LAJMI I FUNDIT:

Propozimet që dëmtojnë Kosovën, Shqipërinë dhe Evropën

Propozimet që dëmtojnë Kosovën, Shqipërinë dhe Evropën
Ilustrim

Michael Martens, gazetari që mbulon Ballkanin për të përditshmen kryesore gjermane “Frankfurter Allgemeine”, mesa e njoh unë, nuk është vetëm një person me sensin e satirës. Ai në radhë të parë është një reporter akribik, që shkruan artikuj vetëm mbasi e ka studiuar e hulumtuar personalisht çështjen dhe eviton klishetë që i gjen jo rrallë në median evropiane. Prandaj, edhe postimi i tij se Edi Rama është më i miri kryeministër që Serbia ka pasur mbas Nikolla Pashiqit, duhet parë edhe përtej satirës. Gjithsesi, janë tri çështje kosovare, ku ndërhyrja personale e Ramës ka provokuar kundërshtime në Prishtinë e më gjerë. Në fakt janë tri çështje shumë të rëndësishme për Kosovën, por edhe për Shqipërinë, Ballkanin dhe Evropën, që gjithsesi meritojnë vëmendje e shqyrtim.

“Zajednica” ose Asociacioni i Komunave me Shumicë serbe në Kosovë

Në qershor të këtij viti, kryeministri Rama u dërgoi qeverive të Berlinit e Parisit një koncept si duhej të ishte “Zajednica”. Ky koncept që nuk është bërë i njohur deri më sot sipas Ramës, ishte “një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar”, i hartuar prej ekspertëve të shquar perëndimorë në këtë lëmë, që ishin pajtuar nga qeveria për këtë punë. Për vëzhguesin distant, mbetet e paqartë dobia e kësaj nisme, sepse një të tillë “një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar” mund ta hartonte edhe Prishtina, që është direkt e përfshirë në këtë çështje duke pasur edhe autoritetin e financat për të pajtuar një grup “ekspertësh të shquar perëndimorë”.

Po kështu, mund ta bënte edhe Beogradi, që është i dyti nga radha e përfshirjes. Po kështu, mund ta bënte Brukseli me rolin e tij në dialogun Kosovë-Serbi dhe sigurisht edhe vetë Parisi e Berlini, qoftë edhe pa marrë postë nga Tirana. Disa fondacione e think-tanke kanë publikuar këto dy vite konceptet e tyre për “Zajednicën”, duke kontribuar në debatin publik, i cili në demokraci formëson vizionin politik. Por, kur një palë e tretë e interesuar, por periferike, i dërgon koncepte jopublike një tjetër pale të tretë, kjo e fundit me gjasë e surprizuar nga nisma, dobia duket edhe më mjegullt.

Për vëzhguesin distant është e më e paqartë pse Rama nuk ia dërgoi Kosovës konceptin e “nivelit më të lartë ndërkombëtar” nëse vërtet besonte se teksti përmbante ide të reja për qeverinë në Prishtinë. Kjo do të ishte në frymën e afërsisë së vetëkuptueshme, të bashkëpunimit tradicional e të traktatit dypalësh; mund t’ia dërgonte edhe Serbisë me presidentin e së cilës ka konsoliduar një marrëdhënie speciale, që synon “Ballkanin Evropian”, ose fundja edhe dy ndërmjetësve/facilitatorëve të Brukselit, të angazhuar direkt në këtë dialog (aktualisht z. Borrel e Lajçak).

Për arsye që mbeten të shpjegohen, koncepti iu dërgua dy shteteve kryesore të Bashkimit Evropian, të cilët tok me 25 shtetet e tjera kanë deleguar, prej vitit 2011, ndërmjetësimin te Shërbimi i Jashtëm i BE-së, pra te dy ndërmjetësit/facilitatorët e lartpërmendur.

Por, vëzhguesi mbase nuk e ka të nevojshme të lodhë mendjen për të kuptuar të pakuptueshmen dhe as të nxjerrë nga lumi gurin kryeministror, po të ketë parasysh se personazhi ynë nuk e ka problem të duket karakteropat mjafton që të duket lojtar i rëndësishëm dhe të bëhet i pëlqyeshëm për segmente ndërkombëtarësh, mjaft që këta të mbyllin sytë për problemet në vendin e tij.

Qoftë edhe përmes trysnisë joparimore ndaj Kosovës. Dhe, kjo e fundit është çështja madhore: a lipset dhe a duhet që Kosova me ligj të mundësojë themelimin e “Zajednicës”? Përgjigja ime është po edhe po! Po, sepse Kosova sovrane përmes titullarëve të saj gjatë kësaj dekade të “dialogut” ka pranuar disa herë me shkrim, këtë vit edhe nga kryeministri Kurti, detyrimin për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe; çdo refuzim apo shmangie e njëanshme dhe arbitrare nga detyrimet ndërkombëtare të jep hijen e shtetit renegat që nuk meriton as simpati e as përkrahje.

Po, sepse Kosova sovrane e moderne ka detyrimin parimor që të akomodojë të gjithë shtetasit e saj sipas përvojës ndërkombëtare më të mirë. Këtu përfshihen edhe ata do të donin të jetonin në shtetin e vjetër edhe pse jo detyrimisht thyejnë ligjet e shtetit të ri: pra, serbët kosovarë. Debati publik për “Zajednicën” fokusohet te kompetencat dhe druajtja se mos kthehet në një Republika Sërpska. Ky fokus është i mangët. Dodiku, shefi i Republika Sërpskas ka, në bazë të Kushtetutës së Dejtonit, tagra të mjaftueshme për të paralizuar nivelin federal. Por, edhe pa këto tagra, përkrahja që ai merr nga Beogradi e nga Moska do të mjaftonte për të ushqyer secesionizmin e tij.

Si modele për “Zajednicën” dikur përflitej Tiroli i Jugut/Alto Adige në Itali, e tashti statusi i pakicës serbe në Kroaci. Të dyja këto raste kanë të përbashkët atë që shteti strehues i pakicës nuk kërcënohet nga shteti mëmë i asaj pakice. Sot, Serbia nuk është rrezik sigurie real për Kroacinë e rimëkëmbur dhe anëtare në NATO e në BE. Po ashtu, statusi bujar i pakicës gjermanofone në Tirolin e Jugut/Alto Adige u arrit gradualisht në dy faza kur Italia e Austria, në përgjithësi shtete mike mbas 1945-ës, arritën një nivel të lartë mirëbesimi.

Në rastin tonë, Serbia jo vetëm nuk e njeh Kosovën, por me Kushtetutë e quan pjesë të saj; ajo influencon dhe instrumentalizon pakicën serbe, të paktën në veri të Ibrit, përmes shërbimit sekret, grupeve mafioze, zgjatimit të partisë-shtet të mbështetur me superbuxhet. Beogradi përdor edhe kërcënimin ushtarak (katër herë në dy vjet), por edhe dhunën e armatosur përmes grupimeve si ai Radojçiqit më 24 shtator. Atëherë, pyetja për Zajednicën nuk është më si lipset të jetë ajo, por kur mundet të krijohet ajo.

Dhe, përgjigja tingëllon e thjeshtë: kur Serbia të mos kërcënojë e mundësisht të pranojë/njohë Kosovën. Dialogu i Brukselit nën shenjën e një “ambiguiteti strategjik” të padobishëm nuk arriti ta adresojë dot çështjen e pranimit/njohjes. ShBA-ja, ndonëse shpreheshin vazhdimisht për proces me fokus tek “njohja reciproke”, nuk mundi të shënojë progres në këtë pikë. Për këtë arsye, plani franko-gjerman i prezantuar vjet sillte risinë e njohjes faktike, por joformale mes dy shteteve ngjashme me dy Gjermanitë gjatë Luftës së Ftohtë.

Fatkeqësisht ndërmjetësit perëndimorë nën iluzionin e joshjes së Serbisë nga BE-ja apo ndonjë tjetër përfitim momental e harruan thelbin e këtij plani; ata i kërkuan Kosovës “këtu dhe tashti” “Zajednicën” kurse njohjen faktike e lanë për më vonë kur të bindej Serbia. Kaq i duhej dhe Edi Ramës për të nisur letra me postë.

Konferencë ndërkombëtare, por me kë?

Propozimi tjetër i Edi Ramës është që të thirret një konferencë ndërkombëtare për zgjidhjen e problemit Kosovë-Serbi, mbasi negociatat aktuale me regji nga Brukseli nuk kanë gjasë për përfundim të suksesshëm. Për këtë të fundit duket se ka një konsensus në rritje, të paktën nëse regjia e Brukselit mbetet te i njëjti model dhe me gjasë tek i njëjti regjisor. Por, a sjell një konferencë ndërkombëtare një zgjidhje të drejtë e të qëndrueshme?

Para se t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje lipset të kujtojmë se dialogu Kosovë-Serbi nuk ka mbetur gjithmonë në nivelin Lajçak/Escobar. Ai është ngritur shpesh në nivelin e ministrave dhe ndonjëherë ka qenë objekt direkt i shefave të shteteve. Para një viti, presidenti francez e kancelari gjerman prezantuan planin e tyre; kësaj nisme iu bashkua edhe Kryeministrja italiane. Të tre bashkë ata i dërguan letër kryeministrit Kurti e presidentit Vuçiq dhe dërguan këshilltarët diplomatikë në Prishtinë e Beograd për të njoftuar pasojat nëse plani refuzohej.

Ndonëse ky plan u pranua verbalisht, ai nuk është zbatuar praktikisht. Shkak për këtë është refuzimi thelbësor i Vuçiqit për të ecur drejt njohjes së Kosovës (refuzim i maskuar me dyfytyrësi retorike) si dhe mungesa e vizionit strategjik e prevalimi i interesave taktike, përfshi edhe njëanshmëri sporadike te ndërmjetësit facilitatorë. Por, ka dhe një kufizim tjetër: Evropa e Perëndimi nuk kanë mjaftueshëm karota e shkopinj për të çuar palët drejt një marrëveshje të drejtë e të qëndrueshme.

Karota “anëtarësim në BE” është iluzore ose në rastin më të mirë do jepet mbas një brezi. Korruptokratë si Vuçiqi, ku për më tepër opinioni publik i bombarduar nga propaganda shtetërore është kundër BE-së, nuk kanë pse ta duan anëtarësimin. Sepse, kjo do të do të thotë fund apo kufizim i korruptokracisë; kështu që pavarësisht retorikës proevropiane, në të vërtetë ata nuk e duan.

Ndërkohë që nga BE-ja, edhe kështu siç janë, përfitojnë atë që duan vërtet: ndihmë financiare e koperturë politike. Të njëjtën qasje kanë edhe në Tiranë e Shkup. Ndërkohë që shkopin mund ta vëzhgojmë në Kosovë: sanksionet e BE-së as nuk e kanë ndryshuar thelbësisht sjelljen e qeverisë Kurti e as kanë ulur përkrahjen publike të saj. Me gjasë sepse konsiderohen si të padrejta (siç janë!). Ose konsiderohen edhe të neglizhueshme. Është kollaj të imagjinohet se sikur të njëjtat sanksione t’i vihen Serbisë, siç po flitet, reagimi i Beogradit do të jetë shumë më shpërfillës.

Por, të jemi të qartë: Evropa e ShBA-ja kanë potencialin për masa e ndërhyrje që do t’i tronditnin keq shtetet të vogla si këto tonat. Por, duket se nuk kanë vullnetin dhe aktualisht as terezinë për t’u marrë me këtë punë. Një konferencë me Francën, Gjermaninë si violina të para tok me BE-në plus ShBA-në do të ishte një deja vu. Po të shtojmë fuqitë botërore të interesuara, forca imponuese e konferencës do të rritej dukshëm. Këto fuqi botërore aktualisht janë Rusia (me agresionin e saj ndaj Ukrainës pak gjasa ka të ftohet) dhe Kina. Por konkluzionet e kësaj konference do të ishin fatkeqe për Kosovën dhe dëmtuese për Evropën. Rama nuk e thotë shprehimisht se konferenca duhet zgjeruar kësisoj, por logjika e kontekstit fare mirë të çon këtu.

Veriu nën kontrollin e KFORI-it, po përse?

Propozimi më i çuditshëm i Edi Ramës ishte që KFOR-i të merrte kontrollin në katër komunat në veri të Ibrit. I çuditshëm, sepse një forcë ushtarake e pranishme në territor si rregull ka kontroll mbi atë territor. Ajo forcë ushtarake instalon një pushtet civil për punët e përditshme dhe vetë merret ekskluzivisht me sigurinë. Në kontekstin e Kosovës punët e përditshme të pushtetit civil si dogana, rendin publik, arsimi, shëndetësia, pastrimi i rrugëve janë përgjegjësi e institucioneve të Kosovës, që KFOR-i kurrë nuk i ka pasur.

Me bojkotin e Lista Sërpska, situata edhe me kryebashkiakët me tre për qind vota, situata është komplikuar, por parimisht nuk ka ndryshuar. Institucionet janë të Kosovës edhe kur funksionojnë jo mirë. Ky është një mesazh i rëndësishëm politik e simbolik. Nëse dikush e ndryshon këtë në favor të një minirepublike nën tutelën ndërkombëtare, atëherë nuk do shumë fantazi për të kuptuar se synohet preludi i copëtimit territorial. Para disa vitesh, Rama me kolegë e tentoi seriozisht këtë projekt dhe gjeti përkrahje në dyshen aventuriere Mogherini/Eichhorst në Bruksel dhe në dyshen ideologjike Bolton/Palmer në Uashington. Që të katërt të bashkuar nga joparimësia e miopia. Për fat të mirë të Kosovës, Serbisë dhe Evropës, ky projekt dështoi.

Evropa e kuptoi nga tragjedia e Luftës së Dytë Botërore se shtetet etnikisht homogjene ishin të pamundura dhe investoi në të drejtat e pakicave kombëtare dhe në tretjen e kufijve shtetërorë. Kjo vlerë evropiane nuk është e pamundur në Ballkan, siç dëshmojnë shembuj pozitivë të shumtë. Nuk do të ishte e pamundur as në Serbi e Kosovë edhe pse vështirësohet nga korruptokratë e aventurierë. Sfida në Kosovë do të ishte një konsensus politik e shoqëror rreth këtyre çështjeve, i formuluar qartë e shkoqur për të arritur optimalen në javët e muajt e ardhshëm. Sfida në Shqipëri është që personin me llagapin e ri nga Michael Martensi ta bëjë sa më të padëmshëm në javët e muajt e ardhshëm.