Komuna e Prishtinës ka njoftuar se çdo të shtunë, nga ora 09:00, në Parkun e Gërmisë do të ofrohen shërbime falas shëndetësore për qytetarët, përmes një ekipi të urgjencës mobile të Kryeqytetit.

Sipas njoftimit, ekipi do të jetë i përbërë nga mjek dhe staf teknik, dhe do të ofrojë matje falas të shtypjes së gjakut, si dhe treguesve të tjerë bazikë shëndetësorë.


“Çdo të shtunë në orën 09:00, një ekip i urgjencës mobile i Kryeqytetit i përbërë nga mjek dhe staf teknik, do të jetë i pranishëm në Gërmi për të ofruar matje falas të shtypjes së gjakut dhe treguesve të tjerë bazikë shëndetësorë”, thuhet në njoftim.

Komuna bën të ditur se iniciativa është pjesë e planit trevjeçar për avancimin e kujdesit shëndetësor parësor dhe promovimin e shëndetit publik, ndërsa Parku i Gërmisë është përfshirë në programin formal të qeverisjes komunale si një masë konkrete për përmirësimin e shëndetit fizik dhe mendor të qytetarëve.

Në njoftim theksohet se programi bazohet në praktikat më të mira ndërkombëtare, duke përmendur edhe modele ku aktiviteti fizik rekomandohet si pjesë e kujdesit parësor shëndetësor për parandalimin dhe menaxhimin e sëmundjeve kronike.

Komuna ka rikujtuar se lëvizja e rregullt ul rrezikun e diabetit, hipertensionit dhe sëmundjeve kardiovaskulare, ndërsa ndikon edhe në shëndetin mendor, duke reduktuar stresin, ankthin, depresionin dhe izolimin social.

Po ashtu, është bërë e ditur se çdo të shtunë, në orën 09:00, në Parkun e Gërmisë organizohen ecje dhe vrapime rekreative në distanca prej 2 dhe 5 kilometrash.

“Pjesëmarrja është falas, pa karakter garues dhe e hapur për të gjitha grupmoshat, pavarësisht nivelit të përgatitjes fizike”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/