Rama akuzon Qeverinë për bllokim të punimeve në “Ishullin Urban”: I bëj thirrje Prokurorisë të nisë hetime

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se punimet në zonën e njohur si “Ishulli Urban” janë bllokuar sërish, duke akuzuar Qeverinë se po e bën këtë “për çështje politike”, ndërsa ka ftuar Prokurorinë që të nisë hetime ndaj, siç i quajti ai, “bllokuesve”.
Rama tha se bllokimi, sipas tij, po ndikon drejtpërdrejt në rreth 30 mijë banorë, të cilëve u mohohet mundësia për kalim më të sigurt nga Arbëria në qendër të kryeqytetit.
“Jemi këtu në Ishullin Urban, ku për fat të keq, prapë punët tona po bllokohen, po bllokohen 30 mijë banorë, 30 mijë qytetarëve të kryeqytetit me ju kriju mundësinë të sigurt për të kaluar nga ana e Arbërisë në qendër të kryeqytetit”, tha Rama, raporton Telegrafi.
Ai ngriti pyetjen se “kujt po i pengojnë këto punë”, duke pretenduar se Qeveria po e bllokon kryeqytetin “në mënyrë selektive”, ndërsa në anën tjetër, sipas tij, po u jep leje projekteve të sektorit privat.
“Kujt po i pengojnë këto punë? Qeveria po vazhdon për çështje politike me blloku kryeqytetin, derisa në të njëjtën kohë, u jep leje sektorit privat – çfarë hipokrita”, u shpreh ai.
Kryetari i Prishtinës tha se Komuna ka ndarë buxhetin dhe ka përfunduar projektin, ndërsa bllokimet, sipas tij, po bëhen pa bazë ligjore.
“Ne kemi nda buxhetin, kemi kry projektin, po vazhdojmë punimet dhe ata vijnë e bllokojnë kryeqytetin në mënyrë të jashtëligjshmë”, tha Rama.
Duke folur për pasojat më të gjera, Rama deklaroi se nuk do të lejojë, siç tha, bllokimin e “gjysmë milioni banorëve”, dhe kërkoi reagim nga organet e drejtësisë.
“Nuk do të lejoj si kryetar që të bllokohen gjysmë milioni banorë që të bllokohen, andaj e ftoj Prokurorinë që të nisë hetimet ndaj këtyrë bllokuesve, pasi nuk kanë asnjë bazë ligjore”, deklaroi ai. /Telegrafi/











































