LAJMI I FUNDIT:

Pse njerëzit mediokër, mbajnë poste drejtuese?

Pse njerëzit mediokër, mbajnë poste drejtuese?

Psikologu Tomas Chamorro-Premuzic, ka botuar librin e ri, “Pse bëjnë kaq shumë burra të paaftë, bëhen udhëheqës?” Titulli duket provokativ dhe për këtë arsye autori me siguri që do të akuzohet se dëshiron të tregojë ndjenjat e tij.

Por, pyetja është më e thellë nga sa mund ta mendoni. Sigurisht, njëra nga përgjigjet është seksizmi. Megjithatë, duhet të ketë më shumë se sa kaq. Askush nuk dyshon se ka burra kompetentë dhe me sa duket në një numër të mjaftueshëm për të udhëhequr qeveritë dhe korporatat botërore. Por, nëse bota është shumë seksiste, pse nuk janë pikërisht burrat më të aftë në krye?


Në shumicën e fushave të jetës, seksizmi e ul nivelin e kompetencës që kërkohet nga burrat për të pasur sukses. Por, gjithsesi, sërish do të pritej që të talentuarit të çanin më lehtë përpara, sesa budallenjtë. Në vend të kësaj, shikoni se ç’ndodh përreth.

Nga libri i tij rezulton se në këtë fenomen kontribuojnë dy elementë të dallueshëm. I pari është seksizmi; i dyti një vështirësi e përgjithshme në zgjedhjen e udhëheqësve kompetentë të të dyja gjinive, krahasuar me të paaftët.

Ne zakonisht mendojmë se tipare të tilla, si besimi i tepruar dhe egocentrizmi, janë shenja të aftësive të mëdha, edhe nëse ato janë në fakt një shenjë e diçkaje negative. Ato duhet “të shihen si një sinjal paralajmërues”, dhe ndërkohë na inkurajojnë të themi: “Çfarë personi karizmatik! Ndoshta ka stofin një udhëheqësi!”.

Burrat arrijnë në shkallët më të larta të karrierës, sepse është më e mundshme, që këto tipare të shfaqen tek ata. Gjithashtu, studimet tregojnë se gratë gjykohen më tepër, kur tregojnë besim tek vetja. Por, elementi më i jashtëzakonshëm i kësaj çështje është që edhe një zyrë personeli që nuk është seksiste, do të përfundojë duke promovuar një numër disproporcionalisht të lartë të burrave mediokër, të paktën derisa ata do të vazhdojnë ta konsiderojnë guximin dhe vetëvlerësimin si dëshmi të talentit (libri i eksploron më thellë këto tipare, si inteligjenca emocionale, qetësia, elasticiteti dhe vetëdija, të cilat në fund të fundit flasin për një udhëheqës efikas).

Kjo mënyrë për t’i parë gjërat, na shtyn ndërkohë të lëmë mënjanë, të paktën për momentin debatin e pafundëm mbi kontrastin ndërmjet talentit natyror dhe atij të kultivuar, dhe se çfarë roli ka gjenetika, duke supozuar se ka një të tillë në faktin se ka më shumë burrat sesa gra që lëvizin drejt karrierave dhe vendeve të caktuara të punës.

Cilado qoftë ideja juaj në këtë drejtim, sigurisht që në fund do të preferoni njerëzit kompetentë, ndaj atyre që janë të paaftë. Ne të gjithë mund të jemi dakord që udhëheqësit duhet të zgjidhen, bazuar në aftësinë e tyre reale menaxheriale. Dhe arsyetimi i autorit nënkupton që nëse mund të sillemi më shpesh në këtë mënyrë, do të ketë akoma më shumë gra që do të mbajnë poste të rëndësishme, si dhe burra më kompetentë, që sot tejkalohen në garë nga tipat narcistikë.

E gjitha kjo e thekson problemin e këshillave që u jepen grave, të tilla si determinizmi, ambicia dhe promovimi i aftësive të tyre, për të kapërcyer paragjykimet në vendin e punës dhe për të përparuar në nivelet drejtuese: ato rrezikojnë të jenë për gratë një nxitje për të imituar pikërisht karakteristikat jofunksionale të atyre burrave, që rezultojnë të jenë udhëheqësit më të këqij.

Ndoshta mund të jetë një lloj përparimi, zëvendësimi i gjysmës së drejtuesve të këqij meshkuj në biznes, me sa më shumë gra të këqija si drejtuese. Por, me siguri gjëja më e mirë do të ishte zëvendësimi i të gjithë personave të paaftë me njerëz plot vlera: një ndryshim, që do të përfshinte promovimin e një numri shumë më të lartë grash. Veçse, mos prisni që këtë revolucion ta drejtojë brezi ynë aktual i liderëve. /“The Guardian”/Në shqip nga: Bota.al/