LAJMI I FUNDIT:

Pse OBSH më në fund e shpalli linë e majmunit emergjencë globale

Pse OBSH më në fund e shpalli linë e majmunit emergjencë globale

Më 23 korrik, drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebryesus e shpalli linë e majmunit emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar (PHEIC), “kambana më e zhurmshme e alarmit” nga organizata që nënkupton një shpërthim në zhvillim.

Që nga fillimi i majit, më shumë se 15 mijë raste të lisë së majmunit janë identifikuar në më shumë se 60 vende. Sëmundja e shkaktuar nga virusi i lisë së majmunit zakonisht përfshin disa ditë ethe dhe ënjtje të nyjeve limfatike të ndjekura nga një skuqje, që mund të lërë shenja. Shumica e rasteve në shpërthimin aktual janë trajtuar pa shtrimin në spital ose pa nevojën për mjekim. Deri më 7 korrik, ka pasur tre viktima, të gjitha në Afrikë.


OBSH mblodhi për herë të parë një komitet në fund të qershorit për të përcaktuar nëse lija e majmunit ishte emergjencë globale (PHEIC). Derisa rastet kanë vazhduar të rriten në mbarë botën, komiteti u mblodh përsëri më 21 korrik – dhe këtë herë, rezultati ishte i ndryshëm, raporton Vox, përcjell Telegrafi.

“Ne kemi një shpërthim që është përhapur me shpejtësi në mbarë botën përmes mënyrave të reja të transmetimit, për të cilat ne dimë shumë pak dhe që plotëson kriteret në rregulloret ndërkombëtare të shëndetit”, tha Ghebreyesus kur njoftoi urgjencën.

Ghebryesus e shpalli emergjencë globale pavarësisht nga komitetit i urgjencës i OBSH-së për linë e majmunit, që nuk arriti në një konsensus unanim nëse do të shpallej një emergjencë.

“Ka pasiguri nga të gjitha anët”, tha Michael Ryan, drejtor ekzekutiv i programit të urgjencave shëndetësore të OBSH-së, duke shpjeguar arsyetimin e Ghebryesus për ta shpallur sëmundjen emergjencë globale.

“Ai sheh një dritare mundësie për të vënë nën kontroll këtë sëmundje”, tha Ryan. Komiteti ofron një rekomandim, por në fund ishte vendimi i Ghebryesus.

Hera e fundit kur OBSH shpalli një emergjencë ndërkombëtare ishte në fillim të vitit 2020, për COVID-19.

Ndonëse sëmundja e shkaktuar nga virusi i lisë së majmunit që po përhapet aktualisht është shumë më pak e rëndë se sëmundja e COVID-19 dhe përhapet shumë pak më lehtë, ka arsye të mira që OBSH-ja të shpall një emergjencë.

Si fillim, thotë Ana Amaya, një eksperte në qeverisjen globale të shëndetit në Universitetin Pace në New York, ky shpërthim i lisë së majmunit është thjesht shumë ndryshe nga shpërthimet e mëparshme të sëmundjes. Shumica dërrmues e rasteve të fundit janë identifikuar mes meshkujve homoseksualë dhe biseksualë dhe kontakti seksual me partnerë të shumtë seksualë është shfaqur si një faktor i rëndësishëm rreziku. Shkencëtarët tani po përpiqen të përcaktojnë nëse virusi përhapet përmes lëngjeve seksuale si sperma dhe lëngu vaginal, përveç mënyra tashmë që dihen: ndërmjet kontaktit lëkurë me lëkurë dhe në një shkallë më të vogël, përmes transmetimit të frymëmarrjes.

Para shpërthimit aktual, lija e majmunit shpesh përhapej nëpër familje përmes kontaktit të ngushtë dhe ndoshta sendeve që ndajnë mes vete personat sikurse enët dhe çarçafët.

Në javët e fundit, raportet e izoluara të infeksioneve tek fëmijët, të cilët mendohet se janë në rrezik më të lartë për rezultate të rënda të infeksionit të lisë së majmunit, përforcojnë shqetësimin se pa futur kontrollin shpërthimet shpesh përhapen përtej popullatave ku ato fillojnë.

Perspektiva që virusi mund të përhapet në mënyra që nuk janë parë më herët ngre shqetësimin se mund të na befasojë në mënyra të tjera – për shembull duke ndikuar rëndë nëse arrin në disa popullata që nuk i ka prekur ende, si grupe të mëdha njerëzish me imunitet të rrezikuar, tha Amaya.

“E gjithë kjo është vërtet alarmante. Dhe kjo është arsyeja pse është shumë e rëndësishme për ne që të kemi një përgjigje të koordinuar që fillon nga niveli i OBSH-së”, tha ajo në një intervistë në fund të qershorit, përpara takimit të parë të OBSH-së për të diskutuar lëshimin e një deklarate emergjente.

Por përtej kësaj, kjo lloj deklarate inkurajon vendet që të koordinohen për të ndaluar përhapjen e virusit në disa mënyra të ndryshme. Ja se si funksionon kjo.

Ku qëndron dallimi mes shpalljes së emergjencës globale dhe shpalljes së një pandemie

OBSH nuk e shpalli linë e majmunit si pandemi të re, dhe ekziston një ndryshim midis pandemisë dhe emergjencës globale.

Pandemi do të thotë kur një epidemi që ndodh në një zonë shumë të gjerë, kalon kufijtë ndërkombëtarë dhe zakonisht prek një numër të madh njerëzish.

Ekspertët e shëndetit publik përdorin termin “pandemi” për të theksuar shtrirjen globale të një shpërthimi. Ata duket se pajtohen se të quash diçka një pandemi do të thotë se kërkon një përgjigje të koordinuar ndërkombëtare – dhe potencialisht, se është shumë e madhe për ta menaxhuar.

Nga ana tjetër, një emergjencë globale (PHEIC) është një term i përcaktuar më me kujdes. Termi përshkruan një situatë që nuk ka dalë domosdoshmërisht jashtë kontrollit, por ka potencial për të dalë jashtë kontrollit.

Sipas Rregulloreve Ndërkombëtare të Shëndetit të OBSH-së, një shpërthim kualifikohet si PHEIC nëse  është i pazakontë ose i papritur, ka potencial për përhapje ndërkombëtare dhe kërkon një përgjigje të menjëhershme ndërkombëtare.

Përhapja e lisë së majmunit plotëson lehtësisht dy kriteret e para për një emergjencë: përhapja e virusit jashtë Afrikës Perëndimore dhe Qendrore dhe midis rrjeteve seksuale janë të dyja modele të pazakonta, dhe virusi tashmë është përhapur ndërkombëtarisht, pasi tani rastet janë të pranishme në rreth 60 vende. Dhe duke pasur parasysh atë përhapje, menaxhimi i lisë së majmunëve do të kërkojë qartë një përgjigje ndërkombëtare.

Pse OBSH priti të shpallte një emergjencë?

Disa ekspertë mendojnë se ky shpërthim i plotësoi lehtësisht kriteret për emergjencë globale kur OBSH e trajtoi për herë të parë pyetjen rreth një muaj më parë. Pse nuk e shpalli emergjencë atëherë?

“Është e mundur që paneli të vendosë të ketë një qasje të kujdesshme për të shmangur shkaktimin e alarmit”, tha Amaya, e cila shtoi se sipas mendimit të saj, pragu i urgjencës ishte përmbushur tashmë në qershor.

Me sa duket, ishte një mundësi e humbur, sipas artikullit në Vox dhe shpallja e emergjencës më herët mund të kishte lehtësuar më shumë përpjekje për kontroll që herët.

Andrew Pekosz, një virolog i Johns Hopkins i specializuar në patogjenët në zhvillim, tha se kur autoritetet e shëndetit publik bëjnë i shpallin emergjencat globale, ata ndonjëherë i japin përparësi ashpërsisë së sëmundjes dhe jo numrit të rasteve. Derisa lija e majmunit shkakton kaq pak vdekje, shpallja e shpërthimit një emergjencë globale në qershor mund të jetë ndjerë paksa e tepërt, edhe nëse mijëra njerëz ishin infektuar tashmë. Ai mendon se është një gabim.

“Sa më shumë që lejojmë një virus të riprodhohet, aq më shumë rriten gjasat që viruset të bëhen të fortë për të na infektuar siç ka ndodhur me COVID-19”, thotë Pekosz.

Shpallja e një emergjence sinjalizon seriozitetin e një shpërthimi dhe synimin e OBSH-së për të shpërndarë njohuritë e ekspertëve

Në SHBA, shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme mobilizon fonde për të mbështetur përgjigjet e shteteve ndaj një fatkeqësie si uragani ose një krizë e shëndetit publik.

Megjithatë nuk qëndron njëjtë te deklaratat e OBSH-së për emergjencat globale, të cilat nuk zhbllokojnë aksesin në fonde, shpjegoi David Heymann, një epidemiolog në Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër, i cili më parë drejtoi departamentin e urgjencave të OBSH-së, në një intervistë në fund të qershorit.

Në vend të kësaj, këto deklarata veprojnë si një sinjal. Ata informojnë departamentet e shëndetësisë në mbarë botën se përgjigjja ndaj shpërthimit është urgjente dhe kjo mund të mobilizojë burimet për të ndihmuar vendet me burime më të ulëta të financojnë përgjigjen e tyre.

Në disa raste, deklaratat mund të përfshijnë rekomandime për kufizimet e udhëtimit, si gjatë shpërthimit të SARS të vitit 2003 që preku kryesisht vendet në Azinë Lindore.

Megjithëse OBSH në mënyrë eksplicite nuk rekomandoi kufizime të udhëtimit në fillim të pandemisë COVID-19, shumë vende zgjodhën të vendosnin në mënyrë të pavarur kufizime të tilla, me efekte të ndryshme. Në shpalljen e emergjencës së lisë së majmunit, Tedros tha se “rreziku i ndërhyrjes në trafikun ndërkombëtar mbetet i ulët për momentin”.

Amaya tha se shpallja e një shpërthimi një emergjencë sinjalizon gjithashtu se OBSH planifikon të jetë një burim i udhëzimeve klinike dhe shkencore që synojnë të ndihmojnë punonjësit e shëndetit publik në mbarë botën të arrijnë kontrollin e sëmundjeve.

Çfarë për sa i përket vaksinave 

Vaksinimi luan një rol kyç në kontrollin e transmetimit të lisë së majmunit gjatë një shpërthimi, dhe më e rëndësishmja, këto vaksina tashmë ekzistojnë.

Pandemia e COVID-19 i dha botës disa mësime të dhimbshme për rëndësinë e koordinimit global për të siguruar shpërndarje të shpejtë dhe të barabartë të vaksinave. Këmbana e alarmit për emergjencë globale shpresojmë se do të nxisë veprimin në mënyrë që të njëjtat gabime të mos përsëriten.

Një arsye kryesore pse ekspertët globalë të shëndetit kanë qenë të shqetësuar për kohën e shpalljes së urgjencës së OBSH-së për linë e majmunit janë qasja e shpejtë ndaj vaksinave për grupet më të rrezikuara.

Vaksinat ekzistojnë për të parandaluar linë e majmunit, dhe ndërkohë që shumë vende kanë një sasi të këtyre vaksinave në dispozicion si pjesë e rezervave të tyre kombëtare, kërkesa e SHBA ka tejkaluar shumë ofertën dhe oferta globale e vaksinave është relativisht e vogël.

Vendeve do t’ju kërkohej ta merrnin më seriozisht përhapjen e sëmundjes

Megjithëse shumë vende po raportojnë tashmë raste, një shpallje emergjente do të intensifikonte dhe formalizonte kërkesat e vendeve për raportim.

“Vendet e kanë për obligim të raportojnë në kushte normale, por kjo do të thotë një menaxhim më rigoroz dhe më shumë mbikëqyrje”, u shpreh Amaya.

Më shumë mbikëqyrje do të thoshte se rastet e reja do të zbuloheshin më shpejt, duke lejuar autoritetet e shëndetit publik të ndërhyjnë më herët për të kontrolluar zinxhirët e transmetimit.

OBSH është përballur me kritika kur ngutej dhe kur vonohej për të deklaruar urgjencat e shëndetit publik në të kaluarën, dhe për favorizimin e kritereve politike mbi ato teknike në bërjen e këtyre vlerësimeve. Përpara shpalljes së emergjencës, ekspertët globalë të shëndetit shprehën shpresën se kësaj radhe, OBSH do ta merrte kohën e duhur.

Lawrence Gostin, i cili shkroi një artikull të vitit 2020 që i bënte thirrje organizatës të reformonte procesin e saj për identifikimin dhe shpalljen e kërcënimeve të tilla, postoi në Twitter më 21 qershor se ishte koha që OBSH të shpallte linë e majmunit një emergjencë.

“Është shumë më mirë të veprosh tani me shpejtësi dhe vendosmëri në vend që të presësh derisa lija e majmunit të mos jetë më e kontrollueshme”, shkroi ai. /Telegrafi/