ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Ish-vullnetari gjerman i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Michael Spath, i cili luftoi në Koshare gjatë luftës së Kosovës, ka reaguar lidhur me deklaratat e ministres serbe Snezhana Paunoviq dhe ndikimin që, sipas tij, kanë narrativat e luftës hibride të Serbisë dhe Rusisë.

Përmes një reagimi në gjuhën gjermane, Spath tha se rasti i fundit tregon sfidat me të cilat Kosova duhet të përballet në procesin e ballafaqimit me të kaluarën dhe me dezinformimin.


"Ky artikull tregon vështirësitë me të cilat Kosova duhet të përballet. Për këtë arsye kam zgjedhur veten si shembull dhe edhe ata që më ndjekin mund ta dëshmojnë këtë. Është e rëndësishme të kuptohet se sa e lehtë është të bëhesh i cenueshëm ndaj narrativave të luftës hibride të Serbisë dhe Rusisë. Prandaj është koha që kjo të ndryshojë", ka shkruar ai.

Në analizën e tij, Spath ndalet te deklaratat e ministres serbe për Administratë Shtetërore dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunović, e cila më 11 korrik, gjatë një interviste në televizionin Kurir TV, deklaroi se po të kishte qenë në vend të ish-presidentit serb Slobodan Milošević në vitin 1998, do ta kishte "pastruar etnikisht Kosovën".

Deklarata e saj ka nxitur reagime të shumta në Kosovë dhe jashtë saj, duke u dënuar si gjuhë që justifikon spastrimin etnik.

Spath thekson se lufta në Kosovë gjatë viteve 1998–1999 la pas mbi 13 mijë civilë të vrarë dhe më shumë se një milion persona të zhvendosur, ndërsa rikthimi i një retorike të tillë përbën shqetësim serioz për rajonin.

Në analizën e tij, ish-luftëtari gjerman vlerëson se reagimet në Serbi ishin të ndara. Ndërsa partitë opozitare liberale dhe organizatat e shoqërisë civile kërkuan shkarkimin dhe ndjekjen penale të Paunoviqit për nxitje të urrejtjes, drejtues të Partisë Socialiste të Serbisë, përfshirë ministrin e Brendshëm Ivica Daçiq, e mbrojtën atë, duke pretenduar se deklaratat e saj ishin nxjerrë jashtë kontekstit.

Spath argumenton se rasti i Paunoviq nuk është i izoluar, por pjesë e një prirjeje më të gjerë të përfshirjes së figurave ultranacionaliste në institucionet shtetërore të Serbisë.

Ai përmend edhe ministren Milica Đurđević Stamenkovski, udhëheqëse e partisë ultranacionaliste "Zavetnici", e cila aktualisht mban postin e ministres së Punës, Punësimit, Veteranëve dhe Politikës Sociale.

Sipas Spathit, përfshirja e figurave të tilla në qeverinë serbe tregon integrimin e ideologjive nacionaliste dhe të ekstremit të djathtë në nivelet më të larta të pushtetit shtetëror.

Në përfundim të reagimit të tij, Spath thekson se Kosova duhet të jetë më e përgatitur për t'u përballur me dezinformimin dhe narrativat e luftës hibride, duke theksuar se kuptimi i këtyre metodave është thelbësor për mbrojtjen e interesave të shtetit dhe të shoqërisë./Telegrafi/