Rashford godet Manchester Unitedin: Kam qenë në një ambient të paqëndrueshëm për shumë kohë

Marcus Rashford ka pranuar se paraqitjet e paqëndrueshme te Manchester United kanë ardhur si pasojë e një ambienti jo stabil, duke i dërguar një mesazh të qartë ish-klubit.
Në një intervistë për “ITV” përpara ndeshjes së Anglisë ndaj Letonisë në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës, 27-vjeçari ishte i qartë se problemi ka qenë te “Djajtë e Kuq”.
“Më duket sikur kam qenë në një ambient të paqëndrueshëm për shumë, shumë kohë”.
Aktualisht i huazuar te Barcelona për një sezon me opsion blerjeje, Rashford synon të rikthejë vazhdimësinë në lojën e tij – një cilësi që, sipas përzgjedhësit të Anglisë, Thomas Tuchel, mund ta shndërrojë atë në një futbollist të klasit botëror.
Rashford debutoi për United në vitin 2016 nën drejtimin e Louis van Gaal dhe që atëherë ka luajtur nën katër trajnerë të përhershëm dhe tre të përkohshëm.
“Konsistenca është thelbësore. Dua ta sjell këtë element në lojën time dhe të jem në formën më të mirë sa më shpesh të jetë e mundur".

Sulmuesi anglez theksoi se vazhdimësia vjen vetëm në kushte të qëndrueshme.
“Për të qenë konstant në diçka, jo vetëm në sport, duhet të kesh variabla të qëndrueshëm në jetën tënde dhe në mënyrën se si stërvitesh”.
Që prej kalimit te Barcelona, Rashford është ringjallur, në 10 paraqitje ka shënuar 3 gola dhe ka dhënë 5 asistime, duke siguruar kështu vendin e tij në skuadrën e Anglisë për përgatitjet drejt Kupës së Botës 2026.
Duke reflektuar mbi periudhën e trazuar në Old Trafford, ai përfundoi: “Kam kaluar shumë ndryshime gjatë karrierës sime, por tani duhet të shikoj përpara”./Telegrafi/




















































