Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për veprat penale të mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve, pas një hetimi të zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK).

Sipas njoftimit të Policisë, hetuesit e Njësisë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë kanë siguruar prova dhe informacione që dyshohet se tre persona kanë falsifikuar dokumente të ndryshme, përfshirë pasaporta, letërnjoftime dhe certifikata, të cilat më pas i kanë përdorur si dokumente të vlefshme.


Të dyshuarit, sipas policisë, kanë tentuar që përmes këtyre dokumenteve të kryejnë në mënyrë të kundërligjshme shitblerje të pronave të paluajtshme, me qëllim përfitimin e shumës prej rreth 1 milion e 550 mijë eurosh.

Policia ka bërë të ditur se të dyshuarit dyshohet se kanë kryer veprat penale “bashkëkryerja”, “ndihma”, “mashtrimi” dhe “falsifikimi i dokumenteve”.

Tre personat janë intervistuar më 30 korrik 2026 në cilësinë e të dyshuarve, në praninë e avokatëve mbrojtës.

Pas konsultimit me prokurorin e rastit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, dy prej të dyshuarve janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa njëri është liruar dhe do të hetohet në procedurë të rregullt.