Rekord vrapues në Prishtina Trails 2026 që mbahet më 10 maj në Gërmi

Ngjarja më e madhe e trail running në Kosovë, Prishtina Trails, do të mbahet këtë vit më 10 maj 2026 në Parkun e Gërmisë, duke sjellë edicionin e saj të tetë me një interesim rekord dhe një sërë risish për pjesëmarrësit.
Organizuar nga klubi i vrapit “X-Trailers”, gara ka arritur të mbushë të gjitha 500 vendet e parapara një muaj para datës së garës, duke shënuar numrin më të madh të pjesëmarrësve deri më tani. Interesimi i lartë konfirmon rritjen e vazhdueshme të komunitetit të vrapimit në natyrë në Kosovë, si dhe pozicionimin e Prishtina Trails si një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive në vend.
Gara do të zhvillohet në shtigjet e Gërmisë, një nga zonat më të njohura natyrore pranë kryeqytetit, duke ofruar tri distanca për nivele të ndryshme të përgatitjes fizike: 10 kilometra, si pikë hyrëse për fillestarët; 23 kilometra, për ata që kërkojnë një sfidë më të madhe; dhe 48 kilometra ultra, për vrapuesit me përvojë dhe përgatitje të avancuar.

Sipas organizatorëve, ky edicion sjell disa risi, si në aspektin organizativ ashtu edhe në përvojën e pjesëmarrësve, duke synuar përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së garës dhe përputhjen me standardet ndërkombëtare të trail running. Prishtina TrailsPrishtina Trails është pjesë e UTMB Index dhe e njohur nga ITRA, çka i jep ngjarjes një dimension ndërkombëtar dhe tërheq vrapues edhe nga jashtë vendit.
Një element i rëndësishëm i këtij eventi mbetet përkushtimi ndaj mjedisit. Organizatorët theksojnë se numri i pjesëmarrësve është i kufizuar me qëllim, për të ruajtur shtigjet dhe për të mbrojtur ekosistemin e Gërmisë. Përmes iniciativave të ndryshme, si promovimi i parkut pa vetura dhe përdorimi i materialeve të riciklueshme, Prishtina Trails synon të jetë një shembull i një gare të qëndrueshme dhe miqësore me natyrën.
Me një komunitet gjithnjë në rritje dhe me besimin e fituar ndër vite, Prishtina Trails vazhdon të konsolidohet si një markë e rëndësishme sportive, që bashkon pasionin për vrapimin, natyrën dhe jetesën e shëndetshme.
Gara do të nisë në mëngjesin e 10 majit, ndërsa organizatorët presin një atmosferë të veçantë në shtigjet e Gërmisë, ku do të mblidhen qindra vrapues nga Kosova, rajoni dhe Evropa.





















































