Anne Hathaway është aq e përkushtuar ndaj procesit të saj të aktrimit, saqë gjatë fazës së përgatitjeve ajo kalon kohë duke studiuar me imtësi skenarin dhe duke bërë vazhdimisht pyetje, gjë që ndonjëherë mund t’i vërë regjisorët në siklet.

“Një nga gjërat që përpiqem t’u shpjegoj regjisorëve që nuk më njohin është se unë e analizoj gjithçka gjatë përgatitjeve,” tha fituesja 43-vjeçare e Oscarit për regjisorin e “Mother Mary”, David Lowery, në podcastin “The A24 Podcast” të martën.


“Gjithçka. Edhe replikat që më pëlqejnë shumë, unë sërish bëj pyetje për çdo detaj. E shqyrtoj çdo gjë me kujdes, mundohem të gjej boshllëqe në gjithçka. Dhe e di me siguri që kjo i ka trembur disa regjisorë”.

Hathaway tha se gjithmonë ua bën të qartë drejtuesve të filmave se e bën këtë “sepse nuk dëshiron të bëjë asnjë pyetje kur janë në xhirime”.

“Kur jemi në set, dua të jem krahu juaj i djathtë”, i thoshte ajo regjisorit.

“Dua ta realizoj vizionin tuaj. Dua vetëm të hyj menjëherë në ritëm dhe të di saktësisht çfarë po bëjmë dhe pse. Atëherë nuk kemi kohë për pyetjet e mia”.

Regjisori 45-vjeçar iu përgjigj: “Edhe unë e mbaj mend këtë. Edhe pse e dinim që nuk do të ndryshonim asgjë, ne kaluam dhe diskutuam çdo rresht të skenarit”.

Hathaway ndërhyri me shaka: “Disa replika më shumë se një herë!”

Lowery dhe aktorja e “Dark Cradle” u ribashkuan për të promovuar thrillerin e tyre psikologjik me elemente fantazmë, i cili tani është i disponueshëm në platformën VOD për t’u marrë me qira për 19.99 dollarë ose për t’u blerë për 24.99 dollarë përmes A24.

Në filmin “Mother Mary”, Hathaway interpretoi rolin kryesor të një ylli problematik të muzikës pop. Filmi përfshin këngë origjinale nga Jack Antonoff, Charli XCX dhe FKA Twigs, por nuk pati sukses në arkëtime, duke fituar vetëm 3 milionë dollarë nga një buxhet prej 20 milionë dollarësh.