LAJMI I FUNDIT:

Propozimi për tërheqjen e Trustit, rritja e çmimeve të produkteve dhe kundërshtimi i Draftligjit të Pagave – top ngjarjet e javës në ekonomi

Propozimi për tërheqjen e Trustit, rritja e çmimeve të produkteve dhe kundërshtimi i Draftligjit të Pagave – top ngjarjet e javës në ekonomi

Propozimi për tërheqjen e mjeteve financiare nga Fondi i Kursimeve Pensionale (Trusti), rritja e çmimeve të produkteve bazike dhe kundërshtimi i sindikatave ndaj Draftligjit për Pagat, ishin disa nga ngjarjet kryesore të javës në ekonomi.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu ditë më parë ka ri-propozuar tërheqjen e mjeteve financiare nga Trusti deri në 30 për qind.


Haxhiu këtë propozim e ka dhënë me arsyetimin se është bërë shtrenjtimi i rrymës dhe të gjitha produkteve të konsumit ditor.

“Me kërkesë të shumë qytetarëve ri-propozoj: tërheqjen e mjeteve financiare për qytetarët nga Trusti Pensional deri në 30 për qind. Pas shtrenjtimit të rrymës dhe të gjitha produkteve të konsumit ditor është më se e nevojshme që Qeveria ta sjell në votim propozimin tim për tërheqjen e Trustit Pensional deri në 30 për qind”, thuhet në propozimin e Haxhiut.

Lidhur me këtë, Trusti në një përgjigje për Telegrafin ka bërë të ditur se zbatojnë legjislacionin që nxirret nga institucionet e vendit dhe se ka mandat vetëm për menaxhimin e fondeve.

“Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës e ka për mandat t’i administrojë dhe menaxhojë kontributet pensionale të qytetarëve të Kosovës deri në pensionim. Kjo nënkupton zbatimin e legjislacionit në fuqi, i cili nxirret nga institucionet përgjegjëse të vendit. Pra, ne mund të deklarohemi vetëm për çështjet që bien në fushën e veprimit tonë institucional”, tha zëdhënësi i Trustit, Jeton Demi.

Tërheqja e 10 për qind e mjeteve ishte garantuar me Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike të votuar në Kuvendin e Kosovës si ndihmë për periudhën e pandemisë COVID-19.

Kërkesat për tërheqjen e kursimeve pensionale, Trusti: Ne zbatojmë vendimet që merren nga institucionet
Lexo po ashtu Kërkesat për tërheqjen e kursimeve pensionale, Trusti: Ne zbatojmë vendimet që merren nga institucionet

Rritja e çmimeve e produkteve bazike

Muajt e fundit është vërejtur një rritje e theksuar e çmimeve për produktet bazë për konsum në Kosovës.

Ngritjen e këtyre çmimeve e ka konfirmuar edhe Agjencia e Statistikave (ASK), duke shtuar se Indeksi i tërësishëm i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) është rritur kryesisht te produktet e bukës, mishit, vajit ushqimor dhe energjisë elektrike brenda një viti.

Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin janar me vitin paraprak ishte 7.1 për qind.

“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të bukës dhe drithërave me 14.9 për qind, mishi me 7.6 për qind, qumështi, djathi dhe vezët me 9 për qind, vajrat dhe yndyrat ushqimore me 33.7 për qind, perimet me 11.7 për qind, sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsira me 9.2 për qind, kafja, çaji dhe kakao me 10.8 për qind, uji, pijet joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet me 2.7 për qind, duhani me 6.2 për qind, energjia elektrike me 12.3 për qind (ngritja e çmimit të energjisë elektrike është për shkak se në periudhën janar – maj 2021 ishte për 0.0061 centë më e lirë sipas Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike kundër COVID-19”, thekson ASK në raportin “Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK), janar 2022”.

Rritja e çmimeve në Kosovë – buka, qumështi, vaji, transporti dhe rryma produktet që u shtrenjtuan më së shumti brenda një viti
Lexo po ashtu Rritja e çmimeve në Kosovë – buka, qumështi, vaji, transporti dhe rryma produktet që u shtrenjtuan më së shumti brenda një viti

Kundërshtimi i Draftligjit të Pagave nga sindikatat

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Sindikata e Administratës Publike dhe ajo e Policisë janë shprehur të pakënaqur ndaj versionit të Draftligjit për Pagat, i publikuar ditë më parë nga disa medie.

Nga SBASHK-u kanë njoftuar se do të mblidhen dhe do të diskutojnë për situatën aktuale dhe për t’i koordinuar aktivitetet dhe veprimet sindikale.

“Përfaqësuesit e të tri këtyre sindikatave janë shprehur se në pritje të takimeve me ministritë gjegjëse kanë ngritur grupe punuese duke përgatitur propozime konkrete e të argumentuara, të cilat do t’i prezantojnë. Përfaqësuesit e këtyre tri sindikatave kanë shprehur pakënaqësi të shumta ndaj versionit të Projektligjit që është duke qarkulluar dhe janë pajtuar që në fillim të javës së ardhme BSPK-ja të organizojë tryezë tematike me pjesëmarrjen e të gjitha Sindikatave për të debatuar për situatën aktuale në të gjithë sektorët dhe për të koordinuar aktivitetet dhe veprimet sindikale”, thuhej në reagimin e sindikatave.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka mohuar se ekziston drafti final i Ligjit të Pagave, pjesë të së cilit janë publikuar në disa media.

“As nuk ka draft final të Ligjit për Pagat e zyrtarëve publik e as nuk ka ndonjë vlerë të koeficientit. Vlera e koeficientit nuk do të jetë pjesë e ligjit për pagat e zyrtarëve publik, meqë e njëjta përcaktohet me Ligjin e Buxhetit”, ka thënë Sveçla.

Drafti i Ligjit të Pagave, paralajmërohen veprime sindikale
Lexo po ashtu Drafti i Ligjit të Pagave, paralajmërohen veprime sindikale

Llogaritja e tarifave të reja të rrymës

Për sa i përket tarifave të reja të rrymës në Kosovë, kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Ymer Fejzullahu ka thënë se çmimet do të llogaritën nga 9 shkurti.

Fejzullahu në një konferencë për medie, ka theksuar se është detyrë e KESCO-s që ta zbatoj këtë vendim.

“Vendimi hyn fuqi që nga 9 shkurti. Është obligim i KESCO-s që ta zbatoj atë vendim të Bordit të ZRRE-së. Ky vendim i ZRRE-së publikohet në një afat prej 30 ditësh”, tha Fejzullahu, përcjell Telegrafi.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ditë më parë kishte miratuar tarifat e reja të energjisë elektrike për të gjithë ata që harxhojnë më shumë se 800kWh.

Fejzullahu nga ZRRE: Tarifat e reja të rrymës llogariten nga 9 shkurti
Lexo po ashtu Fejzullahu nga ZRRE: Tarifat e reja të rrymës llogariten nga 9 shkurti

Sipas ZRRE-së, të gjithë konsumatorët që shpenzojmë më shumë se kjo bllok tarifë do të paguajnë me dy çmime të reja.

Pra, konsumatorët mbi këtë bllok do të kenë tarifën e lartë prej 12.5 cent dhe 5.9 cent për tarifën e ulët, ndërsa ata që shpenzojnë deri në 800kWh, tarifa e lartë do të jetë 6.75 cent e ajo e ulëta prej 2.89 cent.

Nga data 1 tetor deri më 31 mars, në Kosovë aplikohet tarifa e ulët e rrymës, prej orës 22:00 deri në 07:00. Ndërsa, nga data 1 prill deri më 30 shtator, tarifa e ulët vlen nga ora 23:00 deri në 08:00. /Telegrafi/