LAJMI I FUNDIT:

Quo Vadis Vuçiq?

Quo Vadis Vuçiq?
Analisti i sigurisë, Agim Musliu

Serbia e kaloi edhe një palë zgjedhje parlamentare, me shifër të lartë fitoreje të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) dhe me shifrën më të ulët të pjesëmarrjes së votuesve në Serbi që nga viti 2008.

Aleksandar Vuçiqi do të jetë komod në kolltukun e presidentit, ani pse Serbia zgjedhjet për president i mban të veçanta. Partia e tij “përparimtare” gjendet në një fazë tjetër. Kurrë më e sigurt në kuptimin legal, me mbi 60 për qind të elektoratit, por në një sfidë të madhe ku secilën e herë e më shumë po i shtrëngohet laku në fyt nga fuqitë e mëdha.


Një diplomat i rangut të lartë perëndimor, para ca kohësh kishte deklaruar se Serbia duhet të zgjedhë në cilën karrige dëshiron të ulet, duke lënë të nënkuptohet fakti se Vuçiqi duhet ta precizojë më shumë orientimin e saj nga Rusia ose nga Perëndimi.

Duke e parë presionin perëndimor se Serbia duhet ta precizojë rrugëtimin evropian, një ditë para zgjedhjeve të Serbisë, në Beograd, një numër i konsiderueshëm serbësh ishin mbledhur për ta ndaluar fitoren e SNS-it të Vuçiqit. Shumica e pjesëmarrësve të këtij mitingu ishin serbë me sentimente të forta ruse. Përfaqësues të së djathtës ekstreme serbe, të nxitur paraprakisht edhe nga disa media ruse, e akuzuan Vuçiqin se ai do ta bëjë një pakt me Perëndimin dhe se do ta tradhtojë Rusinë.

Edhe vet ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, dy ditë para zgjedhjeve kishte vizituar Beogradin dhe, së bashku me homologun e tij serb Ivica Daçiq, lëshuan një deklaratë që direkt e akuzonin Perëndimin e Kosovën për gjoja “dhunimin historik” që ia kanë bërë serbëve. Mirëpo, kjo deklaratë më shumë u bë si një kërcënim për Vuçiqin.

Kremlini zyrtar, pavarësisht takimeve “vëllazërore” që i ka bërë Vuçiqi me lideri rus, Vladimir Putin, i frikësohet riorientimit të tij drejt Perëndimit. Diplomatët rusë i druhen një mashtrimi politik që mund t’ia bëjë Vuçiqi, Moskës, sepse, sipas tyre, edhe Mali i Zi dikur ka qenë aleat shumë i fuqishëm rus, por se sot është anëtar i NATO-s.

Sidoqoftë, as Perëndimi e as Rusia nuk do ta tolerojnë gjatë Aleksandar Vuçiqin që të hajë me dy lugë, apo të ulet në dy karrige. Që nga viti 2012, kur erdhi në pushtet partia e Vuçiqit, në Serbi nuk ka pasur lëvizje të qarta orientuese.

Serbia, për të mos e prishur marrëdhënien tradicionale me Rusinë, ka bërë shumë pazare me ekonominë. Prej privatizimit të industrisë së naftës e deri te blerja me çmim të lartë të armatimit primitiv rus janë kostot që i kanë kushtuar shtetit serb për ta ruajtur këtë marrëdhënie “vëllazërore”. Në fakt, me Rusinë askush asnjëherë nuk ka pasur marrëdhënie të tilla. Politika ruse është politikë interesi dhe jo progresi. Nëse serbët nuk do t’i paguanin me para të majme armatimet primitive ruse, atëherë as ndihma në diplomaci nuk do të vinte nga Kremlini.

Nëse serbët nuk do t’ia kishin shitur me pak para rusëve industrinë e naftës, atëherë as përkrahja ruse për Serbinë në raport me Kosovën nuk do të ishte kësisoj. Dhe, këta dy shembuj e ilustrojnë më së miri konstatimin tashmë të njohur se ndikimi rus është më së shumti në vendet me sistem të korruptuar. Kështu ata e kanë korruptuar Beogradin zyrtar. Nuk bëhet fjalë për aleancë ideologjike apo “vëllazëri sllave”. Gjithçka është kryekëput interes.

Mirëpo, Serbia ka nevojë për anën tjetër të medaljes. Për t’i fituar zgjedhjet, si çdo parti në botë, edhe Vuçiqi është dashur ta bindë qytetarin e saj që jeton mirë. Këtë Vuçiqi e ka siguruar nga Perëndimi. Shumicën e fondeve nga jashtë, ashtu si shumicën e investimeve, Serbia e ka marrë nga Perëndimi. Kjo ia ka bërë jetën qytetarit serb më të volitshme, më të lehtë. Ani pse Aleksandar Vuçiqi, shumicën e politikave të brendshme dhe të jashtme nuk i ka bërë konform standardeve evropiane, si një dhelpër e vërtetë ai asnjëherë nuk i ka kundërshtuar hapur kërkesat evropiane. I ka neglizhuar, i ka minuar fshehurazi dhe ka kërkuar nga rusët ndihmë për këtë. Si simbolikë dhe asgjë më shumë, ka vënë në krye të Qeverisë së Serbisë një pjesëtarë të komunitetit LGBT, për gjoja orientimin liberal. Në anën tjetër, edhe burrë po të ishte kreu i Qeverisë serbe, ai aty do të ishte formalisht, sepse Vuçiqi nuk e lejon askënd t’i përzihet në pushtet.

Sot Vuçiqit po i harxhohen mundësitë që ta mbajë gjendjen “ngrehe e mos e këput”, qoftë më Rusinë, qoftë me Perëndimin, veçmas me ShBA-në. Sot, më shumë se kurrë, Vuçiqi do të jetë pranë kërkesës së të dy palëve, për ta zgjedhur karrigen në të cilën do të ulet. Mirëpo, sot, më shumë se çdoherë më parë, Vuçiqi ka mundësinë që të marrë vendime të mëdha, sepse fitoi përqindje të madhe në zgjedhjet parlamentare. Pra, shumë shpejt do të vërehet në cilën karrige do të ulet. Në karrigen e Evropës apo në WC-në e Rusisë? Mu ashtu siç u paraqit në një karikaturë , në mediet sociale serbe, ku vet Vuçiqi pasqyrohej në hall se ku do të ulej.