LAJMI I FUNDIT:

Publikoi fotografitë, degradohet punëtori i KEK-ut

Publikoi fotografitë, degradohet punëtori i KEK-ut

Punëtori i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Rasim Preniqi, thotë se u degradua në punë, pasi që ka publikuar disa fotografi ku shihet se një kamion i një kompanie private nga Ferizaj, po riparohet brenda objekteve të kompanisë më të madhe publike në vend

Rasim Preniqi, teknik i makinerisë në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), po pretendon se është degraduar në punë, pasi që siç thotë ai ka siguruar prova se kamionë të kompanisë private “Elsam” nga Ferizaj po riparohen ilegalisht brenda objekteve të KEK-ut.


Por, në anën tjetër zyrtarë të kompanisë më të madhe publike në vend mohojnë një gjë të tillë. Madje, këta thonë se riparimi i kamionit në fjalë është bërë në procedurë të rregullt, ku kompania “Elsam” të gjitha pagesat për shërbimet i ka kryer përmes transaksioneve bankare.

Duke konsideruar që KEK-u po vepron ilegalisht në renovimin e pajisjeve të palëve të treta, Preniqi i ka publikuar fotografitë të bashkangjitura me një tekst, ku ka denoncuar për korrupsion në programin kompjuterik të KEK-ut, ku mund të shikohen vetëm nga punëtorët e departamentit ku punon.

Ulja në pozitë

Me të parë veprimet e punëtorit të tyre, menaxhmenti ka zhvilluar procedurë disiplinore, duke e konsideruar aktin si shkelje e rëndë e detyrave të punës.

“Më 11.02.2016 ka ardhur një kamion para fabrikës së pajisjes zejtare ‘Kosovamont’. Në kamion ka qenë i ngarkuar një bosht dhe mora vesh që këto pjesë i ka sjellë kompania ‘Elsam’ nga Ferizaj, ku e kam fotografuar menjëherë. Të nesërmen kam parë që e kanë sjellë edhe një pjesë në formë të unazës për riparim e cila është disa tonësh. Këto lloj të punëve kryhen vetëm në KEK. Duke parë që po kryheshin punët në të zezën, i kam grumbulluar fotografitë dhe atyre ua kam bashkangjitur edhe një tekst dhe të gjitha i kam bërë publike në sistemin e KEK-ut në internet. Ai shihet vetëm në kuadër të divizionit, pra me këtë kam dashur të tregoj për korrupsionin që po ndodh aty”, ka thënë Preniqi. /Zëri/Telegrafi/