Ukraina: Plani ynë për ta bërë luftën e Putinit të pafitueshme

Rusia do të detyrohet të ndalet kur njerëzit në Moskë ta ndiejnë vërtet se vendi i tyre është në luftë.
Nga: Alyona Getmanchuk, drejtoreshë e Misionit të Ukrainës në NATO / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Prej disa kohësh, Ukraina është përpjekur ta kthejë luftën aty nga erdhi - prapa në Rusi. Por, sulmet e fundit të suksesshme të Ukrainës ndaj Moskës dëshmojnë diçka edhe më të rëndësishme: Ukraina është tamam e pjekur për ta kthyer luftën aty ku u planifikua dhe aty ku mund të ndalet. Në Rusi nuk ekziston ndjesia e luftës derisa ajo të ndihet në Moskë.
Rëndësia e këtyre sulmeve nuk duhet nënvlerësuar. Në fakt, nëse ka diçka që mund të bëhet një nga faktorët më vendimtarë në këtë fazë të luftës, është fushata ukrainase e goditjeve në thellësi brenda Rusisë - veçanërisht ndaj Moskës.
Çfarë i tregon botës fushata ukrainase e goditjeve në thellësi dhe pse është kaq e rëndësishme të forcohen kapacitetet ukrainase për këto sulme?
Pamje të sulmeve të Ukrainës në Rusi
Së pari, asgjë nuk e zbulon më qartë cenueshmërinë ruse sesa paaftësia për të mbrojtur atë që pretendohet të jetë vendi më i mbrojtur në vend - kryeqytetin e saj.
Nëse dikush do të kishte thënë para disa vitesh se Vladimir Putini nuk do të ishte në gjendje ta zhvillonte paradën e tij kryesore në Sheshin e Kuq, de facto pa lejen të Ukrainës, kjo ndoshta do të ishte marrë si një shaka e keqe. Sot, ky është realiteti që shumë njerëz në mbarë botën ende nuk e kanë kuptuar plotësisht. Dhe, në fakt, është poshtërim për Putinin.
Po, cenueshmëria ruse duhej të ishte ekspozuar shumë më herët, dhe kjo nuk është hera e parë që Putini poshtërohet. Duhej të ishte poshtërues vetë fakti që Putini nuk ka arritur ta pushtojë ushtarakisht rajonin e Donbasit në Ukrainë, për më shumë se 12 vjet - jo katër - dhe tani po i kërkon Donald Trumpit t’ia dorëzojë atë përmes një procesi diplomatik. Por, disi, Rusia ende perceptohet si e pathyeshme, ndërkohë që në të vërtetë është një superfuqi e rreme dhe misioni i pavullnetshëm i Ukrainës është që, më në fund, këtë t’ia dëshmojë botës.
Së dyti, prej vitesh Rusia është përpjekur t’i bindë të gjithë se kjo luftë është e pafitueshme për Ukrainën. Ajo që Ukraina po bën me goditjet e saj në thellësi është ta bëjë luftën të pafitueshme për Rusinë.
Pamje të sulmeve të Ukrainës në Rusi
Ukraina po ia privon Rusisë burimet e naftës, jetike për vazhdimin e luftës, duke goditur rafineritë e naftës. Pothuajse asnjë rafineri e madhe në pjesën evropiane të Rusisë nuk ka mbetur e paprekur nga dronët dhe raketat ukrainase me rreze të gjatë veprimi. Plani është i thjeshtë: të shkaktohet një rënie e kapacitetit të përpunimit të naftës dhe të kufizohen eksportet ruse të naftës që ushqejnë makinerinë ruse të luftës.
Sipas Bloomberg-ut, përpunimi i naftës në Rusi ka rënë në 4.69 milionë fuçi në ditë - niveli më i ulët që nga viti 2009. Ukraina po e pengon gjithashtu Rusinë të rrisë prodhimin e armëve përmes goditjeve të suksesshme ndaj kompleksit të saj ushtarako-industrial dhe uzinave kimike. Të gjitha këto duhej të ishin arritur përmes sanksioneve perëndimore, por “sanksionet me rreze të gjatë” të Ukrainës, siç ka theksuar me të drejtë presidenti Zelensky, në shumë raste janë dëshmuar më të shpejta dhe më efektive.

Së treti, fushata ukrainase e goditjeve në thellësi duhet parë edhe si pjesë e përpjekjeve të Ukrainës për mbrojtje ajrore. Që nga dimri i kaluar, Rusia e ka shtuar ndjeshëm përdorimin e dronëve dhe raketave balistike. Teksa Ukraina është bërë shumë e aftë në përballimin e kërcënimit nga dronët - duke goditur deri në 90 përqind të tyre - kur bëhet fjalë për mbrojtjen anti-balistike ne varemi tërësisht nga partnerët tanë, para së gjithash nga Shtetet e Bashkuara. Më shumë se 90 përqind e të gjitha raketave PAC-3 Patriot që aktualisht mbërrijnë në Ukrainë, furnizohen përmes nismës PURL-it (Lista e Kërkesave Prioritare të Ukrainës). Andaj, vazhdojmë t’u kërkojmë partnerëve tanë evropianë dhe Kanadasë të rrisin kontributet e tyre në këtë nismë, sepse tani për tani sfida kryesore është financimi i armatimit, jo qasja e armatimit për Ukrainën.
Ukraina ka nisur gjithashtu zhvillimin e interceptorëve të vet anti-balistikë dhe po i fton partnerët evropianë të krijojnë një koalicion evropian anti-balistik në nivel të kompanive që tashmë kanë përvojë në këtë fushë. Por, nuk duhet harruar kurrë se të gjitha mjetet e mbrojtjes ajrore janë vetëm qetësues dhimbjeje, ndërsa ne duhet të godasim vetë burimin e dhimbjes. Prandaj, është gjithmonë më mirë të shkatërrohet një raketë në uzinën ku prodhohet sesa të goditet mbi qytetet ukrainase dhe mbi infrastrukturën kritike.
Së katërti, goditjet ukrainase në thellësi flasim shumë për teknologjitë mbrojtëse ukrainase, inovacionin dhe vetëmjaftueshmërinë në rritje të Ukrainës në kapacitetet me rreze të gjatë. Rrezja e këtyre goditjeve po rritet - tashmë deri në 2 000 kilometra - dhe po rritet edhe efikasiteti i tyre. Lista e sistemeve të prodhuara në vend po bëhet e mjaftueshme për kryerjen e shumicës dërrmuese të goditjeve në thellësi dhe me rreze të mesme - duke përdorur mjetet tona. Por, kjo nuk ka të bëjë vetëm me mjetet. Ka të bëjë edhe me njohuritë dhe përvojën e paçmueshme se si të bëhen këto goditje më efektive - diçka që fitohet vetëm përmes përvojës dhe përmasës së sfidave me të cilat përballet një vend në një luftë moderne.

Prandaj, nëse flasim për mësimet unike që Ukraina ka nxjerrë nga kjo luftë dhe që mund t’i ndajë me partnerët tanë në NATO, goditjet në thellësi duhet patjetër të jenë ndër to. Dhe, kjo nuk ka të bëjë vetëm me përdorimin e mjeteve të prodhuara në Ukrainë. Ka të bëjë edhe me përdorimin më efektiv të sistemeve perëndimore që morëm më herët, por në sasi aq të kufizuara saqë duhej të siguroheshim që çdo goditje të ishte e suksesshme.
Ne do t’i jemi gjithmonë mirënjohës ndaj Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës për furnizimin e kapaciteteve tona të para me rreze të gjatë veprimi, të cilat u treguan shumë efektive - raketat Storm Shadow dhe SCALP. Do t’i jemi gjithmonë mirënjohës edhe Shteteve të Bashkuara për raketat ATACMS. Si dikush që ka lobuar për to në Uashington gjatë administratës së mëparshme amerikane, e di se sa e vështirë ishte të sigurohej ai vendim - edhe kur bëhej fjalë për një numër të kufizuar sistemesh dhe për koordinim të qartë të objektivave. Njohuritë dhe përvoja unike që Ukraina zotëron sot në këtë fushë, të kombinuara me mjete gjithnjë me kosto më efektive, e vendosin Ukrainën në pozitë për të forcuar ndjeshëm kapacitetet e goditjeve - në thellësi - të më shumë vendeve evropiane të NATO-s dhe, në të ardhmen, potencialisht edhe për të zëvendësuar disa sisteme ekzistuese.
Së pesti, ndoshta nuk ka asgjë në Ukrainë sot që mund ta ngrejë më shpejt moralin publik dhe të ndihmojë në ruajtjen e tij përballë fushatës së pandërprerë ruse të sulmeve masive, sesa goditjet e suksesshme ukrainase brenda territorit rus. Sepse, njerëzit e kuptojnë se Rusia do të detyrohet ta ndalë luftën dhe të nisë negociatat kuptimplota vetëm kur t’i privohen burimet e nevojshme për ta vazhduar atë - dhe, kur njerëzit në Moskë ta ndiejnë vërtet se vendi i tyre është në luftë e jo duke zhvilluar një “operacion ushtarak special” të lokalizuar në Ukrainë. /Telegrafi/











































