Dy persona janë arrestuar në Graçanicë nën dyshimin për posedim dhe shpërndarje të paautorizuar të narkotikëve.

Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 23 maj rreth orës 19:00 kur njësiti i antidrogës (DHTN) ka ndaluar një veturë me targa vendore në të cilën ndodheshin dy të dyshuar meshkuj kosovarë.


Gjatë ndaljes së automjetit, njëri nga të dyshuarit, që ishte pasagjer, dyshohet se ka hedhur jashtë veturës një qese të mbushur me pluhur të bardhë, substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, me peshë prej 81.8 gramësh.

Po ashtu, gjatë kontrollit të vozitësit, policia ka gjetur edhe 0.2 gramë substancë të dyshuar të llojit kokainë.

Me urdhër të prokurorit janë kryer bastisje në tri lokacione të ndryshme, ku është sekuestruar edhe 0.2 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.

Policia ka konfiskuar substancat e dyshuara narkotike, një telefon mobil dhe një pajisje elektronike DV.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. /Telegrafi/