatë, ku e ardhmja do të jetë e ndriçuar.