Real Madridi i ka shprehur ngushëllimet Lionel Messit pas ndarjes nga jeta të babait të tij, Jorge Messi, në moshën 68-vjeçare.

“Real Madrid, presidenti dhe Bordi i Drejtorëve shprehin keqardhjen e tyre të thellë për ndarjen nga jeta të Jorge Messit, babait të Leo Messit”.


“Klubi ynë dëshiron t’i shprehë ngushëllimet Leo Messit, familjes së tij dhe të gjithë të afërmve të tyre. U prehtë në paqe”, thuhet në reagimin e klubit madrilen.

Jorge Messi ndërroi jetë të premten në një spital në qytetin e tij të lindjes, Rosario, në Argjentinë, pas një sëmundjeje të gjatë.

Familja Messi kishte mbajtur kryesisht private detajet rreth gjendjes së tij shëndetësore, përpara se në fillim të kësaj vere të konfirmonte se ai po përballej me një “situatë shëndetësore”.

Jorge luajti një rol qendror gjatë gjithë karrierës së djalit të tij, jo vetëm si baba, por edhe si përfaqësues i tij dhe një prej figurave kryesore pas rrugëtimit të Lionel Messit nga Rosario drejt majave të futbollit botëror.

Pas lajmit të hidhur, bota e futbollit i ka shprehur ngushëllimet familjes Messi, e cila po përjeton humbjen e një figure që kishte qenë gjithmonë pranë yllit argjentinas dhe kishte luajtur rol të rëndësishëm në jetën dhe karrierën e tij./Telegrafi/

telegrafi sport app