Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar si “të gabuar, të pavend dhe të pakohë” nismën për mbajtjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm, i cili ka si pikë të vetme të rendit të ditës shkarkimin e tij nga pozita e kryetarit.

Në fjalimin e tij para delegatëve, Abdixhiku tha se kjo nismë vjen në një moment të ndjeshëm për vendin dhe për partinë.


“E konsideroj të tillë sepse vjen në mënyrë të njëanshme, të ndjeshme për vendin, përcaktuese për partinë tonë”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai tha se procesi është i parakohshëm, pasi vjen vetëm disa muaj pas Kuvendit të fundit të jashtëzakonshëm dhe pak kohë para Kuvendit të rregullt të partisë.

Kreu i LDK-së shprehu keqardhje për disa anëtarë të partisë, të cilët, sipas tij, nuk kanë kontribuar në momentet më të rëndësishme politike, por më pas kanë kërkuar përgjegjësi për rezultatet.

“Kur refuzohet pjesëmarrja në Këshill të Përgjithshëm, në Kolegjium të degëve, në fushatën e partisë e pas saj kërkohet përgjegjësi, unë e refuzoj këtë logjikë”, ka thënë ai.

Abdixhiku shtoi se përgjegjësi, sipas tij, duhet t’u kërkohet atyre që kanë qenë aktivë në terren dhe kanë kontribuar në betejat politike të partisë.

“S’mund t’i jap përgjegjësi dikujt që refuzon pjesëmarrjen në organet e partisë, që refuzon betejën më të rëndësishme që mund të kemi, teksa fërkon duart për rezultat të keq për të nisur edhe një herë për të satën herë refrenin e njëjtë. Përgjegjësi i jap vetëm anëtarit, delegatit që ishte në terren”, ka deklaruar Abdixhiku.

Kuvendi i jashtëzakonshëm i LDK-së po mbahet me kërkesë të një grupi delegatësh, ndërsa 355 delegatë pritet të votojnë për të vendosur nëse Abdixhiku do të vazhdojë ta udhëheqë partinë./Telegrafi.