Në seancën absurde të një parlamenti të mbledhur në funksion të një kioske noterie poshtë përroit të Lanës, Edi Rama nuk dha asnjë justifikim që të përligjte qëndrimin e shumicës, në konfliktin e fundit për Gjykatën Kushtetuese. Ai nuk denjoi të flasë as për data, afate, KED, Ardian Dvoranin, Arta Vorpsin dhe shkeljet e ligjit themeltar të shtetit.

Ai u mjaftua vetëm me argumentin se në këtë kapje të re të drejtësisë, ai kishte mbështetjen e Evropës dhe Amerikës. “A mund të manipulohen ShBA dhe BE duke u vënë në dispozicionin tonë”, pyeti ai parlamentarët që e duartrokisnin?

Pra, argumenti i vetëm që i ka mbetur një kryeministri që po zhytet përditë e më shumë në krim, është: “Mua më mbështesin ndërkombëtarët”.

Për të na bindur se e vërteta është ndryshe nga sa e shohin të gjithë, ai e ka përdorur shpesh këtë alibi.

Kur Shqipëria ishte tej përtej e mbushur me kanabis, aq sa ia behën në këtë vend – që e konsideruan si hambarin e hashashit të kontintentit – të gjitha mediat më të mëdha të globit, Edi Rama përsëriste të njëjtin refren. Ai i drejtohej atë kohë ish deputetes Jozefina Topalli me shprehjen: “A do na e lejonin aleatët tanë këtë nËse ajo që pretendon është e vërtetë?”.

Madje, parodia shkoi edhe më tej, në kulmin e denoncimeve kundër trafikut të drogës dhe kur shpërtheu skandali i lidhjes Tahiri-Habilaj, ambasadori Donald Lu doli të deklaronte se historia e luftës ndaj narkotrafikut është një histori suksesi.

Po e njëjta fabul u kopjua edhe kur në shkelje të Kushtetutës, shumica vendosi të zgjedhë kamikazen anonime, Arta Marku, si Prokurore të Përgjithshme të Përkohshme. Euralius dhe OPDAT përgatitën një letër ku justifikonin katapultimin e saj për një kohë të shkurtër, pa të drejta lëvizjeje apo ndëshkimi për vartësit dhe me pretendimin e pavarësisë. Rama sërish përdori justifikimin: “A do na lejonin të huajt”?

Se si rezultoi eksperienca e Arta Markut, se sa kohë ndenji ajo në detyrë, se sa lëmsh e bëri institucionin, se si i shkatërroi dosjet e vjedhjes së votave, tashmë dihet. Nuk është e vështirë të kuptohet gjithashtu se sa i kushtoi besueshmërisë së reformës së saponisur në drejtësi ky eksperiment me leje diplomatike.

Por, ironia e gjithë kësaj historie ishte në momentin kur ajo doli përpara KLP-së për të kërkuar një mandat të plotë. Pasi shfaqi performancën që i gajasi të gjithë shqiptarët që e panë drejtpërdrejtë, ajo guxoi të thotë të njëjtën shprehje si Rama: “Unë kam mbështetjen e ndërkombëtarëve”.

Pra, krimet me lejen e të mëdhenjve i kanë shërbyer kryeministrit vetëm sa për të hedhur përkohësisht lumin, vetëm sa për ta kaluar momentin, por në fund, realiteti ka diskredituar bashkë me artikuluesin e tyre edhe besueshmërinë e mbështetësve që i kanë lejuar në heshtje këto mashtrime.

E njëjta gjë u përsërit edhe në tentativën për të organizuar me çdo çmim zgjedhje moniste në 30 qershor. Kryeministri shkoi në çdo cep të vendit për të kërcënuar me mos hyrjen në ShBA dhe BE të atyre që do të tentonin ta prishnin këtë farsë. Asnjë diplomat nuk e kundërshtoi, pavarësisht se të gjithë e dinin se kjo nuk mund të realizohej pa pasur më parë një vendim gjykate, një verdikt të formës së prerë nga drejtësia.

Madje, Palmer shkoi deri aty sa për ato votime, që u pa më pas se si i etiketoi ODHIR, të artikulonte formulën: “bëni njëherë zgjedhjet, pastaj shqyrtoni legjitimitetin e tyre”.

Ky film u shfaq edhe këtë të premte në parlament, kur për të përligjur manipulimin e mazhorancës me një nga institucionet e reja të Reformës në Drejtësi (KED) për t’i hequr presidentit të drejtat e tij kushtetuese, si alibi u përdorën deklaratat përshëndetëse të selive diplomatike amerikane dhe evropiane. /Lapsi/