Bayern Munich po kërkon përforcime në repartin defensiv për sezonin e ardhshëm dhe emri i Josko Gvardiol po përmendet gjithnjë e më shumë si një nga objektivat kryesorë të klubit bavarez.

Sipas raportimeve nga “Sport1”, mbrojtësi kroat mund ta imagjinojë një transferim në Mynih dhe thuhet se është i hapur për t’u larguar nga Manchester City. Avantazh i madh për Bayernin mbetet fakti se 24-vjeçari është tifoz i kahershëm i klubit gjerman.


Gjatë fundjavës, legjenda gjermane Lothar Matthaus konfirmoi interesimin e Bayernit për kroatin, i cili ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të Cityt në repartin defensivë.

Megjithatë, transferimi nuk pritet të jetë i lehtë. Manchester City kishte paguar rreth 90 milionë euro te RB Leipzig për kartonin e Gvardiolit, ndërsa lojtari ka kontratë deri në vitin 2028.

Gjithashtu gjiganti spanjoll Real Madridi e ka prioritet transferimin e kroatit.

Raportet në Gjermani sugjerojnë se një marrëveshje mund të arrihet për rreth 75 milionë euro.

Shkathtësia e Gvardiolit për të luajtur si qendërmbrojtës dhe mbrojtës i majtë e bën atë një opsion ideal për Bayernin, duke rritur konkurrencën edhe për Alphonso Davies.

Në listën e alternativave për krahun e majtë të mbrojtjes përmendet gjithashtu edhe Nathaniel Brown i Eintracht Frankfurt./Telegrafi/

telegrafi sport app