eksperti ad

Në një vendim të rëndësishëm, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka miratuar konvertimin e mjeteve buxhetore në vlerë prej dy miliardë denarë, duke dedikuar ato për zbatimin e 66 projekteve në komunat më të ndryshme të vendit. Planifikohet që këto investime të përmirësojnë infrastrukturën, shëndetësinë, arsimin, dhe mjedisin në nivel lokal.

Në mesin e projekteve, shquhet ndërtimi i bulevardit "Hasan Prishtina" në lagjen Vizbegu të Shkupit, i cili do të financohet me 360 milionë denarë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Ndër projektet e tjera të rëndësishme përfshihet rindërtimi i rrugës "8 Shtatori" në Orizari i Epërm të Manastirit me financim prej 110 milionë denarë, si dhe përfundimi i urës "Ljubljanska" në Shkup.


Në sektorin e arsimit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të ndajë 100 milionë denarë për ndërtimin dhe ngritjen e SH.F. “Bllaje Koneski” në komunën e Aerodromit, ndërsa shkollat e fshatrave të Ohrit dhe Draçevës do të përfitojnë nga projekte të tjera të ndërtimit dhe rindërtimit.

Ndër projekte të tjera të rëndësishme, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ka paraparë ndërtimin e një çerdhe të re në kuadër të JOUDG “Rosica” në Stopanski Dvor, Komuna Gjorçe Petrov, me kapacitet për 100 fëmijë.

Në përpjekje për të adresuar çështjet mjedisore, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka ndarë 90 milionë denarë për ndërtimin e një fabrike për riciklimin e mbeturinave në Prilep dhe ndërtimin e impianteve të trajtimit në Çuçer Sandevë dhe Plasnicë.

Në të gjithë këto përpjekje, Qeveria e Maqedonisë së Veriut shprehet se synon të përmirësojë cilësinë e jetës për qytetarët në të gjithë vendin, duke investuar në zhvillim dhe përparim në të gjitha sferat kyçe. /Telegrafi/